Pensioni i pleqërisë, çfarë duhet të dini rreth plotësimit të kërkesës paraprake

0
Gjigandi

Çdo qytetar që është në prag të mbushjes së moshës së daljes në pension, ka të drejtë të aplikojë paraprakisht për pensionin e pleqërisë. Sikundër ndodh me të gjitha shërbimet që mbulon skema e sigurimeve shoqërore, edhe plotësimi i kërkesës paraprake për përfitimin e pensionit të pleqërisëmund tëbëhet vetëm online, në portalin qeveritar “e-albania”, procedurë e cila zgjat vetëm pak minuta.

Sipas afateve të përcaktuara në ligjin për sigurimin shoqëror, çdo qytetar mund të bëjë plotësimin e kërkesës paraprake për pensionin e pleqërisë, duke nisur nga 1 deri në 12 muaj para se t’i lindë e drejta për marrjen e këtij pensioni. Afat ky, që u vjen në ndihmë strukturave përgjegjëse të sigurimeve, për të bërë verifikimet përkatëse në lidhje me plotësimin e kushteve të përfitimit nga aplikuesi.

“Plotësimi i kërkesës paraprake nuk është i detyrueshëm dhe nuk ju shmang nga plotësimi i kërkesës për përfitimi pensioni pleqërie, por rekomandohet të plotësohet në mënyrë që aplikuesi të mos rrezikojë zgjatjen në kohë të marrjes së pensionit në momentin që i lind e drejta.Koha nga dorëzimi i kërkesës deri në momentin e lindjes të së drejtës, është e nevojshme që specialistët tanë të verifikojnë në kohë dokumentacionin e dorëzuar mbi kushtet e përfitimit”, bëjnë me dije autoritetet e sigurimeve shoqërore.

Dokumentet që duhen për aplikimin online

Formularit që duhet të plotësohet online për kërkesën paraprake për pensionin e pleqërisë, duhet që t’i bashkëngjisni edhe dosjen e dokumenteve të nevojshme për aplikim. Konkretisht në këtë dosje duhet që të përfshini: Kartë Identiteti ose pasaportë biometrike, dokument i domosdoshëm për t’u loguar në portal), si dhe fotokopje e kartës së identitetit ose certifikatë lindjeje personale. Duhet të ngarkoni edhe një certifikatë familjare, certifikatë martese (për mbiemrin para martese për kërkueset femra, fotokopjen e librezës së punës, si dhe diplomën e shkollës së lartë (vetëm për femrat).

RonaTyra

Plotësimi i formularit online:

Sa i takon procedurave që duhet të ndiqni për plotësimin e kërkesës paraprake online, fillimisht ju duhet të identifikoheni si qytetar në portalin “e-albania”. Më pas zgjidhni shërbimin “Kërkesë paraprake për përfitim pensioni pleqërie”, dhe klikoni në butonin “Përdor”, ku do të vijoni me procedurat e plotësimit të formularit përkatës, si dhe të dërgoni aplikimin pasi të keni përfunduar me hedhjen e të dhënave të kërkuara.

Formulari është i ndarë në tre pjesë. Fillimisht ju duhet të zgjidhni drejtorinë dhe agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore ku do aplikoni për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Numri dhe data e regjistrimit plotësohen automatikisht nga sistemi. Pjesa e parë ruan të dhënat e gjeneraliteteve tuaja. Numri juaj i sigurimit plotësohet paraprakisht në momentin që ju hyni në portal me kredencialet tuaja. Më tej, duke klikuar butonin “Merr detaje nga regjistri”, automatikisht plotësohen edhe fushat e tjera me të dhënat tuaja nga gjendja civile. Fushat që ngelen bosh jeni të detyruar t’i plotësoni manualisht. Në pjesën e dytë, duhet të zgjidhni arsyet dhe llojin e përfitimit. Duhet të dini që ky shërbim elektronik është i vlefshëm vetëm për pensionin e pleqërisë. Ndërsa në pjesën e tretë duhet të deklaroni periudhën tuaj të sigurimit dhe zgjidhni dokumentet që keni për të dorëzuar. Ju mund ta ruani formën e plotësuar si projekt për të vazhduar në një moment tjetër, ose mund ta dërgoni menjëherë për procesim në serverin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Për të mos vunuar verifikimin e aplikimit tuaj duhet të bëni kujdes, që një kopje të dokumentacionit të ngarkuar online ta dorëzoni edhe me postë pranë strukturës rajonale në të cilën keni bërë aplikimin tuaj. Në çdo rast shërbimi ofrohet pa pagesë.

Pensioni i pleqerisë

Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie nësë kanë arritur moshën e përcaktuar nga ligji për sigurimet shoqërore. Sipas kushteve të përcaktuara në ligj, nënat që kanë lindur 6 ose më shumë fëmijë, të cilët janë mbi 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi.

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar ne moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

Pension pleqërie i reduktuar

Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në ligjin e sigurimeve, kur kanë plotësuar vitet e sigurimit, si dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj.

Shtesë pensioni për shtyrje të datës së daljes në pension

I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute.Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.

Dokumentacioni që duhet për plotësimin e kërkesës online!

  • Dokument identifikimi, Kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portal).
  • Fotokopje e kartës së identitetit ose certifikatë lindjeje personale.
  • Certifikatë familjare.
  • Certifikatë martese (për mbiemrin para martese për kërkueset femra).
  • Fotokopje e librezës së punës.
  • Diplomën e shkollës së lartë (për femrat).

 

Si duhet të plotësohet kërkesa paraprake online:

  • Identifikohuni si qytetar në portalin e-albania (e-albania.al).
  • Zgjidhni shërbimin “Kërkesë paraprake për përfitim pensioni pleqërie” dhe klikoni butonin “Përdor”.
    Plotësoni formularin përkatës qëështë i ndarë në tre pjesë.
    Fillimisht ju duhet të zgjidhni DRSSH dhe ALSSH ku do aplikoni.Numri dhe data e regjistrimit plotësohen automatikisht nga sistemi.
    Pjesa e parë ruan të dhënat e gjeneraliteteve tuaja.NID plotësohet paraprakisht në momentin, që ju hyni në portal me kredencialet tuaja.
  • Duke klikuar butonin “Merr detaje nga regjistri”, automatikisht plotësohen edhe fushat e tjera me të dhënat tuaja nga gjendja civile. Fushat që ngelen bosh, jeni të detyruar t’i plotësoni manualisht.
  • Në pjesën e dytë, duhet të zgjidhni arsyet dhe llojin e përfitimit.Ju kujtojmë, që ky shërbim elektronik është i vlefshëm vetëm për pensionin e pleqërisë.
  • Në pjesën e tretë duhet të deklaroni periudhën tuaj të sigurimit dhe zgjidhni dokumentet që keni për të dorëzuar.
  • Ju duhet të dërgoni dokumentet origjinale me postë pranë DRSSH përkatëse.
  • Ju mund ta ruani formën si projekt, për të vazhduar në një moment tjetër ose mund ta dërgoni menjëherë për procesim në serverin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu