Pr.ligji i ri për turizmin/ Kush jep apartament me qira duhet të regjistrohet në QKB. Në të kundërt merr gjobë

0
Gjigandi

Qytetarët që japin apartamente me qira për turizëm (qira afatshkurtër) do të detyrohen që të regjistrohen si subjekte në Qendrën Kombëtare të Biznesit si dhe të pajisen me certifikatën e kategorizimit nga Ministria e Turizmit.

Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj i cili në renditjen e strukturave akomoduese ka shtuar edhe përfshirjen e disa kategorive të reja:

“Apartament” është njësi banimi, e destinuar për të ofruar shërbime akomodimi për turistët, e përbërë minimalisht nga një dhomë ndenje ose kuzhinë, një ose më shumë dhoma gjumi dhe me të paktën një tualet.”

“Bllok apartamentesh” janë dy ose më shumë apartamente të cilat menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik.

“Dhomë” nënkupton një njësi të veçantë të një ndërtese rezidenciale / biznesi ose e një ndërtese banimi, në të cilin ofrohet shërbimi i akomodimit për turistët.

RonaTyra

“Vilë” është një ndërtesë e veçantë me oborr dhe hapësirë kopshti e destinuar për të ofruar shërbime akomodimi për turistët, në zona turistike.

“Hotel Trashëgimi Kulturore” është një strukturë akomoduese e vendosur në objekte të trashëgimisë kulturore, të njohura nga organet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.

“Hotel i shpërndarë” është një strukturë akomoduese, i cili ofron shërbimet e mikpritjes për vizitorët, i përbërë nga shtëpi, apartamente ose dhoma të vendosura në ndërtesa të veçanta, ekzistuese, afër njëra tjetrës, të menaxhuara nga i njëjti sipërmarrës turistik”, thuhet në ligj.

Regjistrimi për kategorizim
Ligji parashikon që çdo sipërmarrës që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese duhet që brenda 30 ditëve nga regjistrimi në QKR të paraqitet tek ministria përgjegjëse për turizmin me kërkesën për pajisjen me certifikatë kategorizimi.

“Certifikata e kategorizimit të strukturës akomoduese është pa afat dhe regjistrohet në Regjistrin Qendror të Turizmit, që administrohet nga ministria përgjegjëse për turizmin.

Çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin te kryejë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat mbi numrin e vizitorëve, netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën.

Çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin të krijojë një ambient të posaçëm e të veçuar për grumbullimin e mbetjeve dhe largimin e tyre sipas rregullave të parashikuara në aktet e nxjerra nga pushteti vendor”, thuhet në draft.

Gjoba kush nuk bindet
Subjektet, të cilat nuk i binden ligjit të ri do të ndëshkohen me gjoba, për të gjitha rastet kur shkelja nuk përbën vepër penale.

Kështu, ata që japin apartamente me qira, por nuk regjistrohen si subjekt në QKB ose nuk pajisen me certifikatën e kategorizimit do të dënohen me 20 deri në 50 mijë lekë kur kanë nga 1 deri në 5 dhoma.

Për ata që kanë 6-15 dhoma gjoba është 100 mijë lekë, ndërsa për ata që kanë mbi 16 dhoma ajo rritet në 200 mijë lekë, ndërsa për më shumë dhoma ajo arrin deri në 400 mijë lekë.

Paralelisht me këto, strukturat akomoduese kanë detyrim të ekspozojnë në vend të dukshëm për publikun emrin e biznesit si dhe listën e çmimeve në gjuhën shqipe dhe atë angleze, në të kundërt do të gjobiten me 50 mijë lekë.

Ato struktura të cilat nuk mbajnë statistikat dhe nuk kryejnë regjistrimin elektronik të klientëve të tyre do të gjobiten deri në 100 mijë lekë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu