Shëndeti i kockave, faktorët që duket se shtojnë rrezikun për osteoporozë

0
Gjigandi

Osteoporoza është një ndër sëmundjet e shpeshta që dëmton kockat, shfaqja e të cilës nis të bëhet shqetësuese veçanërisht në moshat e mëdha, gjatë së cilës densiteti i kockës humbet gradualisht dhe në mënyrë të heshtur duke e bërë atë më të thyeshme. Kjo sëmundje prek si femrat, ashtu edhe meshkujt (pavarësisht keqkuptimit më të zakonshëm se osteoporoza është sëmundje e femrave). Autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë me dije se është e vërtetë që gratë në menopauzë janë më të rrezikuara për të zhvilluar sëmundjen e osteoporozës, por dunga ana tjetër duhet theksuar se kjo sëmundje ajo prek edhe miliona meshkuj anembanë botës. Të dhënat e raportuara tregojnë se rreziku i frakturave te meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës.

Për të vendosur diagnozën e kësaj sëmundjeje, duhet të kryhet testi i matjes së densitetit kockor (BMD test). Sa më herët të konfirmohet diagnoza e kësaj sëmundjeje, aq më efikas do të jetë edhe trajtimi i saj. Kështu, mjekët rekomandojnë që të gjithë individët mbi 50 vjeç, veçanërisht gratë në menopauzë, dhe ata të cilët kanë një faktor rreziku, duhet të bëjnë matjen e densitetit kockor, për të konfirmuar rrezikun që mund të kenë nga sëmundja e osteoporozës.

Strukturat ndërkombëtare të shëndetit vlerësojnë se mbi 200 milionë njerëz në botë janë prekur nga osteoporoza. Në mbarë botën, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç do të pësojnë një thyerje kocke prej osteoporozës. Osteoporoza shkakton më tepër se 8.9 milionë fraktura në vit, çdo tri sekonda ndodh një frakturë prej saj.

Pse ndodh osteoporoza?

Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, ku disa prej tyre duket se e shtojnë rrezikun për osteoporozë. Sipas bluzave të bardha, këta faktorë mund të jenë të pandryshueshëm ose të modifikueshëm. Në listën e faktorë të pandryshueshëm përfshihen: mosha, gjinia (gratë, sidomos mbas menopauzës të cilat janë më të rrezikuara për t’u prekur nga osteporoza), historitë familjare (familjarë të afërt, sidomos prindërit me osteoporozë), menopauza, hypogonadizmi te meshkujt, përdorimi për një kohë të gjatë i disa medikamenteve (kortizonikë, hormone të tiroides, atiepileptikë, citostatikë), artriti reumatoid dhe disa sëmundje kronike (keqpërthithja, sëmundjet e mëlçisë, hyperthyroidismi, etj).

RonaTyra

Megjithëse faktorët e mësipërm nuk mund të ndryshohen, është e rëndësishme që njerëzit të njohin faktorët e rrezikut individual, apo të modifikueshëm, të cilët mund të mbahen nën kontroll gjatë përditshmërisë, çka ndihmon edhe në reduktimin e riskut për të zhvilluar osteoporozë. Konkretisht ndër faktorët që pohohet të shtojnë rrezikun për këtë sëmundje  listohen të jenë: konsumi i lartë i alkoolit, pirja e duhanit, indeksi i ulët i masës trupore (nëse është < 19-20kg/m2, kjo rrit rrezikun për fraktura), ushqyerja e varfër me kalcium dhe proteina, marrja e paktë dhe në mungesë e vitaminës D, mungesa e aktivitetit fizik.

Simptomat

Diagnostikimi i kësaj sëmundjeje mbetet pak i vështirë, për shkak të mosshfaqjes së simptomave të dukshme që në stadet më të hershme. “Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhembshme, ajo nuk ka simptoma të dukshme që tregojnë se një person është duke zhvilluar osteoporozën. Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”, konfirmojnë ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik. Megjithatë, janë disa shenja që mund të paralajmërojnë nevojën për kryerjen e testeve diagnostikuese për këtë sëmundje. Kështu disa shenja të tilla, si: dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa centimetra, apo frakturat (thyerjet e kockave) mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Shpesh shenja e parë e osteoporozës është fraktura/thyerja e kockës. Një pjesë e mirë e rasteve të diagnostikuara janë fare pa shenja dhe osteoporoza konstatohet rastësisht mbas kryerjes së një testi të matjes së densitetit kockor.

Ndërgjegjësimi për faktorët e rrezikut

Sikundër edhe u theksua më lart, çdo njeri duhet të jetë i vetëdijshëm për çdo faktor rreziku personal që mund të ndikojë në shëndetin e kockave dhe duhet të konsultohet me mjekun nëse është në rrezik. Kjo pasi diagnostikimi i shpejtë i saj, ndihmon në aplikimin e trajtimeve më të efektshme.

Trajtimet që rekomandohen

Vendosja e trajtimit për osteporozën është në varësi nga rezultatet e testit të densitetit kockor që kryen çdo person. Në këto kushte, mjeku mund të japë ilaçe dhe suplemente për të parandaluar humbjen e mëtejshme të masës kockore. Në përgjithësi, një mjekim i përshtatshëm i kombinuar me ndryshime të stilit të jetesës mund të shmangë shumë nga frakturat e kockave që mund të kenë personat e prekur osteporoza.

Personat që diagnostikohen me këtë sëmundje duhet të jenë të kujdesshëm në aplikimin e trajtimit të rekomanduar nga mjeku specialist. Kjo pasi, trajtimi i osteoporozës është efektiv vetëm nëse merret ashtu siç rekomandohet nga mjeku. Në pjesën dërrmuese të rasteve, trajtimi i osteoporozës zgjat për periudha të gjata kohore, prandaj për shumë njerëz nuk është i këndshëm. Por kjo nuk duhet të jetë arsye për ta ndërprerë mjekimin, sikundër ndodh rëndom në shumë raste, duke bërë që simptomat e sëmundjes të bëhen edhe më të rënda.

Masat që duhet të merren

Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral i cili nuk mund të ndalet plotësisht, prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re. Mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është fillimi i aktivitetit fizik dhe ushqyerja e shëndetshme që në fëmijëri, dhe ruajtja e këtyre zakoneve dhe në moshë të rritur.

Ndikimi i aktivitetit fizik

Kryerja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve kanë nevojë për 30-40 minuta aktivitet fizik, 3 deri 4 herë në javë. Ushtrimi i rregullt ndihmon në mbrojtjen e shëndetit të kockave, duke ulur kështu riskun për osteporozën.

Marrja e kalciumit

Marrja e kalciumit në sasi të mjaftueshme është një tjetër këshillë që nuk duhet të neglizhohet. Autoritetet e Shëndetit publik sqarojnë se sasia e kalciumit që duhet të konsumojmë ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Kërkesat për kalcium janë të larta në vitet e adoleshencës. Me kalimin e moshës aftësia e trupit për të përthithur kalcium ulet. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e produktet e tij, perimet jeshile si: brokoli, lakra jeshile, disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë, peshku i konservuar, sardelet, arrat, bajamet, drithërat, lëngjet e frutave etj.

Roli i vitaminës D

Vitamina D është gjithashtu esenciale për përthithjen e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, i krahëve dhe i fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nëpërmjet ushqimeve dhe suplementeve. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçia, drithërat etj. Është mjeku ai që përcakton sasitë e vitaminës D që duhet të merren nëpërmjet suplementeve shtesë.

Stili i shëndetshëm i jetesës

Po ashtu edhe ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme. Mënjanimi i duhanpirjes, pirja e moderuar e alkoolit dhe mbajtja e peshës trupore brenda kufijve të normës, janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi, prandaj nuk duhet të merren në sasi të tepërta. Alkooli duhet gjithashtu të merret në sasi të moderuar. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to.

Disa prej faktorëve rrezikues për osteoporozën që mund të mbahen nën kontroll:

  • Konsumi i lartë i alkoolit, njerëzit që pinë më shumë se 2 njësi në ditë alkool rrisin deri 40 për qind rrezikun për frakturë nga osteoporoza.
  • Pirjen e duhanit, studimet tregojnë se ata që pinë duhan janë më në rrezik për të zhvilluar këtë sëmundje se sa ata që nuk pinë.
  • Indeksi i ulët trupor (IMB< 19-20kg/m2) është i lidhur me humbjen e masës kockore dhe rritjen e rrezikut për fraktura.
  • Ushqyerja e varfër me kalcium dhe proteina, të cilat e rrisin rrezikun për osteoporozë.
  • Deficiti në vitaminë D, e cila është esenciale pasi ndihmon në përthithjen e kalciumit në gjak.
  • Mungesa e aktivitetit fizik. Njerëzit që bëjnë jetë sedentare kanë më tepër mundësi për fraktura se të tjerë. Përshembull femrat të cilat rrinë ulur për më tepër se 9 orë në ditë, kanë 50 për qind më tepër mundësi për fraktura të legenit, se ato që rrinë ulur më pak se 6 orë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu