Papu programues

0
Papu programues
Gjigandi

Bronislav Nikolic ose Papu, pesë herë stërgjysh, ka programuar që përpara se njerëzit ta kishin kompjuterin “Commodore” në shtëpi. Ai beson në përparimin teknologjik dhe dyshon në moralin njerëzor.

Para 75 vjetësh Konrad Zuse prezantoi për publikun më 12 maj 1941 në një seminar në Berlin, Z3 – kompjuterin e parë në botë. 30 vjet më vonë, kur Papu nuk ishte as dymbëdhjetë vjeç, lexoi për të në një revistë. Atëherë e mbërtheu një entuziazëm shumë i madh, që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës. Ai donte të ndërtonte vetë një kompjuter sipas udhëzimeve në revistë, sepse të blije një kompjuter “të gatshëm” ishte e papërballueshme në atë kohë për çdo “njëri normal”.

Papu – Bronislav Nikolic

“Në vend që të shkoja në kinema, kurseja paratë dhe me ngadalë bleva pjesët e kompjuterit. Ky kompjuter funksiononte përmes televizorit tonë të vjetër, të cilin natyrisht që e përdorte e gjithë familja. Por natën më lejuan ta përdorja si kompjuter. Kështu mësova programimin BASIC. Shkruaja shumë faqe teksti në të – por sapo e fikja, kompjuteri harronte përsëri gjithçka, sepse nuk kishte pajisje për ta ruajtur. Kështu që gjithçka që bëja dhe mësoja e hidhja në një kasetë. Në fakt më duhej të filloja çdo ditë nga e para – por unë përparoja shpejt. Isha i magjepsur nga mundësitë, që më nxisnin të ecja përpara.”

RonaTyra

Afiniteti me inovacionin

Thuajse i rritur, Papu bleu një kompjuter “të vërtetë”, një “Commodore” dhe u martua me gruan me të cilën jeton ende sot. Një kërcim kuantik. Gruaja e tij punonte në një kompani kompjuterike, që nga ana e saj kërkonte një punëtor në sektorin e logjistikës. Që atëherë Papu u gjend mes dërgesave, në dhoma me kompjuterë të rinj e të bukur. Shpejt ai u lejua të ndihmonte në një sektor tjetër, ku riparoheshin dhe testoheshin pajisjet me defekte.

“Ishte hera e parë në jetën time, që shihja një sistem operativ. Unë përdorja harduerin e shkëlqyer që kisha përpara meje në mënyrë të paautorizuar, shkruaja programe të vogla në sfond – gjë që fillimisht nuk ishte puna ime. Një ditë më kapën. Por në vend që të reagonte negativisht, që nga ai moment firma më lejoi jo vetëm të dërgoja kompjuterët te klienti, por edhe t’i vija ata në funksionim dhe të ndihmoja njerëzit me probleme teknike.”

Kompania quhej “Hard & Soft” dhe ishte përfaqësuesja e parë e Apple në Austri. Disa vite më vonë Papu themeloi firmën e vet dhe pati shumë sukses deri në vitin 2000. Kur i vdiq i ati, atë vit ai ndaloi së punuari në firmën e tij – por afiniteti për inovacionin i mbeti dhe kështu në 2003 ai filloi të transmetojë një program radiofonik të vetin: “Gipsy Info” (më vonë GipsyTV) transmetonte në internet në një kohë kur shumica as që e dinin, se çfarë është streaming.

“Pyesja veten se sa njerëz në internet do të ishin të interesuar të dëgjonin një program që transmetohet në gjermanisht, jugosllavisht dhe gjuhën rome. Njerëzit reaguan në mënyrë të mahnitshme. Ata filluan të na dërgojnë fotografi nga çdo cep i botës – fotografi të familjeve, fëmijëve të tyre, kafshëve të tyre shtëpiake, si e ndiqnin bashkarisht emisionin tonë. Në vitin 2009 arritëm shifrën e 10 milionë dëgjuesve. Dhe i dhamë fund transmetimit.”

Papu shpejt arriti një lloj statusi eksperti. Për këtë arsye kompanitë i ofronin para për dijen e tij. Por ai refuzoi. Ai preferonte t’ua transmetonte njohuritë e tij falas atyre njerëzve, që donin t`i përdornin ato për qëllime pozitive. Për të kjo është një çështje etike:

“Programet kanë shpirt. Jam i bindur se mendësia e programuesit apo thënë më mire qëllimi i vërtetë, me të cilin është programuar diçka, reflektohet në produkt. Inteligjenca artificiale në fakt nuk ekziston. Ne vetëm e quajmë atë ashtu. Madje edhe algoritmet e vetëprogramuara aksesojnë në fund të fundit të dhënat e prodhuara nga njerëzit.”

Por Papu thekson se vetë teknologjia nuk është as “e mirë” dhe as “e keqe”, por është mënyra se si ne i përdorim këto teknologji.

“Së fundi kam pyetur veten, nëse ka një mundësi për të zbuluar nëse lajmet janë ‘të vërteta’ apo ‘të rreme’, pa qenë nevoja që njerëzit të kërkojnë 24 ore rresht në internet. Për shkak të situatës së pandemisë, shumë njerëz punojnë sot për këtë – dhe atëherë sigurisht që do të bëhet e mundur. Nuk është sqaruar ende nëse njerëzimi do t’i përdorë vërtet këto mundësi në mënyrë pozitive.”

Çfarë është demokracia e jetuar?

Lidhur me përgjegjësinë e njerëzimit dhe të politikës për të zgjedhur mes aspekteve etike dhe morale dhe përfitimit kapitalist të një gjëje, Papu është skeptik.

“Nëse një shumicë e shoqërisë e kundërshton diçka, ajo duhet të ndryshohet, të paktën në teorinë e asaj që emërtohet demokraci. Por në praktikë nuk është kështu. Një përfaqësues politik nuk vendos domosdoshmërisht në interes të atyre që e kanë votuar, por sipas dijes dhe ndërgjegjes së vet. Fatkeqësisht jemi shumë larg një demokracie të gjallë. Nëse demokracia do të ishte një njeri i rritur, tani do të ishim në nivelin e zhvillimit të një fëmije të vogël.”

Politika ka qenë gjithmonë një temë e pranishme në jetën e Papu. I lindur në vitin 1958 në ish-Jugosllavi (tani Serbi), ai u rrit në Banat, në Vojvodinë. Gjyshi i tij luftoi me partizanët e Titos në Luftën e Dytë Botërore. Ai kishte armë. Ai ishte komunist, ashtu si dhe babai i tij më vonë.

“Babai im shpesh zhdukej mbrëmjeve – kishte mbledhje partie. Ne gëzonim një lloj mbrojtjeje prej anticiganizmit për shkak të statusit tonë arsimor dhe anëtarësimit në partinë komuniste”.

Papu nuk merret shumë me politikat, që prekin romët dhe sintit dhe që për mendimin e tij “i ndajnë ata tematikisht”. Në një video për Ditën Ndërkombëtare të Romëve – që mbahet çdo vit më 8 prill – ai shpjegon se si lindi dhe çfarë përfaqëson ajo në të vërtetë. Qëndrimi i tij për të është ky:

“Të drejtat e njeriut duhet të vlejnë për të gjithë. “Ditë feste” të tilla janë absolutisht të parëndësishme për mua personalisht. Megjithatë në videon time unë flas për të, sepse gjatë jetës sime kam mësuar edhe se çfarë është aktivizmi.”

Harmoni, dashuri, empati

Në vitin 1969, babai i Papu vendosi të shkonte me familjen në Austri. Pasi mbërritën në Vjenë, Papu kujdesej për vëllain dhe motrën e tij më të vogël, ndërsa prindërit e tij punonin nga lindja e diellit deri në perëndim të tij. Tri herë u përpoq të regjistrohej vetë në një shkollë. Por rrethanat në familje e penguan të shkonte në shkollë.

“Fillova të vetarsimohesha veten sa të mundja dhe këtë vazhdoj ta bëj edhe sot.”

Familja e tij ka edhe sot ka prioritetin më të madh për stërgjyshin me pesë stërnipa. Katër breza jetojnë nën një çati në shtëpinë e tij – nëna e tij 81-vjeçare, gruaja e tij dhe ai, si dhe fëmijët dhe nipërit e mbesat:

„Çështja është të jetosh në harmoni. Ne jemi njerëz të ndryshëm me botëkuptime të ndryshme. Ne kujdesemi për njëri-tjetrin. Jo njëri për të gjithë – por secili për secilin. Kjo është e mundur përmes dashurisë dhe empatisë.”

Në këtë pike Papu ndalon shkurt dhe shton: “Më duhet të pranoj se jam absolutisht i kënaqur. Nuk kam më nevojë të arrij apo të kem asgjë. Jam plotësisht i lumtur.” Këtë ekuilibër të brendshëm e ndjejnë njerëzit që vizitojnë Papun në bodrumin teknik, ku ai dy vitet e fundit ka eksperimentuar me radion DAB+ (evolucioni i fundit i radios digjitale). Shumë njerëz, që vijnë tek ai kërkojnë prej tij këshilla. Emri i tij i vërtetë është Branislav Nikoliç, por të gjithë e quajnë “Papu”, që do të thotë “gjysh” në gjuhën romanes. Kjo ndoshta ka të bëjë me karizmën e tij: një përzierje qetësie, urtësie dhe një sens humori çlirues. Prandaj, në kombinim me faktin se ai është rom, disa e konsiderojnë atë një udhërrëfyes shpirtëror./DW

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu