REFUGJATËT JANË TË MIRËPRITUR!

0
Gjigandi

Toni Morrison

  • There is no such thing as race.None.There is just human race-scientifically,anthropologically!
  • Nuk ka asgje te quhet racë. Asgje. Ka vetëm raca njerëzore – shkencërisht, antropologjikisht!

Ka tre kategori në Shqipëri që janë kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët. Në dukje, janë kategori të ndryshme që duhet të përfaqësojnë grupmosha dhe interesa politike të ndryshme, por që i bashkon një faktor i përbashkët: racizmi. Kur bisedon, ata sigurisht do të thonë se janë kundër racizmit dhe se kjo marrëveshje është e dëmshme për Shqipërinë, emigrantët, madje edhe për vetë Italinë që e ka kërkuar. Por provoni të zhvishni retorikën e larmishme dhe gjithçka që dallohet në përfundim është frika ndaj tjetrit, frika ndaj të ndryshmit. Më vjen keq ta them, por frika ndaj tjetrit nuk është gjë tjetër veçse racizëm.

Ne, shqiptarët, për historinë tonë, jo vetëm të vonë, por edhe të hershme, nuk mund dhe nuk duhet të tolerojmë asnjë ndjenjë raciste në mesin tonë.Ai është si një kancer që futet si “shpëtim” i shoqërisë dhe më pas përfundon në regjime shumë problematike. Por le të marrim pak kohë për të shpjeguar këtë fenomen të ndarë sic thashë më sipër me grupe.

Grupi i parë janë racistët. Po, mes nesh ka racizëm. Është latent dhe ende nuk është politik, por ekziston. Për fat të keq, në rrjetet sociale dhe si formë slangu, e cila, pavarësisht mungesës së paraqitjes politike, duhet të adresohet tani para se të marrë përmasa problematike. Një pjesë e madhe që përdorin një gjuhë raciste ndaj “bythëzinjve”, sic rëndom dhe pa turp i quajnë, e që ngrenë alarmin që do të na rrëmbejnë tokën, janë edhe shqiptarë të Kosovës. Ata janë injorantë ndaj faktit se janë populli me emigracionin më të dhimbshëm për shkak të okupimit serb, që nuk ka ndaluar as pas luftës si pasojë e keqmenaxhimit. Pjesa më e madhe e folklorit të Kosovës flet për jetën e vështirë në emigracion, edhe pse pakicë absolute shija që mbetet është ajo që te disa njerëz, teoritë raciste të Serbisë janë përthyer pa dashje, duke u bërë nga pësues në sulmues.

Më vjen shumë keq të them se është e vështirë të mendoj se si mund të ketë filiza të racizmit në Shqipëri. Një popull i dhunuar dhe emigrant, si mund të thërrasësh për dhunë ndaj njerëzve që po përjetojnë fatkeqësinë e luftës? Kur vetë je rrahur fizikisht me shkopë gome nga policia greke dhe më pas shpirtërisht, kur të kanë detyruar të ndërrosh emrin dhe identitetin? A nuk do doje që askush të mos trajtohej si shqiptarët kur i mbyllën në stadiumin e Barit dhe i hidhnin bukën si kafshë me helikopter, duke i ruajtur brenda hekurave si gladiatorë të një kohe tjetër?

RonaTyra

Dhe kush u përball me këtë dhunë politike të institucioneve administrative, politike apo fetare në vendet fqinje? Ata, pra, njerëzit, grekët dhe italianët, injoruan veprimet raciste të qeverive të tyre dhe refugjatët shqiptarë i fshehen në shtëpitë e tyre nga policia e ushtria, i ushqyen, i veshën sepse kishin ardhur me rrobat e trupit. Dhe sot, pikërisht për shkak të mungesës së racizmit, qindra mijëra janë në Itali, mbi një milion në Greqi, jetojnë dhe prosperojnë. Si mund një popull i tillë të lërë vend për racizëm? Këto nuk janë histori të disa gjeneratave më parë, por të kësaj që është akoma gjallë.

Unë kam qenë në fillore kur shkolla e muzikës në Durrës, mbushej me njerëz që nuk dihej ku i rrinte shpirti dhe strehoheshin aty meqënëse ishte porti detar pranë e provonin fatin për të gjetur një anije dhe për të ikur nga ky vend që u ishte bërë barrë për shpirtin dhe trupin, ashtu si ata që bombardohen çdo natë dhe u është bërë vendi i tyre i pajetueshëm. Por si mund të jem unë racist kur këtë pamje e kam jetuar dhe jam rritur me ato imazhe dhe histori? Fëmijët e kujt jana ata që ulërasin “kafshë afrikane” në rrjetet sociale?

Edhe nëse qeveria është kundër, ne duhet të jemi pro ndërtimit të një strehe për këta që kanë mbetur në mes të detit ose nuk kanë kushte njerëzore kur mbërrijnë në breg. Por e thashë edhe në fillim, edhe pse një grup që përdor retorikë raciste është më i justifikuar, sepse është i frikësuar dhe i pa informuar. Por në çdo rast, nuk ka asnjë të drejtë për historinë që ky popull përfaqëson të jetë racist, as të drejtë morale, as historike, as ligjore.

Nëse për të parët ka justifikim, për këta të dytët nuk ka rrathë ferri të zi mjaftueshëm për ti mbajtur brenda. Flas për këtë radhë analistësh, ojëfëistësh, demokratësh apo komunistësh që kanë filluar ti nxjerrin këto media tona, të cilat misionin informues dhe edukues e kanë zëvendësuar me ankthin e klikimeve, që prodhojnë një helmim të opinionit të përditshëm dhe të përnatshëm. Disa e bëjnë për interesa, disa të tjerë janë thjesht idiotë, por sigurisht që nuk ndalen nga asgjë për të promovuar asgjënë.

Nuk i shoh, por i pashë këto ditë sepse doja të kuptoja deri ku arrin niveli i vetshkatërrimit. Dhe dua të them që mbeta i mrekulluar. Në një panel kishin ftuar një prift kundër LGBT, një aktivist pro LGBT, një fashist, një liberal dhe një komunist, gjithë kjo nën drejtimin lozonjar të një gazetareje që as nuk i bënte përshtypje fare që frazat që thuheshin aty ishin aq raciste sa mund të konsiderohen vepra penale.

Është e kotë të them që, edhe pse në dukje të ndryshëm, nga majta ekstreme deri te djathta ekstreme ishin kundër emigrantëve, fashisti i urrente, komunisti pak në siklet thoshte po si duam sepse nuk na duan dhe ketu nuk jetohet, liberali thoshte po dhunojnë vendin e Skënderbeut (që erdhi me ushtarë emigrantë për të shpëtuar Memedhënë), por më interesant ishte prifti që alarmonte (ose shpresonte, këtë nuk e kuptova mirë) se do vinin mijëra zezakë të eksituar dhe si do i trajtojmë ?(lajm që nuk është i vërtetë, sepse nuk do vijnë vetëm burra, por burra dhe gra vetëm gratë me barrë do trajtohen në mënyrë më të specializuar në Itali).

Duket gjithcka qesharake por jo, nuk është , janë pikërisht këto argumenta përdorur nga fashistët europian për të persekutuar dhe kolonizuar Afrikën. Lexoni Frantz Fanon “The Wretched of the Earth”dhe do kuptoni që këto kanë qenë frazat kryesisht me sfond seksual (lexoni komentet mbi se si do përdhunojnë gratë si do prishet rraca etj.). Është pikërisht kjo qasje që ka lejuar apartheidin kundër Afrikës dhe vendeve të botës së tretë nga “rraca e bardhë”

