Liburna Mehmeti, 19 vjeçare, aktualisht punon si instruktore e programimit në shkollën digjitale në Prishtinë. Ajo thotë se ka mësuar gjashtë vite për t’u bërë programere e që sipas saj nuk ka qenë e lehtë për shkak të paragjykimeve.
“Në fillim kam pasur më shumë paragjykime prej njerëzve, jo që kanë ndikuar tek unë si person direkt mirëpo ka pasur shumë njerëz që kanë paragjyku për faktin se është një profesion që bëhet vetëm prej meshkujve dhe e di që kanë qenë shumë persona që prindërve të mi u kanë thënë pse po e çoni vajzën tuaj në një profesion që e bëjnë vetëm djemtë. Mirëpo për mua kjo ka qenë kurajo edhe më e madhe për t’u treguar që edhe pse jam femër mund të bëjë të njejtën që e bën edhe një djalë edhe si profesion duhet me pas barazi gjinore dhe kjo nuk më ndërron asgjë veç pse jam vajzë edhe mund të bëj të njejtën gjë”,
tha ajo për Zërin e Amerikës.
Përfshirja e vajzave në sektorin e teknologjisë, sipas ekspertëve, po shkon duke u shtuar nga viti në vit. Bashkëthemeluesja e shkollës digjitale në Prishtinë, Hana Qerimi, thotë se në krahasim me vitet paraprake, është vërejtur një rritje e interesimit të femrave për të studiuar në këtë sektor.
“Në fillim, fundi i 2015 dhe fillimi i 2016 ka qenë sukses i madh nëse kemi pasur një vajzë për klasë, gjatë kohës ka ndryshu ky trend. Sot kemi mbërri që 40 për qind të një klase me pas të përmbushur me vajza, kështu që besoj që është një e arritur e madhe në këtë drejtim”
, tha ajo.
Ajo thotë se tashmë ka ndryshuar qasja e dikurshme kur sektori i teknologjisë është llogaritur profesion vetëm i burrave.
“Ka qenë profesion i meshkujve në kohërat kur ëshë dashur punë fizike më e madhe, kur ka qenë pajisjet më të mëdhaja dhe ka qenë punë mekanike por sot është komplet punë që i përket intelegjencës, njejtë jemi si vazja si djem, është një përparësi e madhe për vajzat që dojnë me punu edhe prej shtëpisë ose kanë plan të bëjnë një far lloj balanci në mes familjes dhe punës është një shtytje më e madhe për to për të hyrë në këtë drejtim”,
tha Hana Qerimi.
Merika Arllati 16 vjeçe, nxënëse në shkolën digjitale, thotë se ka zgjedhur fushën e teknologjisë për të krijuar lojëra të animuara dhe në fillim njësoj sikurse koleget e saj është përballur me paragjykime për profesionin e zgjedhur.
“Edhe pse këto fjalë janë thanë në shumicën e kohës që zhvilluesit e lojërave janë meshkujt, por çdoherë e kam pas atë që unë jam unë edhe nëse unë kam një ëndërr unë jam duke e arrit atë për vetën tem, jo për mendimet e njerëzve”,
tha ajo.
Ajo thotë se një prej arsyeve që ka filluar mësimet në fushën e teknologjisë ka qenë që t’u ofrojë njerëzve një mendim ndryshe.
“Të ardhmen kam qef me qenë animatore, krijuese e lojërave që për filmat që i bëj unë me pas secila nga një lojë të vogël, për të qenë më përfshirëse me njerëz që shikojnë atë film, qoftë pak qoftë shumë, dhe me tregu botën tem te njerëzit e tjerë”,
tha Erika Arllati.
Sipas njohësve të teknologjisë, vajzat në Kosovë më shumë janë të interesuara të studiojnë në fushën e programimit dhe te pjesa e zhvillimit softverik.
Liburna Mehmeti thotë se sfidë mbetet fakti që në Kosovë mundësitë ende janë të vogla në këtë profesion.
“Kjo është sfida më e madhe për arsye se jem shumë të kufizuar sa i përket mundësive që i kemi. Por mendoj që kjo nuk duhet të na ndal as mua as bashkëmoshatarët e mijë, prapë mendoj të vazhdoj dhe çdo ditë të mësoj gjëra të reja, të rritem profesionalisht duke u bërë një programere edhe më e fortë edhe me krejt ato njohuri që kemi marr prej shkollës digjitale dhe që vazhdojmë me i marr ende ato t’i përforcojmë edhe me tregu që mundemi edhe ne edhe pse vijmë prej një vendi shumë të vogël, mundemi me bë gjëra të mëdhaja”,
tha ajo.
“E kemi kaluar 40 për qind dhe jemi afër me arrit 50 me 50 mes djemve dhe vajzave. Është një trend që shumë shpejt ka ndryshu, prej një vajzës në klasë me pas sot 40 për qind vajzave në klasë, është një ndryshim i madh dhe shumë i shpejt. Është një gjeneratë komplet e ndryshme sidomos prej gjeneratës tonë, ata janë në trend me hapat se çka është duke ndodhur në botë, cilat janë trendet, ku gjejnë punë më shumë dhe kjo besoj i ka shty për të marrë pjesë edhe në këtë fushë”,
tha Hana Qerimi nga shkolla Digjitale.
Ekspertët thonë se përfshirja e femrave në fushën e teknologjisë do t’i jap një mundësi rritjes së punësimit të tyre dhe rrjedhimisht do të ndikojë edhe në uljen e numrit të papunësisë, që përfshinë më së shumti gratë dhe vajzat./VOA