Përgatitjet për Samitin e Berlinit; Veliaj: Tirana, epiqendra e aktiviteteve më të rëndësishme që ndodhin në Ballkan

0
Gjigandi

Në Tiranë, nesër pritet të mbahet takimi i nivelit të lartë i Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit perëndimor. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë për News 24, foli për përgatitjet e fundit që po bëhen në kryeqytet.

“Gjithë skuadra jonë e Bashkisë së Tiranës kemi qenë në gatishmëri gjithë javën, duke qenë se vijnë një pafundësi delegacionesh të cilat kanë masat e sigurisë, që kanë zënë pjesën më të madhe të hoteleve të qytetit dhe ka qenë një verë në Tiranë që nuk mbaron. Jemi në tetor, por është akoma vera me fluksin e turistëve, me ndeshjet e futbollit, me vitin e sportit. Nëse më përpara punohej një vit për një aktivitet, tani duhet punuar një ditë për një aktivitet se të nesërmen fillon diçka tjetër. Sigurisht që insistimi i kryeministrit për ta bërë Tiranën epiqendrën më europiane jashtë Bashkimit Europian, siç ndodhi me Samitin e Bashkimit Europian në dhjetor ku i patëm të gjithë në Tiranë, është shpërblyer”, tha Veliaj.

Më tej ai tha se ky Samit do jetë një tjetër kartolinë e bukur për Tiranën dhe Shqipërinë. Ai u bëri kërkesë qytetarëve që nesër të shmangin sa më shumë përdorimin e makinave, për të shmangur bllokimin.

“Tirana është sërish kryeqyteti politik i Europës, ku për herë të parë Procesi i Berlinit ndodh jashtë. Sigurisht që ne si Bashki nuk kemi rolin e politikës globale, ne kemi politikën tonë lokale kështu që duam që qyteti të jetë i pastër, të jetë i ndriçuar për qindra gazetarë të huaj që kanë ardhur në Tiranë, përveç shoqërimit të ekipeve politike, do të jetë edhe një mundësi për të parë një kartolinë të Shqipërisë. Kështu që të gjitha përpjekjet i kemi bërë për të pasur një përvojë sa më të këndshme për të gjithë ato delegacione. Ndërkohë do më duhet që të kërkoj ndihmën e qytetatrëve . Nesër është dita ideale për të shkuar në punë pa makinë sepse pjesa më e madhe e Tiranës qendrore do të jetë e zënë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se Tirana po jeton në ditët e saj më të mira dhe faktet flasin vetë.

“Këtë vit jemi Qyteti Europian i Sportit, vitin e kaluar ishim Kryeqyteti Europian i Rinisë, vitin që vjen jemi finalistë për të qenë Qyteti Mesdhetar i Kulturës, unë besoj që nëse vazhdojmë me këtë frymë dhe kthejmë gjithmonë Tiranën në epiqendër të këtyre aktiviteteve, krejt papritur sot konsiderohemi i vetmi vend stabël, i vetmi vend pa konflikt me fqinjët, i vetmi vend ku qeveria dhe bashkia nuk kacafyten me njëri – tjetrin për arsye politike, por përkundrazi kanë një sinergji të jashtëzakonshme. Kështu që sot po jetojmë ditët tona më të mira. Sot jemi në një Tiranë ku prona s’ka vlejtur kurrë kaq shumë sa vlen sot. Sot kemi një Tiranë që është më e pastër se kurrë dhe mjafton të pyesësh ata turistë që janë përsëritës dhe kanë ardhur këtu dhe përpara 8-9 viteve. Sot kemi një Tiranë, e cila si reputacion dhe mënyra sesi flitet, është në ditët dhe reputacionin e vet më të mirë. Ndaj dhe çdo aktivitet, nuk ka rëndësi nëse është Samiti, nëse është maratona, nëse është një ndeshje futbolli, unë besoj që të gjitha sjellin vlerë në një qytet që është kthyer sot epiqendra e çdo gjëje të rëndësishme që ndodh në këtë anijen tonë që quhet Ballkani Perëndimor”, u shpreh Veliaj.

 

RonaTyra

p.c. / ABC24.AL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu