Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të martën se kishte rrëzuar ankimim e ish-prokurorit Bujar Memia ndaj vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e shkarkoi atë për qëndrim pasiv në lirimet e disa të dënuarve për krime të rënda.
Trupa e KPA e përbërë nga Albana Shtylla kryetare, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin e marrë në mënyrë unanime sipas të cilit ankimi i Memisë nuk qëndronte.
“Mospranimin e ankimit të magjistratit Bujar Memia, kundër vendimit nr. 81, datë 31.03.2021, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia””, thuhet në vendimin e KPA.
Gjatë procesit në KPA, ish-prokurori Memia ka deklaruar se do të kallëzojë penalisht kreun e ILD, Artur Metanin, nën dyshimet për shpërdorim detyre në rastin e tij. Ai ka paraqitur më pas kallëzimin penal, por ende nuk dihet nëse prokuroria ka çelur ndonjë hetim penal ndaj Metanit.
Për të njëjtat çështje KPA la në fuqi edhe shkarkimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha. Kjo e fundit edhe u dënua me 2 vjet burg për akuza të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në një çështje rë ngjashme.
Bujar Memia u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 31 mars 2021 me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të qëndrimit të tij pasiv ndaj vendimeve të gjykatës për lirimin me kusht të dënuarve për vepra të rënda penale, Ilir Paja dhe Hekuran Billa. Ky i fundit u ekzekutua pak kohë pas lirimit, më 11 qershor 2020. Memia dhe mbrojtësit e tij tentuan ta rrëzonin vendimin e KLP. Ata e cilësuan vendimin e KLP-së të marrë në cënim të procesit të rregullt ligjor. Po ashtu ata u përpoqën të bllokonin procesin në KPA, duke paraqitur kërkesa për kompetencat e Kolegjit dhe formimin e trupës./BIRN