Kush do të bëjë të spikaturin në këtë lemi pastaj, përdor argumenta si “marrëveshja është kundër të drejtës ndërkombëtare dhe ata po sillen me zor sepse nuk duan të vijnë në Shqipëri”. Brockulla elitare, e para ata nuk po udhëtojnë në business class dhe po strehohen në hotele me pesë yje, që papritur po merren peng dhe po sillen në Shëngjin. Kjo e “drejtë ndërkombëtare” ka vite që i mbyt në det, prandaj dhe ato OJQ e vërteta kanë blerë anije për t’i shpëtuar gjatë tentativave “te pafajshme” te kësaj “race superiore” qe mos te arrijne bregun, dicka dimë dhe ne nga historia Otrantos.

Dhe sa i përket destinacionit, ai është korridori, mbase ata duan të ikin në Gjermani e Danimarkë, por Italia ishte vendi më i afërt (siç ishte për ne). Pra, është argument i paqëndrueshëm destinacioni sepse janë njerëz që duan t’i shpëtojnë luftës nuk ëndërrojnë te mbahen në kampet e lampedusës. Dhe ashtu siç bëmë me afganët, do bëjmë dhe me këta, ashtu siç po bën Greqia dhe vende të tjera, që nuk po bëjnë burgje, por vende mikpritëse. Dhe nëse ka diçka të majtë, është pikërisht kjo të mirëpresësh atë që është në vështirësi. Po i majti që i japin zë mediat është allasoj, si ky Genc Burimi që jeton si emigrant në Francë dhe lidhet me Skype në televizionin shqiptar dhe deklaron që nëse dikush nga emigrantët do dojë të jetojë në Shqipëri do jetë katastrofë. Skizofrenia kap nivele olimpike.

Më vjen keq që urrejtja ndaj Ramës po e shton një kategori që duhet të ishte pararoja e progresivizmit dhe tolerancës, por po bëhet raciste dhe ksenofobe. Qeveritë ikin, por helmi i obskurantizmit dhe argumentat fashiste mbeten për fat të keq.

Dhe në fund, nuk mund të mungonte “one man show” Sali Berisha, që i mbytur me shtëpi dhe katandi në batakun e korrupsionit, gjeti një fije bari ku mund të kapet. E kush? Ai? Ai është arsyeja kryesore e valës së dytë të emigracionit shqiptar në ’97, më e dhimbshme , se është ikja e njerëzve që kishin shpresuar se me ndryshimin e sistemit ky vend do bëhej. Ata ikën nga bombat dhe plumbat që prodhoi politika e këtij njeriu, ashtu siç po ikin afrikanët nga Salinjtë e tyre.

Edhe pse hipokrizia e këtij njeriu dhe e kësaj partie është monumentale, nuk ia vlen të harxhosh asnjë fjalë më shumë. Është një fatkeqësi që populli i matur e ka dënuar elektoralisht përmes votës dhe politikisht me mungesën e vëmendjes ndaj fatit të tij, tashmë të shkruar si një njeri që në histori do mbahet mend si shkatërrues i vendit të tij, sepse ishte një hajdut ordiner.

Edhe pse dhuna mediatike u mundua të prodhonte histeri me ata dy-tre karakteret e zakonshëm, të plotësuar me një grup te shoqërise civile dembele që mundohet të shkojë nga fryn era dhe ka mbështetur këtë sipërmarrje të turpshme, populli, ai që vlen, ai i heshturi që ka numrat, tregoj dhe një herë që është në lartësinë e historisë. E shpërfilli këtë elitë të vetshpallur duke i injoruar thirrjet e tyre të dëshpëruara për të kapitalizuar politikisht, duke treguar që pavarisht hapësirës publike dhe histerisë së parafabrikuar mbeten një minorance e papërfillshme, por më e rëndësishmja, qe sot populli ynë me këtë reagim emancipues tregoj se ështe më progresist se elitat e tij, duke na bërë krenar, sot nuk fitoj as Italia as Meloni as Rama sot fitoj humanizmi i popullit qe jam krenar ta quaj timin!

 

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu