Presidenti Bajram Begaj ka dekoruar këtë të hënë artisten Rita Ora me titullin ‘Naim Frashëri’ me motivacionin “Në vlerësim të kontributit të dhënë në lartësimin e vlerave artistike dhe njerëzore përmes artit. Me mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale”.
Gjatë ceremonisë, Begaj u shpreh se Ora është shembulli më i mirë, ku talenti dhe dimensioni njerëzor ndërthuren së bashku dhe krijojnë vlera që frymëzojnë botën.
Sakaq shtoi se zëri i fuqishëm i Orës ka mbështetur shumë kauza, duke ndihmuar botën për ta bërë një vend më të mirë.
“Jam i sigurt se ky nderim sot mbart vlerësimin e çdo artdashësi në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë. Janë miliona njerëz që mendojnë se ti je shembulli më i qartë se kur talenti dhe dimensioni njerëzor ndërthuren së bashku, krijojnë vlera të jashtëzakonshme që frymëzojnë globalisht. Më lejo të shpreh konsideratën time për të gjithë përkushtimin tënd për artin dhe kulturën. Njëkohësisht, gjej rastin të inkurajoj që të sjellësh për botën, por edhe për kombin tonë shembullin se si arti, vendos ura komunikimi në të gjitha dimensionet, bashkon njerëzit dhe shëron zemrat.
Dhuntia jote, një zë i mrekullueshëm, së bashku me shumë talente te tjera që mbart, të kanë shndërruar në një njeri që ka rrëmbyer zemrat e miliona artdashësve. Me krenari, të gjithë kemi parë se si zëri yt jo vetëm e ka pasuruar fondin e muzikës botërore, por është një zë i fuqishëm edhe në shumë kauza sociale e kulturore, të cilat ndihmojnë për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë”, tha ai.