Rregullat si duhet plotësuar formulari A1Z nga maturantët e vjetër

0
Gjigandi

Nis sot plotësimi i formularit A1Z, për të gjithë kandidatët që do të duan të kthehen në garë për ndjekjen e studimeve të larta në universitetet publike dhe ato private, përgjatë vitit të ardhshëm akademik, të cilët mund të kenë, ose jo për të shlyer detyrime të Maturës Shtetërore. Këta kandidatë do të mund të kthehen në garë për studimet e larta duke mbrojtur rezultatet e marra në provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje të dhëna në vitet përkatëse, në rastet kur kanë rezultuar kalues. Ndërkohë që për lëndët në të cilat kanë marrë vlerësime negative, do të duhet që gjatë Maturës Shtetërore 2023 t’i japin sërish sipas rregullave të përcaktuara nga udhëzimet e posaçme të dikasterit të Arsimit.

Edhe për këtë kategori, aplikimi për plotësimin e formularit do të zhvillohet online. Duke nisur nga dita e sotme, portali online për plotësimin e Formularit A1Z nga maturantët e vjetër do të jetë aktiv. Kështu të gjithë kandidatët sipas grafikut të përcaktuar të aplikimit do të duhet që të bëjnë plotësimin e këtij formulari, i cili i hap udhë vijimit të mëtejshëm të aplikimit për universitetin.

“Aplikimet e formularit A1Z mund të kryhen nga data 12 dhjetor, deri në datën 15 dhjetor. Formulari A1Z plotësohet fillimisht online nëpërmjet portalit “e-Albania” dhe më pas duhet të konfirmohen në shkollën përkatëse nga vetë kandidati. Pas plotësimit të formularit bëhet korrigjimi i pasaktësive, sipas një formulari të dërguar në shkollë nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit”, bëjnë me dije autoritetet e dikasterit të Arsimit. Maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Tiranë janë të parët që gjatë ditës së sotme do të plotësojnë këtë formular, për të vijuar në datën 13 dhjetor me maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Fier, në datën 14 me maturantët e drejtorisë së Korçës, si dhe në datën 15 me maturantët e drejtorisë së Lezhës.

Specialistët e arsimit thonë se formularin A1Z mund ta plotësojnë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme që nga ky vit dhe më parë, dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës, po ashtu mund ta plotësojnë edhe kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një, ose disa provime të maturës, si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri ose jashtë vendit që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të maturës 2023, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, apo private përgjatë vitit të ri akademik. Plotësimi i këtij formulari do të ndiqet nga një mësues mbikëqyrës. Këta maturantë do të bëhen pjesë e Maturës 2023, duke mbartur rezultatet e provimeve të dhëna në vitet përkatëse, si për lëndët e detyruara, ashtu edhe lëndën me zgjedhje. Për të bërë plotësimin e formularit A1Z, kandidati duhet të paraqesë tek mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga Komisioni i Maturës Shtetërore dhe Zyrës Vendore të Arsimit, i cili pasqyron provimet që ai ka dhënë, si dhe rezultatet që ka marrë në to. Vërtetimi krahas gjeneraliteteve duhet të ketë edhe këto të dhëna: provimet e detyruara dhe notat e përshkallëzuar të marrë në secilin prej tyre, si dhe notën e përshkallëzuar të marrë në provimin lëndës me zgjedhje.

“Për maturantët që në maturat e shkuara kanë dhënë provime me zgjedhje dhe rezultojnë kalues në to, bëhet e ditur se nuk kanë më detyrim që të japin provim me zgjedhje. Ata mund të mbartin rezultatin e kësaj lëndë sipas preferencës së tyre”, sqarojnë autoritete e MAS.

RonaTyra

Kushtet për provimet e detyruara që mund të mbarten

Në udhëzuesin e plotësimit të formularit A1Z janë përcaktuar edhe kushtet si do të mbarten rezultatet që maturantët kanë marrë në provimet e detyruara. Kështu gjatë plotësimit të formularit duhet të konfirmoni  me kujdes tre lëndët që janë dhënë si provim i detyruar (gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj gjatë viteve përkatëse). Në rastet kur maturantët janë vlerësuar kalues do të shënojnë notat e marra në to, ndërkohë që nuk kanë më detyrim për të dhënë provim të detyruar në Maturën Shtetërore 2023. Ndërkohë që në rastet kur kanë rezultuar kalues vetëm në një provim, do të duhet të japin dy të tjerët, ose kur kanë rezultuar kalues në dy, do të japin vetëm lëndën përkatëse sipas rregullave të përcaktuara për maturën e vitit të ardhshëm.

Sa i takon provimit të gjuhës së huaj, maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2014 nuk kanë detyrim që të japin këtë provim, gjatë plotësimit të formularit ata duhet të zgjedhin opsionin “nuk kam detyrim”.

Për kandidatët e Maturës Shtetërore të zhvilluar ndërmjet viteve 2014-2021 nuk lejohet që të zgjedhin opsionin “nuk kam detyrim”. Në këtë rast ju duhet të zgjidhni detyrimisht lëndën D3 që do të japin si provim në Maturën 2023, nëse më parë jeni vlerësuar si jokalues, teksa në rastet kur keni marrë vlerësim pozitiv do të bëni vetëm deklarimin e notës së marrë.

