PËR DANTEN!

0
Gjigandi

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

E mbaj mend fare mirë kur për herë të parë kam dëgjuar tercinat e Dantes. Shumë gjëra mund të harroj në kalimin e viteve, por kjo ka mbetur në memorien time, së bashku me një natë të vetëtimtë, krejt të pazakontë, një natë e mbushur me mungesën e shumëçkaje, dhe në të cilën, kanatat e drunjta të dritareve, të pambyllura mirë, përplaseshin rrëmujshëm si në një tragjedi të vjetër antike.

Një natë që dukej e pambarimtë, pa të nesërme, që dukej sikur kishte abdikuar nga drita.

Në kopshtin prapa shtëpisë, ku vetëtimat dukej se përplaseshin me njëra tjetrën, ujërat e shirave kishin rrëzuar gjethet e pemëve dhe nuk e di pse se ishte njëra nga netët që mund të sillnin fundin e botës. Shpirtrat e ujërave dukej sikur endeshin mbi atë pikëllim fundvjeshte dhe dita dukej sikur nuk do të kthehej më.

RonaTyra

Në Shtëpinë e Madhe era përplasej në dritaret e mëdha të çardakut, po ashtu i stërmadh, krijonte vërshëllimën e saj, herë – herë magjepse dhe herë të tjera kërcënuese, dhe ndërrimi i beftë i pamjeve, nën dritësim vetëtimash, bënte që gjithçka të dukej fantazmagorike.

Në dhomën e vogël, në krye të shkallëve, që ishte vendi im më i dashur për një mijë e një arsye, ende mbi tavolinë qëndronin disa nga revistat e vjetra, të cilat kur hapeshin zbulonin një magji të pa deshifruar, të cilën më kot mundohesha ta zmbrapsja. Ishte si një tundim i pazakontë, një botë që nuk e njihja dhe të cilën, sado që mundoheshin të ma afronte ajo që më rrethonte, shtëpia e madhe, oborri i trëndafiltë, blirët e mëdhenj, shkallët e gjëra, e folura e qetë dhe përdorimi i fjalëve të ndaluara, si zotni, beg, zonjë, bejlereshat, hyzmeqarët, librat e ndaluar, përsëri nuk mund të zinte atë vend të veçantë që kishin fletët e zverdhura të revistave të vjetra të bibliotekës së madhe të familjes, ruajtur me kujdes nga një dorë mjeshtri.

Pikërisht në këtë natë unë lexova për herë të parë Danten, tercinat e tij për Ferrin, dhe e gjithë ajo që po ndodhte jashtë ishte dekori më i mundimshëm për të bërë gjithçka edhe më të zymtë, edhe më mizore, të errtë dhe njëkohësisht ndjellëse.

Isha tepër i ri për ta përballuar Danten. E po ashtu, tepër i ri për të menduar për pas jetën, koncepti im për të nuk më thoshte asgjë, megjithëse aty kishte shkuar  im atë, pak vite më parë dhe nuk kishte pasur kthim.  Dante kishte ardhur tek unë në një natë të habitshme, ndoshta vështirë të përsëritshme, por ajo kishte qenë më e duhura, e papërsëritshme në llojin e saj kishte hapur siparin e një bote tjetër, krejt ndryshe, e zymtë, mizore, e megjithatë ndriçuese, si është vdekja.

Me Danten jam takuar shpesh në vitet e mëvonshme. I jam afruar atij gjithnjë me droje, duke pasur në vete kujtimin e natës sonë të njohjes, pellgjet e ujit ku binin vetëtimat dhe gjethet e vjeshtës krijonin ngjyrësinë e pazakontë nën atë dritë të çmendur.

Duke iu afruar kështu, fillova ta doja. Ai nuk më ishte më i panjohuri i madh, njeriu që ,pasi kishte shëtitur Ferrin, Purgatorin e Parajsën, ishte kthyer për të vdekur në një mesore që nuk kishte qenë e artë: larg Firencës së tij, e cila e kishte zbuar mizorisht dhe nuk e kishte falur, veç disa qindra vite pas vdekjes së tij.

Kishte qenë një mëri homerike mes poetit dhe vendlindjes dhe bëhej edhe më e mistershme pasi askush nuk e dinte shkakun e kësaj mërie. Do të mbetej deri në fund një enigmë e madhe, mbështjellë me heshtje, por që, edhe pse ashtu, e fisnikëronte poetin.

Danten nuk mund ta njohësh si duhet në një çast të jetës tënde kur je i lumtur. Është e pamundur. Dante dhe Lumturia janë të ndryshëm e herë herë, të kundërt. Tercinat e tij nuk sjellin lumturinë e shijes së jetës, por , duhet pranuar, sjellin muzikën e rëndë të saj, diçka që më vonë do e gjejmë tek operat e Verdit, e përtej tij, tek Wagneri.

Dante nuk ishte një njeri i lumtur. Kishte humbur gjithçka, vendlindjen, dashurinë e tij, Beatriçen, vdekja e së cilës e dërgon në Parajsë, kishte humbur miqtë e tij, me të cilët mund të sillej rrugëve të Firencës së bukur, nuk kishte një vatër të tij, ku mund të ndizte lirisht zjarrin në vatër, nuk kishte familje, dhe në fund, ishte i pa lirë në lirinë e tij. Ai e thërret mjerimin kur kujton se nuk ka gjë më të vështirë se sa të ngjitesh çdo ditë nëpër shkallët e shtëpisë së tjetërkujt, çka, edhe pse nuk e thotë, është e vështirë të jesh i lumtur kur çdo ditë ulesh në një sofër që nuk të takon.

E pabesueshme është, por ndjehet lehtësisht se Dante, ashtu i përkulur ndaj mizorisë së fatit, më shumë ka mall dhe etje për Ferrin se sa për dy pjesët e tjera të Nënbotës që ka krijuar. Do të ketë qenë pikërisht kjo nënvetëdije e dashurisë së Poetit që ka tërhequr përkthyesit e mëdhenj në të gjithë botën, të cilët, jo vetëm në gjuhën shqipe, më parë se të përkthenin pjesët e tjera, i janë vërsulur pikërisht Ferrit, atij ku njerëzit vuajnë në zgafellet e zjarrta, ku gjuhët e flakëve përpijnë gjithçka dhe vuajtja do të jetë e përjetshme, pra në nj botë që nuk ka mbarim. E çuditshme, por aty ai është më afër gjendjes së tij, është më shumë vetvetja, uni i tij kapërthehet mes ndjenjës dhe sublimes dhe e di se, nëse do të kishte zgjedhur , ai do të ishte larguar me dhimbje nga Ferri.

Me një eksitim poetik dhe dridhje shqisash ai e përshkruan Ferrin në çdo dhimbje të tij, drithërohet nga gjithçka q sheh e ndjen, aty vendos të gjitha forcat jetësore të shpirtit, ndjen dëshirën për të qenë edhe ai vetë aty; ai e kërkon këtë gjendje, vuajtja kthehet në mëshirë, esenca misterioze e Ferrit bëhet papritmas një ndjesi, mëkatet nuk janë më të tilla, brenda kraterit të gjoksit poetik është revolta dhe pafuqia në të njëjtën kohë; flaka që e përshkon Ferrin është edhe brenda gjoksit të tij, aty gjendet e panjohura e madhe ,por edhe fillimi i botës, sepse, ndryshe nga sa mendohet, ka qenë pikërisht Ferri që e ka lëvizur bota, shumë më pak Purgatori, e aspak Parajsa.

Atëherë si mund të jetë i lumtur një njeri i tillë dhe si mund ta përcjellë lumturinë një i palumtur, i cili, që nga mëngjesi deri në darkë vajton fshehtas atë që ka humbur, dashurinë, vendlindjen, shtëpinë, lirinë.

I shoqëruar nga një poet i madh, më i madhi i deri asaj kohe i botës latine, Virgjili, ai nuk zbret në ferr për të dënuar mëkatarët, por të afruar mëshirën, dhembshurinë dhe mirëkuptimin e tij. Ai nuk hedh karvanë me dru në zjarrin ku digjen ata, por afron vetveten, ai nuk dënon, mëshiron; ai nuk largohet, në të kundërtën afrohet; ai nuk njeh hasëm, por si vëllezër; nuk ndjell mëri, por afërsi. Është poeti më i kuptueshëm ndaj së keqes, megjithëse e përshkruan atë më gjerë, më rreptë dhe më poetikisht e askush tjetër.

Është thënë shpesh herë se në “Komedinë Hyjnore” poeti, vetë Dante është simbol i Njeriut, se Beatriçe simbol i besimit dhe Virgjili, simbol i arsyes.

Në fakt, gjithnjë duke e kujtuar njohes time të parë me Danten, ai është më tepër simboli i Palumturisë, Beatriçe ,simbol i Parajsës së humbur, e cila i shuan dashuritë e mëdha dhe ndërton veç hijet e tyre, dhe Virgjili , simboli i Dëshmisë.

Dante Aligieri , njeriu që gjendet para malit të përmbysur të Ferrit, e di fare mirë se pas jeta nuk do të jetë ashtu si e përshkruan, pra nuk do të jetë as aq e llahtarshme, nuk do të kalojë as përmes brezareve të Purgatorit dhe, aq më pak nëpër tërthoren e qiellit të parajsës.

Megjithëse njerëzit, kur ai kalonte rrugëve, thoshin se ai kishte qenë në Had dhe ishte rikthyer, ai vetë nuk mund të ishte Njeriu që kishte në duar çelësat e këtij Hadi të trefishtë, megjithëse ai vetë e kishte ndërtuar.

Dëshira e Njeriut për të ditur për pasjetën nuk ka lindur me danten; është shumë më e hershme, por poeti është skalitësi, arkitekti i saj. Nëse Odise zbret dhe takon shokët e tij, si e përshkruan Homeri, ai nuk e ka këtë pamje tri dimensioneve; nëse Egjiptianët e vjetër kishin legjendat e tyre, ku edhe shkëmbenin dhurata me Perënditë pagane të Pasjetës, Dante ndërton nga hiçi një botë të Hiçit, për të ndriçuar shpirtin.

Dhe, ai që ka nevojë pikërisht për ndriçimin e Shpirtit është përgjithësisht një njeri i palumtur. Është Palumturia.

Ai e gjen veten të lumtur vetëm nëntokë, ku takon disa nga idhujt e tij të mëdhenj, hijet e Antikitetit klasik dhe do të bisedojë me to në tercinat italiane, duke bërë kështu një art unik, krijimin e gjuhës së bekuar të këtij vendi që është lëkundur në rrjedhën e historisë përmes tri fazave danteske, ferrit, Purgatorit dhe Parajsës. Dhe, jo rastësisht, kur kanë qenë në këtë të fundit, janë mundur.

Megjithëse gjithçka është ireale , aq ireale sa është e panjohura, përsëri është e besueshme. Danten njerëzit e kanë besuar përmes artit të tij dhe jo vetëm kaq, por edhe përmes vuajtjes së tij. Bashkëbisedimin e tij me poetët e mëdhenj njerëzit e marrin të mirëqenë, besojnë se ashtu ka ndodhur, ata bëhen pjesë e këtij bashkëbisedimi pikërisht duke e kuptuar si të mirëqenë, e ndjejnë se mes poetit dhe staturave të mëdha të Antikitetit klasik është krijuar tashmë një lidhje, ata vuajnë së bashku, pavarësisht se disa do të jenë në jetë të përtej jetëve në malin e përmbysur të Ferrit dhe ai, dante është një vizitor i përkohshëm. Ata janë bashkë vuajtës. Por, të besueshëm. Ka diçka tragjike në këtë bashkëbisedim, gjithçka është e zymtë, por një zymti ndriçuese, e për skajshme, si ato raste kur besojmë se takojmë përjetësinë.

Heronjtë që ai takon janë vullkanikë, secili prej tyre fsheh në veten e tij nj uragan, ata , në të shumtën janë paganë, sepse kanë jetuar në një kohë parakrishtërore, por në vetvete secili është në perëndi klasike, e pashpallur, por më e vërtetë se ata që rrinë e sillen rreth e rrotull fronit të Zeusit. Dante i ka lakmi ato, por nuk i xhelozon. Ata janë në ferr, por fryma e tyre mbitokësore ende frymon dhe krijon rrjedhje të tjera të mahnitshme. Nëse Eskili do të thoshte se të gjitha tragjeditë e tyre janë thërrime nga sofra e madhe e Homerit, krijimet e Antikitetit klasik do të bëhen sofra tjetër e madhe e njerëzimit dhe Dante kërkon të jetë pjesë e kësaj sofre. Tek Dante gjithçka ikën në pambarim, vetëm lavdia e këtyre njerëzve sa vjen e afrohet. Ai e di se bota e tij, bota e së ardhmes, do të ishte e mangët pa këto njerëz dhe se vetë ai do të ndjehej i dobët dhe udhëtimi i tij i pavlerë nëse nuk do të ishte takuar me këto njerëz që skalitën të djeshmen, për ndërtimin e së ardhmes.

Në fund të fundit, megjithëse ai ka një dashuri të madhe, më shumë ndjen mall e përdëllim për këto takime e bashkëbisedime të gjata, se sa për ecjen e Beatriçes, me të cilën nuk është takuar kurrë, nuk ka folur kurrë, nuk i ka thënë kurrë se e dashuron marrëzisht, e kjo do të thotë se nuk e di mallin e takimit, e shtrëngimit të dorës, e fjalës së mallit, e muzgut të dashurisë.

Betariçe ngel në memorien e botës nga Dante, pa të ajo do të ishte një emër i humbur; ndërsa këto Ferr-akë të Mëdhenj, do të ishin të tillë edhe pa bashkëbisedimet me Danten. Ata e pranojnë si të tyrin, si një vëlla i mirëseardhur dhe kjo është e mjaftueshme për të gjithë.

Kur ikën prej tyre, megjithëse qielli i nëntokës fillon e zbardhet, ai ndjen dhimbjen e Poetit dhe të Njeriut që nuk mund të ishte i lumtur vetëm në shoqërinë e atyre që la pas vetes, pikërisht në botën që ai vetë krijoi për to, malin e përmbysur , të zjarrtë e mizor, ku nuk ka asnjë amnisti!

Është interesant se edhe në Shqipëri, si kudo tjetër, përkthyesit e parë të Dantes kanë qenë ndalur tek Ferri, jo vetëm për dramacitetin e tij, por edhe për atë lidhje të padukshme, por të fuqishme që ka ekzistuar në vetëdijen e këtij vendi. Vetë poetika dhe gojëdhënat e shumta e kanë bërë më të prekshme vuajtjen, se sa gëzimin; e kanë bërë më të prekshme dhimbjen, se sa lumturinë, kanë afruar fatkeqësitë, më shumë se sa lumturitë. Dante shfaqet tek ne si një Ajkuna e ciklit të Kreshnikëve, por edhe ri gjejmë bashkëbisedimet mes të vdekurve dhe të gjallëve, si ndodh me Mujin e Halilin, dhe është pikërisht një bashkëbisedim i tillë tragjik që ka lidhje me jetën dhe vdekjen, me nderin dhe mërinë.

Por, edhe më e jo rastësishme është se përkthyesit e parë dhe deri tek i fundit, që u morën me Danten janë poetë veriorë, disa klerikë të besimit katolik e të tjerë ateistë të njohur, por që e bënë sprovën e tyre, qasjen e tyre të ndrojtur drejt Dantes, pikërisht përmes Ferrit.

Sepse, qoftë edhe pavetëdijshëm, ata e ndjenë se këtu ishte edhe pasioni e dashuria e Poetit të madh fiorentinas.

—-

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu