Një regjim mund të shembet nga librat, ashtu si mund të shembet nga e vërteta

0
Gjigandi

Nga Bedri Islami

 

Një mbrëmje, shumë vite të shkuara, Moikomi më telefonoi dhe më tha se ishte nisur të vinte në Shkodër. Ishte fund tetori, e njëzet e shtata, në njërën nga ato ditë kur dielli shndrin fort dhe ngroh pak, netët dukeshin të pafund dhe të fshehta, shirat ende nuk kishin ardhur, dhe, si rrallë herë, trëndafilat e bardhë kishin çelur të gjithë.

-I çuditshëm ky tetor, më tha porsa erdhi, – zakonisht ky është muaji që çvesh drurët në të gjitha udhët, por kjo nuk është e trishtueshme.

Po flisnim për botën e librave. Disa vite më parë  kishte botuar vëllimin poetik, “MISCELLANEA 6” dhe në faqen e parë kishte shkruar, “Për Bedriun tim, ç‘korpus fantazmagorik, a thua, më kanë shteruar forcat, por jo përfytyrimet?”

RonaTyra

Po pinim verë dhe piqnim gështenja.

Shpata mund ta mposhtë botën, por nuk e sundon dot. Libri nuk e mposhtë botën, por e sundon atë.

Dialog me Moikomin , në të njëjtën dhomë, ku dëgjohet zhurma e zjarrit, gështenjat që piqen dhe rrëzimi i verës së kuqe në gota.

AI : Ka pasur gjithnjë një luftë të pandërprerë mes librit dhe rrjedhave historike dhe, si duket, edhe në vitet e mëpasshme ajo do të jetë përherë e pranishme. Ndoshta historia e përbotshme nuk është asgjë tjetër veçse historia e librit, ose e kundërta, historia e librit është historia e botës. Edhe te ne, historia e librit është në fakt historia e diktaturës. Ka një përplasje të vazhdueshme mes diktaturës, librit dhe individit.

Unë : Të gjitha konfliktet mes tyre, të gjitha kontrastet që për shfaqin nxitimthi apo duke u gdhendur rreptësishtë,  arrijnë shpesh herë në një shkallë intensiteti të dhimbshëm, në të cilat gëzimi dhe dhimbja, e vërteta dhe sajesa, krijimi dhe e sakta, pikat ekstreme të sentimentit dhe thelbi i dëshmisë së saktë, fitojnë madhësi të reja, dhe, dashje pa dashje, diçka primitive dhe heroike ka në këtë përplasje.

AI : Dhimbjet e botës nuk kanë kujtesë. Homeri, në librin e tetë të Odisesë ka shkruar se perënditë endin fatkeqësi në mënyrë që breznive të ardhshme mos t’u mungojnë për çfarë do të këndojnë.

Në njërin nga komeditë e tij, më duket se tek “Qezari dhe Kleopatra”, Bernard Shaw, njëri ndër më të mrekullueshmit krijues anglezë, thotë se biblioteka e Aleksandrisë ishte kujtesa e njerëzimit. E megjithatë,  Jul Qezari, në momentin kur i thonë se po digjet kjo kujtesë njerëzore, përgjigjet vragshëm dhe shpotitës, „ lere të digjet, është një kujtesë poshtërsish“. Cila bibliotekë duhet “ të digjet” në Shqipëri? Altarët janë, por mesha nuk ka!

Unë : Para pak çasteve, në Historinë e Spanjës, lexova për Al – Hakam, njërin nga sunduesit mysliman të Kordovës, shekulli i IX, asaj kohe qyteti më i madh në botë, pa dyshim më i shquari i kohës, se ai kishte në bibliotekën e tij më shumë se 400 mijë libra, shumë nga të cilët ishin nga tragjikët e lashtë grekë, poetët persianë, shkencë, astronomi, matematikë dhe se aty, për herë të parë, kishin hyrë numrat indianë, ata që përdor sot e gjithë bota dhe të cilët Evropa i mori pas një shekulli. Në “Historinë e Spanjës”, është shënuar se Liria e mendimit i hap rrugë gjenisë krijuese njerëzore, të shpalosur në shkencë dhe filozofi, ndërkohë që shtohet blerja e librave nga islami lindor dhe Bizanti”.

Kur sunduesi kishte 400 mijë libra në bibliotekën e tij, që në fakt është biblioteka e parë madhështore e Perëndimit, qyteti i Kordovës kishte 3 mijë shkolla, disa universitete, kishte biblioteka të tilla që nuk ishin parë që nga koha e lulëzimit të Aleksandrisë helene. Interesant është fakti se thuajse të gjithë diktatorët ndërtuan biblioteka të mëdha.Kjo bibliotekë e famshme e Kordovës më pas u dogj.

AI : Është interesant , por Jezu Krishti vetëm një herë shkroi disa fjalë në rërë, që më pas i prishi dhe u bë kështu predikuesi më i madh në të gjitha kohërat, por apostujt e tij shkruan gjithçka që ishte e duhura dhe fjala e tyre e shkruar mbeti. Nuk dua as ta mendoj se si mund të kishte qenë bota pa Veprat e Apostujve dhe Letrat e tyre. Me siguri, ndryshe nga kjo që kemi. Diktatorët, në vend që të ndërtojnë një urë, që çon përtej lumit, bëjnë një shtëpi, për t’u mbyllur brenda. Individi përballë turmës diktatoriale është i humbur, pavarësisht rezistencës së tij. Për të vdekurit nuk ka krishtlindje. Kur individi nuk është më një, kur përtej ekzistencës rritet shpejtësia e ëndrrës, kur mermeri skalit heronjtë e vrarë mes baltës, atëherë do të ketë rilindje. Rilindja , në radhë të parë, vjen përmes mendjes.Një ilir i ditur, ndër më të diturit e kohës së tij, i guximshëm dhe pasionant, filolog dhe shkrimtar gjenial, Euseb Hieronimi ishte përkthyesi i parë i Biblës në latinisht, të quajtur si varianti kanonik me emrin ” Vulgata”, që u bë substancë kulturore për tërë qytetërimin e Evropës Perëndimore.

