Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar këtë të diel një takim me demokratët e Kamzës.
Basha ka thënë se janë angazhuar në shumë kauza, të cilat janë vërtetuar në fund. Gjatë fjalës së tij, Basha theksoi se me demikralizimin janë prekur 300 zyrtarë, ndërsa shtoi se janë të angazhuar që të hetojnë edhe më tej aferën e inceneratorëve dhe të vendosin përpara drejtësisë përgjegjësit.
“Detyra numër një është ajo që i kemi vënë vetes që prej ditës së parë. Që prej asaj dite ku një pjesë jo e vogël e shqiptarëve kishin një fije besimi tek Edi Rama. Detyra e parë e çdo demokrati është të bëjë gjithçka që kemi në dorë për ta larguar Edi Ramën dhe bandën e tij një orë e më parë. Dhe për ta bërë këtë, kemi një sërë detyrash përpara të cilat do të kishin qenë të vështira në çdo rast. E në veçanti, do të kishin qenë të vështira duke pasur parasysh që nuk jemi në një gjendje normale, në një vend normal as me standardet e Ballkanit.
Jemi larg standardeve të Kosovës. Edhe sa i takon pluralizmit, edhe sa i takon demokracisë, edhe sa i takon sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, rolit të krimit dhe ndëshkimit të krimit. Na duket Kosova si me qenë një vend i Bashkimit Evropian, krahasuar me standardet ku ja përfunduar Shqipëria me Edi Ramën. Por, përveç kësaj kemi dhe një çështje tjetër e cila ka nisur të zhvillohet në gjirin e familjes tonë. Ka nisur të zhvillohet as për vullnetin tim, as për vullnetin tuaj, as për fajin tim as për fajin tuaj, as për ndikimin tim, as për ndikimin tuaj.
Ju e dini fare mirë që ne si demokratë në çdo betejë që kemi zhvilluar, në çdo arritje që kemi shënuar, kemi kërkuar dhe kemi marrë në masë të madhe mbështetjen e dy partnerëve strategjik pa të cilët ky vend zor do ta kishte të shkëputeshte qoftë dhe formalisht nga zgjedha e diktaturës komuniste dhe këto janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Dhe me anë të këtyre aleatëve dhe këtij standardi, kemi arritur t’i largojmë jo pak por 300 zyrtarë, duke përfshirë deputet të Kuvendit e kryetar bashkish. Dekriminalizimi, e bënim dot pa atë? Faktor të rëndësishëm, partnerë, jo vetëm politikë, por edhe personal të Edi Ramës nga Tom Doshi tek Vangjush Dako.
Shikoni si ka shpërthyer ujërat e zeza të kësaj qeverie. Të gjithë kauzat tona janë vërtetuar. Drejtësia e tyre, është vërtetuar.
Sakrifica juaj për t’i dalë në ballë këtyre kauzave krah për krah njëri-tjetrit, në beteja pafund në këto vite, është vërtetuar. Ku e keni sot yllin në ngjitje Saimir Tahirin? Autorin e kriminalizimit të Policisë së Shtetit, të dhunës barbare të njerëzve të pafajshëm dhe të kanabizmit të Shqipërisë. Ku është? Tek 313-ta. Prit, se është vetëm fillimi. Ky tjetri që e ka mbiemrin Koka, por është bishti. Bishti i çfarë? I aferës më të madhe korruptive jo të Shqipërisë, po të Ballkanit në 30 vite”
, tha Basha.