Historia do t’ju gjykojë

0
Gjigandi

Nga Leart Kola

Botuar në DITA

NË FILLIM, LAJMI I KEQ, MË PAS LAJMI I MIRË QË TINGËLLON DHE MË KEQ

Vuçiçi është në panik. Në fakt, gjithë politika serbe është në panik. Kjo duket qartë me rastin e Milan Radojcic, ku të hënën e shpallin hero, të martën e arrestojnë dhe të mërkurën e liruan me procedura.

Walter Benjamin thotë për Gjermaninë e fillim viteve 30: “Një popull histerik mund të prodhojë vetëm një udhëheqës histerik në procesin e tyre vetshkatërrues.” Dhe kjo është ajo që po ndodh me Serbinë sot. Ndryshimi është që Serbia sot nuk i ngjan Gjermanisë së vitit 1933, por asajtë vitit 1945!

RonaTyra

Që nga sulmi terrorist në Banjskë dhe deri më tani (sepse ngjarjet po ndryshojnë me orë, jo me ditë), kemi kuptuar disa gjëra përtej çdo dyshimi. E para, dhe më e rëndësishmja, është se Beogradi po humbet relevancën te qytetarët serbë normalë në veri. Lënia vetëm e këtyre 30 ose 40 kaçakëve të armatosur, dhe pse ata tentuan të zgjidhnin një manastir për t’u fshehur, në mënyrë që të apelojnë tek aspekti fetar i ndërgjegjes së banorëve, nuk funksionoi. Ata morën malet në panik duke lënë pas tyre si mercenarë, shokët ferrave.

Në fakt, kjo u pa edhe para aktit terrorist, sidomos në protestat që u zhvilluan në komunat serbe pas zgjedhjeve, të organizuara nga qeveria e Kosovës. Turma ishte agresive, por e vogël në numër, kryesisht e përbërë nga gangsterë lokalë që ishin në listën e pagesës së Milan Radojcic, i akuzuar kryesor për aktin terrorist. Ai, në fakt, është kryetar de facto i listës së Serbisë, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, i përfolur shpesh herë në media për përfshirje në trafiqe të paligjshme dhe përfitim të parave publike përmes kompanive që operojnë në zonë.

Edhe pse mund të imagjinohet presioni psikologjik, që këta gangsterë kanë ushtruar mbi qytetarët, ata nuk dolën as në protesta, as në mbrojtje të kacakëve. Ky është një lajm shumë i mirë dhe një terren, që duhet shfrytëzuar maksimalisht nga qeveria e Kosovës në negociata.

E dyta, ashtu si në çdo profeci vetëpërmbushëse, nëse përdor gjithë kohën një gënjeshtër për të marrë vota, “Kosova është Serbi”, përfundon që ajo gënjeshtër që të jepte vota të bëhet dhe varri yt politik. Vuçiçi po vazhdon një teatër pa e kuptuar se perdja ka rënë.

Nëse këto manovra disa vjet më parë do të kishin efekt, tani duken totalisht qesharake. Ashtu sic asnjë në botë nuk e besoj që akti terrorist në veri nuk ishte punë e mbështetur nga qeveria serbe. Po ashtu askush nuk e besoj këtë arrestimin e Milanit, prandaj dhe e liruan sot.

Se Vuçiçi nuk mund t’i shpjegojë popullit të tij se Milani është batakçi, sepse i mori votat me Milanin hero. Kështu që histeria popullore që kjo politikë populiste ka prodhuar do ta shtyjë drejt gremines këtë klasë politike në Serbi. Kjo duket e pashmangshme. Problemi është se largimi i Vuçiçit nuk do të përmirësojë Serbinë. Përkundrazi, për ta bërë atë duhet kthjelltësia e ndërkombëtarëve që nuk po duket askund. Në fakt, mësimi i tretë që morëm nga kjo javë është se në këtë tragjedi tërë përmbajtja është apatia e Lajçakut, Borrell dhe Eskobarit.

Fakti që bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe duan ta kapin bisedën aty ku e lanë është pak të thuash patetike. Jam i sigurt që BE dhe SHBA mund të bëjnë më mirë, si në nivelin strategjik ashtu edhe në atë të burimeve njerëzore. Këta të tre tani kanë humbur çdo lloj rëndësie në këtë bisedë. Mjafton të shohësh se si dështimi i Serbisë lexohet dhe si dështimi i ndermjetësuesve për të kuptuar sa të paanshem ishin ata.

Serbia sot është në tërheqje në panik, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë diplomatik. Ishte një javë katastrofike për ta, si lokalisht ashtu dhe ndërkombëtarisht. I vetmi avantazh që kanë, janë politikanët shqiptarë.

Pse e them këtë? Po sepse është “ashiqare” kur thonë në Kosovë. Në ditën më të mirë tonën jemi më keq se kurrë, liderët tanë janë të përçarë, kanë zero komunikim me njëri-tjetrin dhe nuk kanë asnjë strategji. Janë, siç do të thoshte poeti, siç i do hasmi.”

Autori është i çoroditur dhe i pafuqishëm tashmë për tu merzitur me këta politikanë që e kanë egon më të madhe se territori i vendeve që përfaqësojnë, që për politikën e ditës janë gati të sakrifikojnë misionin e tyre që duhet të ishte mirëqenia e përbashkët.

Dhe kur ndodh kjo? Në ditën kur Rama udhëheq Këshillin e Sigurisë dhe shefi i OSBE është Bujar Osmani, një shqiptar që udhëheq Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë së Veriut, me të cilët qeveria e Kosovës, ose më saktë VV, jo vetëm që nuk ka asnjë komunikim, por është në mes të një fushate epike për t’i shpallur të gjithë këta si tradhtarë dhe të shitur, pikërisht ajo që nuk duhet në këto momente kur na duhen aleat jashtë, ne nuk bëjmë dot aleanca mes nesh, e jo vetëm nuk bëjmë aleanca, por kemi vite që mundohemi të shkaterrojmë stofin sociale që na bënte në mënyrë romantike bashkë.

VV vjen dhe konkurron në Shqipëri (duke marrë një rezultat patetik, por duke lënë një carje të madhe mes vendeve pas), sikur mos mjaftonte kjo që bëri në Shqipëri, ikën bën mitingje elektorale kundër BDI në Maqedoninë e Veriut, me ca tipa që kanë një parti fetare, e cila është në koalicion me një Vucic të vogël maqedonas. Për t’u hakmarrë ndaj VV, PS dhe BDI shkojnë në Kosovë dhe bëjnë ture politike kundër Albinit te fabrika dyshekëve e Devollëve (po të shohësh lajmet, papritur opozita më serioze kundër Albinit është fabrika e dyshekëve e Devollit).

Po të mos ishte për të qarë, sepse situata është shumë delikate, do ishim duke u shkulur së qeshuri, por për fat të keq, realiteti është ky… carmatosës, për të përdorur një term ushtarak, meqë jemi futur të gjithë në vibe të një lufte imagjinare treshe ku Serbia lufton kundër “botës” e ne kundër Serbisë dhe pastaj “botës”.

Luftë nuk do të ketë, sepse s’ka se si, s’ka kush të luftojë me kë dhe nëse ka incidente, historia na ka treguar që ne shqiptarët betejat nuk i humbin në fushë, por në tavolina. Ne copat e atdheut nuk i kemi lënë në luftë i kemi lënë në negociata, dhe sot kemi një avantazh të jashtëzakonshëm, që jo vetëm nuk po e shfrytëzojmë, por po bëjmë të pamundurën për ta humbur.

Ne nuk na duhet një konferencë paqeje globale, kemi nevojë që ne si shqiptarë të flasim me një gjuhë për çështjen e Kosovës. Është imperative që kjo të ndodhë, është absurde që politikanët tanë drejtojnë vende kaq irrelevante në skenën globale politiko-ekonomike dhe kanë një ego sikur po drejtojnë Kinën, Indinë ose Amerikën. Deri dje ishit thjesht qesharakë, sot jeni të dëmshëm, kështu që lejini këto histori marketingu se kush është tradhtar dhe kush patriot, sepse koha që po jetojmë nuk ka nevojë për këtë.

Rrituni në nivelin e kërkeses së kohës që rastësisht ju përzgjodhi ju në këtë moment për të marrë një vendim, sepse HISTORIA DO T’JU GJYKOJË!

—-

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu