Prej më shumë se 1 orë, Rruga e Arbrit është bllokuar, për shkak të shembjes së një masivi të madh disa metra para tunelit të Murizit.
‘Si pasojë e motit me reshje shiu e dëbore në aksin rrugor Xibër-Qafë Murrizë, është shembur një masiv dheu dhe gurësh duke e bërë këtë aks të pakalueshëm. Shërbimet e mirëmbajtjes së rrugës me mjetet eskavator po punojnë për hapjen dhe pastrimin e saj. Shërbimet e Policisë ndodhen në të dy kahet e rrugës për të orientuar drejtuesit e mjeteve që në raste emergjente të ndjekin aksin e vjetër’, – thuhet në një njoftim të Policisë së Dibrës.
Rruga e Arbrit një vepër e përuruar me zhurmë të madhe pak muaj më parë por që vazhdon të gllbërojë para. Më 29 Nëntor të vitit të kaluar, rruga e Arbrit u hap për qarkullimin, elementë të rëndësishëm të saj kanë nevojë për rehabilitim, që kushton miliona. Rehabilitimin e tombinos së rrugës në aksin rrugor Qafa e Buallit-Fillimi i rrugës së Arbrit, punë që do të kushtojë 150 milione lekë me TVSH.
Ndërsa në total ka kushtuar mbi 40 miliardë lekë duke u gjendur në pikën e sotme ku është e bllokuar për shkak se nuk janë marr masat e nevojshme për të parandaluar përparimin e dherave drejt aksit rrugor.
Ndërtimi i rrugës 54 kilometra që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet një kontrate koncesionare për kompaninë ‘Gjoka Konstruksion’ në pronësi të Rrok Gjokës duket se e ka shtrënguar dorën në këtë aks të cilin e filloj në vitin 2018 .
Edhe pse kontrata koncesionare “Për Projektimin, Përmirësimin, Ndërtimin dhe Mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit parashikon ndërtimin e segmentit për 44 muaj, çka korrespondon me datën 4 mars 2022, punimet u shtynë për shkak të arsyeve të ndryshme të paraqitura nga firma
Psh. Tuneli i Murrizit kërkojë më shumë kohë për shkak të pezullimit të tyre për 17 muaj gjatë shembjes së tunelit të parë.
Vetë kompania ka nisur bisedimet për amendimin e kontratës koncesionare, ku do të shtyhet afati për përfundimin e tyre në gusht të këtij viti dhe të vendoset përfundimisht se kush do t`i paguajë kostot shtesë për këtë vepër.
KA pretendime se projekti i këtij aksi është devijua: Nga 11 metra gjerësi, është ndërtuar me 9 metra gjerësi, pa korsi rezervë e pa sheshe pushimi. Si i tillë, paraqet rrezikshmëri gjatë udhëtimit. Tuneli i Murrizit nuk është ndërtuar akoma dhe by-pass-i i Murrizit paraqet rrezikshmëri, sepse në 8 kilometrat e tij është rrugë shumë e ngushtë
20 milionë euro për gabimet në tunelin e Murrizit
Në mesin e vitit 2019, kur ndërtimi i Rrugës së Arbrit ishte në fazë intensive, kompania Gjoka 87 mori vendimin për ta braktisur zonën e punimeve të tunelit të Murrizit.
Siç shpjegon raporti i grupit të inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit, terreni, për shkak të materialeve me përmbajtje argjilore, ishte shumë i lëvizshëm, çka detyroi kompaninë të merrte vendimin për braktisjen e kantierit dhe nisjen e studimit për të ndërtuar në një gjurmë tjetër.
Ana perëndimore shfaqi shenja të proceseve intensive gjeodinamike, të tilla si rrëshqitjet e mëdha të dheut. Në këto kushte nga zbatuesi i punimeve është kërkuar të bëhet një gjurmë e re e tunelit me kushte më të mira gjeologjike-inxhinierike”, – thuhet në oponencën teknike që Instituti i Ndërtimit bëri për projektin e Alternativës B të Tunelit të Murrizit, ku dhe argumentohet vendimi për ndërtimin e tunelit në një zonë tjetër.
Punimet në tunelin e Murrizit
Edhe pse kompania në disa raste tentoi të përforconte strukturën e tunelit me ndërtimin e pilotave dhe forcimin e mureve mbajtëse me beton dhe hekur, lëvizjet ndodhnin në pjesën tokësore, duke e bërë veprën të paqëndrueshme.
Në preventivin e koncesionarit shpenzimet për këto punime kapin vlerën 10 milionë euro, faturë, e cila është dorëzuar për kompensim në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Kostoja e ndërtimit të tunelit të ri arrin në 145 milionë euro, 10 milionë euro më shumë se alternativa e parë, faturë, e cila po ashtu pretendohet të paguhet nga buxheti i shtetit.
Prej disa muajsh Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duhet t’i kthejë një përgjigje palës koncesionare, nëse do ta njohë si “shkak kompensimi” faturën shtesë për punimet në tunelin e Murrizit.
Debatet lidhur me pagesën e kostove shtesë janë përqendruar për të zbuluar, nëse ka përgjegjësi pala koncesionare si projektuese e segmentit për rrëshqitjet që ndodhën e nëse i ka bërë të gjitha matjet e duhura.
Sipas informacioneve paraprake defektet kanë ndodhur për shkaqe të paparashikueshme gjeologjike, duke miratuar pagesën e faturës në favor të kompanisë koncesionare, Gjoka 87.
