Projekti i BE-së për punësimin dhe integrimin e komunitetit rom, Veliaj: “Tirana një histori suksesi, sot ky komunitet jeton me dinjitet”

0
Gjigandi

Tirana është shembull suksesi për integrimin e komunitetit rom dhe atij egjiptian. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj solli shembullin e mirë të kryeqytetit në konferencën “Për më shumë edukim dhe mundësi punësimi për komunitetin Rom dhe Egjiptian në Shqipëri”, ku u prezantua projekti i Bashkimit Europian, në bashkëpunim me Fondacionin ‘Soros’, për integrimin dhe punësimin e romëve në Elbasan, Vlorë dhe Shkodër.

“Jam i lumtur që Bashkia e Tiranës, në këtë rast, nuk është në anën e marrësve, por në anën e dhënësve, pas një eksperience fantastike që patëm në këtë fushë me Bashkimin Europian dhe Fondacionin Soros. Nuk ka asgjë të pamundur! Në Tiranë dikur ishte trend të shisje në rrugë dhe cepa kryqëzimesh. Ndërkohë, sot trendi në Tiranë është që shitet në tregje: kemi dy tregje, tregun te ‘Mihal Duri’, te Pallati me Shigjeta, dhe tregu në Shkozë. Në Tiranë kemi provuar se kultura e dhënies së një shansi, e përqafimit dhe e përfshirjes vlen. E bëmë qytetin më të mirë, i bën komunitetet më dinjitoze. Për të gjithë vëllezërit dhe motrat tona rom dhe egjiptianë, e bën Shqipërinë një vend ku shohim të ardhmen, dhe jo një vend tranzit nga ku duhet të shkojnë në një vend tjetër. Tirana është një histori suksesi, e cila besoj se do të përqafohet si koncept edhe në Elbasan, në Shkodër dhe në Vlorë, me tre super kryetarët e bashkive aty”, tha Veliaj.

Ai vlerësoi projektin dhe të gjitha nismat e tjera të BE-së, të cilat sipas tij, kanë përmirësuar shumë fusha të jetës në vendin tonë. “Ndonjëherë është shumë e rëndësishme të mos bëhemi cinikë. E kuptoj se sporti më i madh në vend është të jesh cinik, dyshues dhe të mendosh se pas çdo fije bari ka gjithmonë një konspiracion. Kjo është një mundësi për tre bashki, që jepet bujarisht, prandaj duhet t’i shohim gjërat për atë që janë. Ky është një vullnet i mirë i Bashkimit Europian, duke sjellë shembullin e Tiranës”, shtoi Veliaj.

Projekti “Inclusive EduJobs” është një nismë 3 vjeçare e drejtuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Qendrën për Veprim Social dhe Inovacion, e financuar nga Bashkimi Europian. Qëllimi kryesor i projektit është të rrisë përfshirjen e burrave dhe grave, vajzave dhe djemve, nga komunitetet Rom dhe Egjiptian në Shqipëri, me fokus punësimin dhe arsimimin e tyre.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu