Diskutimet e sotme të pesëshes perëndimore në Prishtinë kanë prodhuar vetëm një gjysmë lajmi: qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë u ofrohet një plan i ri. Gjysmë lajmi për shkak se plani ende nuk është publik për atë se çfarë përmbajnë e që me siguri do të publikohet pjesërisht nga mediat serbe që janë kalibruese të propagandës së Presidentit Vuçiç.
“Përtej këtij aspekti në nivel taktik asgjë nuk ka ndryshuar: problemet janë po aty dhe ato kanë emrin Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak. Ky i fundit ka përsëritur tezën serbe se vetëm asocacioni çon në normalizim mes Serbisë dhe Kosovës. Kurti ka një përgjegjësi për të bërë progres në normalizimin e relacioneve nëse Kosova do të bëjë progres drejt BE-së. Tani ne duhet të theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit pa ndonjë vonesë. Pa këtë, nuk do të ketë progres të Kosovës në rrugën europiane” – citohet ai.
Pak ditë më parë ishte presidenti francez Macron që shkaktoi zhurmë me komentet e tij për penalizimin e Kosovës me vizat, për të sqaruar më vonë se kishte qenë një keqkuptim përkthimi. E vërteta është se në të dyja rastet ultimatumet nuk duhen konsideruar në vlerë absolute. Për shkak se vetë Europa nuk ka një qëndrim të unifikuar mbi çështjen në fjalë. Paralajmërimet e Lajçak nuk kanë asnjë kuptim dhe vlerë kur Parlamenti Europian dënoi me rezolutë Serbinë për ngjarjet e Banjskës. Dhe për rrjedhojë normoi nevojën e sigurimeve të reja nga Beogradi në raport me Kosovën. Kjo e fundit ka gjithë të drejtën dhe tanimë edhe bazën për të kërkuar kushte të reja për të vijuar me negociatat mes të cilave edhe një deklaratë sigurimi nga Serbia se nuk do të ndërmarrë më sulme të ngjashme ndaj Kosovës.
Është minimumi për rivendosjen e besimit për të vijuar me bisedimet më tej. Siguria nuk është pretendim diversiv por parakusht për një interlokutor të besueshëm tani që Serbia strehon dhe mbron një kriminel që ka marrë përgjegjësinë për 24 shtatorin. Në finale një njeri si Lajçak e di shumë mirë se një palë kur hyn në diskutime të tilla e ka jetike prioritizimin e arsyes shtetëtore, ndaj çdo manovër e palëve të treta nuk mund të çorientojë dot. Serbia humbi durimin, nuk vlerësoi si duhet forcat dhe dëmtoi procesin e madje klimën e paqes në Ballkan. Kaq e kupton edhe një kërriç Sllovakie e jo më Lajçak që mishëron sot Shvejkun.
p.c. / ABC24.AL