Sot, në Vatikan është varrosur Papa Benedikti i XVI, i cili ka vdekur të shtunën në moshën 95-vjeçare.
Ceremoninë e varrimit e ka udhëhequr Papa Françesku, i cili gjatë meshës tha: “Lavdërim dhe lamtumirë përfundimtare”, duke i kërkuar Zotit “të ngushëllojë Kishën”.
Në ceremoninë e varrimit të Papa Benediktit të XVI kanë marrë pjesë mijëra njerëz.
Ceremoninë e varrimit e udhëhoqi Papa Françesku. Gjatë ceremonisë, Papa Françesku, përmendi fjalët e fundit të Krishtit: “At, në duart tuaja ta dorëzoj shpirtin tim”.
Ai tha se besimtarët urojnë të njëjtën gjë për Benediktin.
“Duke u mbështetur në fjalët e fundit të Zotit dhe si dëshmitarë të gjithë jetës së tij, edhe ne, si komunitet kishtar, duam të ndjekim hapat e tij dhe t’ia dorëzojmë shpirtin e vëllait tonë në duart e Atit”.
Ai përfundoi duke thënë: “Ne të gjithë së bashku duam të themi, At në duart tuaja ta dorëzojmë shpirtin e tij. Benedikt, mik besnik i Krishtit, qoftë i plotë gëzimi yt teksa ti dëgjon zërin e tij, tani dhe përgjithmonë”.
Pas ceremonisë në sheshin e Shën Pjetrit, ka nisur shërbesa private në bazilikën e Vatikanit.
Sipas autoriteteve, ceremoninë sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan e kanë ndjekur deri në 100.000 persona.
Papa Benedikti i XVI ka ndërruar jetë të shtunën (31 dhjetor). Ai ka qenë njëri ndër teologët më të njohur në botë. Ai e ka udhëhequr kishën katolike të Romës nga viti 2005 e deri më 2013, kur ka dhënë dorëheqje për shkak të problemeve shëndetësore.
j.l./ dita