Djegia e zonës së mbrojtur të Pishë Poros do të sjellë pasoja të mëdha afatgjata vlerësojnë studiuesit e shkencave të natyrës dhe përfaqësues të organizatave mjedisore.
Sipas tyre dëmtimi i brezit me pisha rreth 70 vjeçare që mbronin depërtimin e detit do të rrisë dukshëm erozionin detar dhe përmbytjet dhe do të ketë pasoja afatgjata për klimën dhe turizmin në këtë zonë.
Studiuesit bëjnë thirrje të ndërtohet një plan për rimbjelljen me pisha dhe të mos hidhen hapa në uljen e statusit mbrojtës të zonës që më pas mund të sillte zhvillime ndërtimore.
Zjarret që vijuan për 10 ditë në zonën e mbrojtur të Pishë Poros në Fier, pjesë e peisazhit të mbrojtur Pishë Poro -Nartë kanë lënë pas pasoja të mëdha.
Pamjet me dron dëshmojnë se pjesa dërmuese e sipërfaqes me pishë të butë mesdhetare gati 70-vjeçare është përfshirë nga zjarri që ka shkrumbuar çdo gjë në katet e poshtme, bimësinë dhe faunën.
Profesori i Departamentit të Biologjisë në Universitetin e Tiranës Lulëzim Shuka thotë se brezi mbrojtës i pishave që u krijua para viteve nëntëdhjetë kishte një rol mjaft të madh në mbrojtjen e depërtimit të detit në brendësi të tokës.
Ky brez pishash i krijuar artificialisht para viteve nëntëdhjetë krijoi një perde apo barrierë mbrojtëse për pengimin e hyrjes së ujrave të kripura të detit në pjesën e brendshme të tokës duke mundësuar kështu shkripëzimin e pjesës së brendshme, e ndihmuar dhe nga rritja e nivelit të Vjosës që derdhet në det gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit. Gjerësia e këtij pylli shkon nga disa metër psh 10,20,30 metër deri në 2, 5 kilometër duke krijuar jo vetëm një barrierë mbrojtëse, por edhe një ekosistem, pavarësisht se articifial, shumë të rëndësishëm për nga pikëpamja e biomasës.
Zoti Shuka thotë më tej se pylli me pisha prodhonte rreth 30 kilogramë biomasë në vit e cila është shumë më e madhe se biomasa që prodhohet nga tokat e kripura që është gati gjysëm kilogramë në vit.
Pyjet e drurit janë përthithësit kryesorë të dioksidit të karbonit dhe njëkohësisht rezervuesit e saj. Dhe nga pikëpamja shkencore ky pyll siguron 30 -35 kilogramë biomasë në vit një masë shumë herë më e madhe e krahasuar me bimët e kultivuara që shkon 1 deri në 1,5 kilogramë , e krahasuar me bimët natyrore të tokave të kripura që prodhojnë më pak se gjysëm kilogramë biomasë në vit.
Zoti Shuka flet për efektet që krijon një djegie duke krahasuar me zona që janë prekur nga zjarret në një shkallë shumë më të vogël në vitet nëntëdhjetë.
Planet me dron të këtyre zonave përpara se të përfshiheshin nga zjarret e fundit tregojnë se bimësia nuk është rikuperuar ende në ato vatra që u dogjën 30 vite më parë dhe gjate dimrit ujrat e detit depërtojnë lirisht duke sjellë përmbytje.
“Gati çdo dy vjet bëj ekspedita dhe vizita në zonë për të parë edhe strukturën dhe popullatën e disa llojeve specifik të zonës bregdetare. Në pjesën jugore të grykëderdhjes së Vjosës tek ai zjarr që ka qenë para 30-35 viteve tani natyra ka filluar të eleminojë pjesën kryesore të pasojave të djegieve. Kjo do të thotë që një zjarr do dhjetëra vite të riparohet, nëse ndërhyhet artificialisht me pyllëzime.
Zakonisht djegie të tilla shoqërohen me ulje të statusit të mbrojtjes së zonës”, thotë Zydjon Vorpsi i organizatës shqiptare për mbrojtjen e natyrës (PPNEA), por kjo nuk duhet të ndodhë sipas tij me pyllin e Pishë Poros.
Ndërhyrja duhet sa më shpejt, duhet ripyllëzim dhe një ruajtje strikte dhe pse zona tashmë është e djegur. Gjëja që ndodh zakonisht është që kur zonave u bie vlera natyrore apo ka dëmtime të kësaj mase hiqen nga zona e mbrojtur por kjo nuk duhet të ndodhë me këtë zonë por për më tepër duhet shtuar mundimi për ta rikthyer, ndonëse pas shumv vitesh, siç ka qenë.
Dëmi është kolosal dhe nga pikëpamja turistike thorë zoti Shuka pasi peisazhi i pishave nuk mund të rikthehet për dhjetëra vite dhe vija e plazhit mund të pësojë transformime pikërisht nga mos mbrojtja më e erozionit detar nga brezi me pisha. Ka zona ku dunat e rërës janë në një nivel me detin dhe nuk e pengojnë depërtimin e ujrave tha zoti Shuka.
Djegia e Pishë Poros ka ngjallur reagime të forta të specialistëve të pyjeve në rrjetet sociale edhe për pamundësinë e strukturave shtetërorë të emergjencave për të vënë në kontroll zjarret.
Megjithë përkushtimin e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Fier, prefekturës së Fierit, reparteve zjarrfikëse nga disa bashki dhe qarqe dhe forcave të armatosura qeveria shqiptare nuk kishte mjete për ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarreve masive.
Në zonë fluturuan për shuarjen e zjarreve vetëm disa herë dy avionë grekë në kuadër të ndihmës së mekanizmit europian të mbrojtjes civile.
Kjo ndihmë u kërkua pas gati një jave kur ishte shfaqur zjarri masiv që kishte dëmtuar disa qindra hektarë me pisha dhe bimësi.
Nga vlerësimet e specialistëve në terren nuk pati asnjë ndikim në kufizimin e vatrave që vijuan edhe pas ndërhyrjes tejet të kufizuar nga ajri.
a.c./dita