Mbartja e notës së lëndës me zgjedhje

Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzimin e plotësimit të këtij formulari, kandidati zgjedh nga lista lëndën me zgjedhje që do të mbartë dhe shënon vitin kur e ka dhënë, si dhe notën e shkallëzuar që ka marrë në të. Nëse lënda me zgjedhje është dhënë disa herë provim, do të lejohet që të mbartet nota e marrë në provimin e vitit më të fundit.

Kandidati që mbart nga maturat 2006-2022 një lëndë me zgjedhje nuk do të jetë më i detyruar që të japë provim gjatë maturës së vitit të ardhshëm. Kandidati që në maturat 2012-2018 ka dhënë dy lëndë si provim me zgjedhje dhe është shpallur kalues në njërin prej tyre mund ta mbartë atë. Ndërsa kandidatët që kanë dhënë në 2012 tre lëndë si provim me zgjedhje dhe janë shpallur kalues në një prej tyre, apo në më shumë, mund ta mbartin atë sipas dëshirës.

Në udhëzim saktësohet më tej se kandidati që ka marrë Dëftesë Pjekurie para vitit 2011 dhe dëshiron të aplikojë për studime në institucionet e arsimit të lartë, por nuk ka mbartur lëndë me zgjedhje nga maturat 2006-2022 nuk janë të detyruar të japin një provim si lëndë me zgjedhje. Përjashtim në këtë rast bëhet vetëm kur është e nevojshme për të plotësuar kriteret e aplikimit për studimet në institucionet e arsimit të lartë.

Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme profesionale duhet të mbartë lëndën e Teorisë Profesionale të Integruar nëse e ka dhënë atë dhe ka rezultuar kalues. Po ashtu, duhet të rijapë këtë lëndë nëse nuk e ka dhënë me parë, ose nëse është vlerësuar jokalues

Afatet e plotësimit të Formularit A1Z nga maturantët e viteve të shkuara:

  • Në datën 12 dhjetor do të aplikojnë në sistem për plotësimin e formularit A1Z maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës.
  • Në datën 13 dhjetor do të aplikojnë në sistem për plotësimin e formularit A1Z maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Fier.
  • Në datën 14 dhjetor do të aplikojnë në sistem për plotësimin e formularit A1Z maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Korçë.
  • Në datën 15 dhjetor do të aplikojnë në sistem për plotësimin e formularit A1Z maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Lezhë.

 

Rregullat për mbartjen e notës së provimit me zgjedhje në Maturën Shtetërore 2023

  • Kandidati është pajisur me diplomë dhe ka dhënë 1 lëndë si provim me zgjedhje në Maturën Shtetërore.
  • Kandidati është pajisur me diplomë dhe ka dhënë 2 lëndë me zgjedhje në vitet e mëparshme. Nga këto dy lëndë që ka dhënë, duhet të zgjedhë njërën prej tyre,që mund të jetë ajo me notën më të lartë, ose lënda që jep më shumë përparësi në degën e universitetit që do të zgjedhë më tej.
  • Kandidati është pajisur me diplomë dhe ka dhënë 3 lëndë me zgjedhje në Maturën 2012. Nga këto tre lëndë që ka dhënë zgjedh njërën prej tyre, që mund të jetë ajo me rezultat më të lart, ose që i jep më shumë shans për të fituar degën e preferuar të universitetit.
  • Kandidati që nuk është pajisur me diplomë sepse ka dhënë dy provime me zgjedhje, por ka mbetur në njërën prej tyre, apo ka dhënë tre provime, por që ka mbetur në një, ose dy prej tyre. Në këto raste ai zgjedh të mbartë lëndën në të cilën ka notën kaluese dhe pret që të pajiset me diplomën e përfundimit të procedurave të Maturës Shtetërore 2023.
  • Kandidati është ish maturant i shkollave profesionale dhe ka dhënë dy apo tri provime me zgjedhje, ku ndër to është edhe njëra teori profesionale, atëherë ai maturant mbart notën e teorisë profesionale, kur ajo është notë kaluese dhe pret që të pajiset me diplomë edhe pse mund të ketë nota jokaluese në lëndët e tjera me zgjedhje që ka dhënë në vitet më parë.
  • Për të gjitha rastet e përmendura më lart, për të mbartur lëndën me zgjedhje, duhet të zgjidhet viti kur e ka dhënë këtë lëndë, duke i përcaktuar edhe notën e përshkallëzuar që ka marrë në të.

 

Matura Shtetërore 2023

Katër janë provimet që do të zhvillojnë maturantët edhe përgjatë Maturës Shtetërore 2023, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila do të përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MAS për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale. Sa i takon provimit me zgjedhje, maturanti duhet të zgjedhë këtë lëndë nga lista e 8 lëndëve të miratuara për nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme, 3 lëndë për shkollat artistike, si dhe 41 lëndë për maturantët e shkollave profesionale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu