Pesë poezi nga Blerta Derhemi

0
Gjigandi

Ky është cikli i dytë me poezi të këtyre muajve të fundit që botohet në gazetën tonë. Me veçantinë që autorja e tyre, Blerta Derhemi është diplomate karriere.

Ajo ka shërbyer për 11 vjet në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, pastaj në Misionin pranë Bashkimit Europian në Bruksel dhe prej një viti është Ministre Këshilltare në Ambasadën tonë në Pragë.

E diplomuar nga Universiteti i Tiranës për shkencat sociale, dy vjet më parë fitoi titullin “Doktore Shkencash“ në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ajo ka lindur në Fier, me prindërit arsimtarë të respektuar; Blerta është bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar e një vajze dhe e një djali. Por, duket se Blerta ka lindur bashkë me poezinë, të cilën nuk nuk e ka ndarë asnjëherë nga jeta dhe vetja, në çdo situatë, sado e ngarkuar dhe e vështirë të ketë qenë.

Përvoja e pasur e jetës në të gjitha dimensionet e lartpërmendura ka ndikuar dhe le gjurmët e veta dhe në poezitë e saj; ato shquhen për aromën origjinale,  katalogun e larmishëm, vërtetësinë, freskinë, thjeshtësinë, frymën, emocionet dhe mbresat e bukura që na dhurojnë.

RonaTyra

– E huaj

Dhe i huaj,
Ku të të mih pak?
Ku t’a mbjell zemrën,
thërmuar në farëza të mpita?
Zemër-mbjellë udhëve të botës,
shpojnë si eshta,
filiza të mbrapshtë mendimi!
A bulëzojnë sythe zemrat fjetur,
dimrave të një toke të huaj?

8.05.2023

– Mesazh

Një mjelmë e arratisur klith,
një mesazh mbërrin,
nga ana tjetër e globit!
Është maj,
maji i luleve,
Duart tona nuk mbledhin më trëndafilë,
shkruajnë mesazhe malli,
dashurie,
vetmie.
Shtëpitë e fëmijërisë,
si shtëpi kukullash heshtin,
braktisur nga ne fëmijët e rritur.
Ka vite, ikën dhe gjyshet që u çelnin dritaret.
Ne ëndërrimtaret e mëdha,
luajmë kukafshehtas skajeve të botës.
Në kërkim të ëndrrave,
përplasemi me të vërtetat e jetës.

Mesazhet tona frymojnë,
Fjalët pikojnë, aromë lule kumbullash,
Janë pranverërat,
pritur e përcjellë bashkë,
Vltava hesht,
një tufë mjelmash lëbyrin sytë,
dritës së mëngjesit.

Ngrah duart, shkruaj mesazhin e radhës,
ti pret të më ndjesh në anën tjetër të botës,
Mikja ime e fëmijërisë.

24.05.2023

– Nëna është Kryqi

Nëna është kryqi,

Mbi kraharorin e saj shuhen dhimbjet,

rilinden shpresat,

Thinjat kurorë,

thurin mundimet e viteve,

sytë qeshin Sizif i palodhur,

Nëna, udhënisja, e vërteta, jeta.

Është kaltërsi nëna,

kryq përqafimi qiell-det

Nëna horizont,

kryqi ku shuhet mbrëmjeve dielli,

ku rilind i purpurt mengjeseve.

Nëna, kryqi i ditë-netëve,

kryqi i stinëve të moshës,

kryqi i ëndrrës e zhgjëndrrës

Peshë e ëmbël,

emërues i përbashkët,

kryqi nënë.

21.08.2023

– Gjuha e lutjeve

Kumbon në tempullin bosh të kraharorit, këmbana!

Unë, mendje, trup, shpirt e zemër,

falem, lutem katedraleve të botës.

Zot, a mi kupton lutjet?

Drithërojnë vështrimin ikonat,

Lutjet e mia njohin vetëm një gjuhë,

gjuhën e shenjtë, të tokës sime!

22.08.2023

– Kungimi

Ajo, kungon mendimin,

kreshmuar nga kujtimet.

Rrufit verë,

Shtrydh, parfum fletë borziloku,

Si temjani djajtë, largon mendimet shterpë,

Degë kumbullash të thata,

zgjojnë ëndrra rinie,

Përtypen kujtimet murgj,

Të mpirë në manastirin zemër,

nuk mbarsën kurrë dëshirime.

Ajo,

fle me shandanin e shpresës ndezur,

Si feniks pret të rilindë në një vorbull vere.

Sa pasione zgjohen, tundohen,

flenë,

shuhen me etjen e trendafiltë!

Ajo magjinë e çastit,

kungon në një pikëz vere,

vesuar mbi petale borziloku.

27.08.2023

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu