Partia Socialiste dorëzon në Kuvend një rezolutë që dënon sulmin me armë në veri të Kosovës, ku u sulmua policia dhe për pasojë u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
“Kërkesë për mocion dhe miratim Projekt-Rezolutë “Për dënimin e sulmit të armatosur terrorist në Veri të Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e përpjekjeve për garantimin e sigurisë dhe paqes në vend e në rajon”- thuhet në kërkesën drejtuar Kuvendit.
Në pr/rezolutë kërkohet që Serbia të hapë një hetim transparent për organizuesit e sulmit në Kosovë dhe të dorëzojë kriminelët. Po ashtu, PS kërkon që KFOR-i të shtojë trupat në veri, ndërsa i bën thirrje SHBA-BE dhe aleatëve strategjikë që të ngrenë në nivelin më të lartë alarmin dhe aksionin demokratik për të parandaluar rrezikun që i kanoset sigurisë e paqes në Kosovë, rajon e më gjerë.
“Partnerët të ushtrojnë ndikim për të ballafaquar Serbinë me rolin që ka patur në sulm. SHBA dhe BE të ngrenë alarmin për të parandaluar rrezikun që i kanoset paqes dhe sigurisë së Kosovës.” thuhet ndër të tjera në pr/rezolutë.