Burime të ndryshme mediatike raportojnë se implikimi i ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, në koncesionin 100 milionë dollarë të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ka sjellë një përplasje juridike mes dy prokurorëve të çështjes dhe kreut të SPAK, Altin Dumani.
Përplasja ka ardhur si pasojë e “qëndrimit të butë dhe të kursyer”, për sa i përket veprimeve hetimore të dy prokurorëve Kondili dhe Nakuçi, në përcaktimin e përgjegjësisë penale të Ilir Beqajt në këtë dosje – thonë raportimet.
“…me aq hapësira që më lejon ligji, unë si drejtues institucioni kam dhënë mendimin tim ligjor mbi orientimin e hetimeve për nxjerrjen e përgjegjësisë penale të Ilir Beqaj…”, deklaroi Dumani gjatë një takimi me gazetarët.
Në të njëjtën linjë me Altin Dumanin, ka dalë dhe gjyqtari i GJKKO-së, Erion Bani. Gjatë vlerësimit të kërkesës për caktimin e masave të sigurisë ndaj 8 personave, gjyqtari Bani ka argumentuar se që nga procedura e hapjes dhe deri tek mbyllja e praktikës për shpalljen e fituesit të koncesionit të sterilizimit, dallohet qartë pjesëmarrja aktive e ish-ministrit Beqaj.
I pyetur nëse këto raportime në media janë të sakta një burim nga SPAK tha për gazetën DITA se opinionerët e ndryshme mbi dosjet hetimore janë të pranishme por ai “nuk ka dijeni për përplasje”.
Në muajin qershor 2023, gjyqtari Bani urdhëroi arrestimin e pronarit të kompanisë koncesionare “Sani Service”, Ilir Rrapaj dhe ish-zv/ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj. Ndërsa vendosi arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje për personat e tjerë Arben Gjata, Pertef Mersini, Genc Burazeri, Naile Ajazi, Saimir Kadiu drejtor ekonomik, dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në ministri.
p.c. /dita