Qeveria e Kosovës mori sot vendimin të themelohet Këshilli i Ekspertëve për dialogun me Serbinë.
Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj tha se ky organ do të funksionojë në kuadër të Zyrës së kryeministrit dhe se detyrë e anëtarëve të këshillit do të jetë përpilimi i analizave specifike dhe këshillimi i kryeministrit dhe qeverisë për çështjen e dialogut me Serbinë.
“Këshilli do të përgatisë raporte dhe dokumente për pozicionin e Kosovës në dialog”, ishte komenti I tij. Ende nuk dihet emrat e anëtarëve të këtij këshilli.Pas themelimit të Këshillit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pritet të emërojë koordinatorin e qeverisë për dialogun.
Në hapje të mbledhjes së ekzekutivit, Hoti tha se pavarësisht zhvillimeve të fundit, dialogu nuk ka alternativë dhe se Kosova është e gatshme ta rifillojë këtë proces. Ai tha se tema kryesore në dialog duhet të jetë njohja reciproke. Dialogu Kosovë-Serbi u ndërpre në fund të vitit 2018 për shkak të tarifës që kishte vendosur Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.
Barrierat tregtare tashmë janë hequr dhe Bashkimi Evropian është shprehur se planifikon rifillimin e dialogut.Zyrtarët e bllokut synojnë vazhdimin e përpjekjeve për rifillimin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, por në këto plane, nuk e përfshijnë më presidentin, Hashim Thaçi, i cili i ka udhëhequr negociatat me Serbinë në emër të Kosovës për vite me radhë.
Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se pas aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, për krime lufte, ndaj Thaçit, ata nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës, një partner në procesin e dialogut.
Burimi: top-channel.tv