145 milionë euro për tunelin e ri të Murrizit
Projekti i ri i tunelit zgjat me 500 metra gjatësinë e tij, nga 3.3 kilometra, që ishte në variantin e parë, në 3.8 kilometra në të dytin. Sipas të dhënave zyrtare, tuneli do të përbëhet nga dy tuba, një për emergjencat, që do të shërbejë si tunel shërbimi me diametër më të vogël dhe një tjetër me përmasa më të mëdha, ku do të lejohet qarkullimi normal i automjeteve.
Instituti i Ndërtimit ka kërkuar edhe në këtë projekt që të kryhen shpime shtesë me sondë, edhe pas studimeve të tjera gjeologjike që ka bërë firma koncesionare, pasi “vetëm në këtë mënyrë do të evitohen problematikat që ndodhën edhe në rastin e tunelit të parë”.
Në bazë të preventivit të dorëzuar nga kompania koncesionare, vlera e tunelit të ri arrin në 17.5 miliardë lekë (ose 145 milionë euro), nga 16 miliardë lekë që kushtonte varianti i parë, duke u bërë kështu tuneli më i shtrenjtë, i ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri.
1 kilometër i këtij tuneli do të kushtojë 38.1 milionë euro, ndërsa ai i Llogorasë ka një vlerë prej 23.3 milionë eurosh për kilometër dhe ai i Kalimashit është ndërtuar me një kosto mesatare prej 21 milionë eurosh/km. Lidhur me këto kosto Instituti i Ndërtimit ka kërkuar sqarime për disa zëra.
Deri tani kanë mbetur 400 metra për t’u hapur në tunelin e emergjencës, ndërsa punimet në tunelin kryesor janë në fillim të tyre. Kjo ka bërë që kompania dhe mbikëqyrësi i punimeve të kërkojnë shtyrje të afateve për përfundimin e veprës për në gusht të vitit 2022.
Rruga e Arbrit është aksi i parë që qeveria zbatoi për projektet koncesionare të ndërtimit në infrastrukturën rrugore, duke përdorur formën e partneritetit publik-privat, ku propozohej që vlera e investimit të kryhej nga kompania, ndërsa shteti do të niste vitin e dytë pas realizimit të 25% të volumit të punimeve pagesën e kësteve për 13 vjet, duke paguar një interes në vlerën e 40 milionë eurove.
Investimet e kompanisë Gjoka Konstruksion bashkë me problemet në tunelin e Murrizit për këtë segment janë 235 milionë euro, ndërsa shteti do të paguajë në fund 348 milionë euro. Gati 50% më e lartë se varianti që propozoi kompania kineze, China State Construction, në vitin 2015.
Disa tunele të parashikuara në ende nuk kishin nisur. Vepra kryesore tuneli i Qafës së Murrizit nuk dukej në horizont– Autoritetet nuk japin një afat se kur mund të përfundojë, Tuneli kryesor me gjatësi 3.8 kilometra është zëvendësuar nga një rrugë e ngushtë malore 8.8 kilometra.
Përveç këtij nuk janë hapur tunelet e Qafës së Buallit dhe as Ura e Vashës, ndërkohë që traseja nga Shkalla e Tujanit deri tek gryka e Lumit të Tiranës është shtruar pjesërisht.
Pak histori për firmën Gjoka
Në garën e zhvilluar në tetor të atij viti, vetëm kompania Gjoka u paraqit me një ofertë për ndërtimin e rrugës me vlerë 33.6 miliardë lekë dhe rrjedhimisht fitoi koncesionin. Në shtator të vitit 2019, Autoriteti Rrugor Shqiptar akuzoi Gjokën për mashtrim ndërsa Gjoka akuzoi drejtoreshën e asaj kohe të ARRSH për manipulim tenderi.
Në datën 15 Shtator 2019, Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkoj hapjen e një hetimi administrativ për kompaninë “Gjoka Construction” e cila kryen punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Por përse akuzohet firma ‘Gjoka’?ARRSH-ja thotë se kjo firmë paraqiti të dhëna fiktive në përpjekje për të fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë, që është ‘loti 7’ dhe që u anulua.
Firma në fjalë për të dëshmuar plotësimin e kriterit të eksperiencës në punë të ngjashme paraqiti dokumentacion që përmban informacion të rremë, lidhur me ndërtimin e tuneleve të “Rrugës së Arbrit” duke deklaruar se i ka përfunduar, por në fakt puna ende vijon.
Nga kontrolli rezultoi se punimet e marra përsipër nga firma “Gjoka” nuk kanë përfunduar sipas kontratës, pasi ende vijojnë ndërtimet e tuneleve dhe se nuk janë në standardet e kërkuara dhe të parashikuara në kontratë.
“Punimet nuk kanë përfunduar sipas kontratës. Ka zëra punimesh që janë pasqyruar si të përfunduar, por në fat puna vijon. Të dhënat e paraqitura nga firma ‘Gjoka’ janë fiktive dhe jo reale dhe nuk përputhen me punimet e kryera në terren.
Tunelet në ndërtim quhen të papërfunduara prandaj kërkojmë fillimin e një procedure hetimi administrativ lidhur me informacionin e rremë që paraqiti “Gjoka Construction” thuhet ndër të tjera në shkresën e firmosur nga ARRSH-ja që kërkon nisjen e hetimit administrativ./Abc24.al