Përkthimi i Jeronimit në shekullin e IV të erës sonë do të ndiqej nga një tjetër shqiptar i ditur, që e sjell në ” të bukrën gjuhën tonë” librin e shenjtë, prifti katolik arbëresh, ipeshkëv i dy dioqezave në Shqipërinë Veriore, shekulli i  XVI,  Gjon Buzuku. Në të njëjtën kohë kur Martin Luteri e përkthente atë në gjuhën gjermane. „Meshari“ i Buzukut, i përkthyer në gegnishte, ku mrekullisht artikulohen fjalët „ gluhë“ dhe klaj“, jo rastësisht të krijon ndërlidhjen mes trevave shqiptare, midis tij dhe Jugut të Shqipërisë dhe Çamërisë epirotase, trevave molose, ku , akoma edhe sot me një këmbëngulje titanike para dhe pas buzukiane dëgjohen fjalët e pashtershme në amshim : „glu“ dhe klaj“. „Meshari“, libri i parë i botuar në gjuhën shqipe,  është dëshmia e pafundme e shpirtit të një njeriu të fuqishëm në mendimin e tij.

Në më pak se 10 muaj, nga 20 marsi 1554 dhe deri në 5 janar 1555, Buzuka ngriti monumentin e parë të gjuhës shqipe ,por edhe ndryshoi rrjedhë historike të shkrimit të saj.

Unë : Libri i Buzukut, duke qenë edhe libri i parë i njohur në gjuhën shqipe, është në të njëjtën kohë edhe libri i parë i shpërndarë ilegalisht në trevat shqiptare, sidomos ato të Veriut të saj; rrezikshmëria e shfaqjes së tij ishte dehëse, por edhe dëshmuese e një tradite të mëhershme në të shkruarit e gjuhës shqipe; më tepër se një frymëzim fetar është një thirrje kushtrimtare dhe mos bjerrje e shpresës së krishterimit shqiptar. Por, edhe të idesë së qëndresës. Ai i donte njerëzit dhe u dëshmonte jetën. Jeta mund të jetë edhe në anën tjetër të vdekjes, por jo në anën tjetër të dashurisë.

AI : Buzuku është në të njëjtën kohë kalorës i gjuhës shqipe, por edhe kalorës i lirisë së popullit të tij; përmes „Mesharit“ ndodh çlirimi i parë i gjuhës shqipe nga anonimati, dalja e saj në një fushë lirie. Hakmarrja ndaj tij do të jetë e furishme; është libri i parë i gjuhës shqipe që do të digjet për të ruajtur vetëm një kopje në arkivat e Vatikanit, çka të sjell ndër mend dhjetëra e qindra vepra të prelatëve katolikë të Veriut shqiptar, por edhe të trevave të tjera, librat e të cilëve u ndaluan, u sekuestruan, u dogjën dhe u mohuan. Ajo që ndodhi në Shqipëri, pas dhjetorit 1944 , me veprat e prelatëve të lartë dhe të ditur katolikë shkurtoi këmbët e së nesërmes.

Gjon Buzuku është i pa varr, askush nuk e di vendprehjen e fundit të tij. Është synuar të hidhet në greminën e Harresës, të ketë ndëshkimin fatal, vetëm pse guxoi dhe shkroi në gjuhën shqipe. Por fjalët që shkoi në Librin e tij mbetën. Libri „Meshari“ është zanafilla e universit të botës shqiptare.

Unë : Pjetër Bogdani, prelati i lartë katolik shqiptar, njëri nga mendjet më të ndritura të Përlindjes shqiptare dhe Kryengritësi i madh, eseist i shkëlqyer, do të shkruante për studentët e Kolegjit të Padovës, të cilët i quan ” Qitrot e rinj të Libanit me degët e zgjeruara të tij, të lulëzuara me dije dhe të vërtetën e fjalës, të rrënjosura për mrekulli në të gjitha shkencat hyjnore dhe humane”, ndërsa për botimin e librit të tij të shkruar e quan të dobishëm për “arsimimin e njerëzve, me shenjat e shtypit hyjnor”. “Çeta e Profetnve” e tij është libri shënjues i kohës. Gjithnjë ka pasur një lidhje mes qenies dhe mosqenies, mes të vërtetës dhe të rremes, ashtu si mes dhunës dhe qëndresës.

AI : Në shakullimën e mesviteve’50 Shqipëria ndodhej para se panjohshmes : vdekja e letërsisë së saj; më keq akoma, krijimit të një letërsie amorfe, pa vlerë, të izoluar, shterpë. Shkaqet dihen.

Çfarë do të thotë të vdesë një letërsi, të shpërfytyrohet ajo, të bëhet e gjëmshme?Nëse do të duhej një apostull i saj Shqipëria gjeti më të mirin e mundshëm, një jugor që është joshur nga Veriu, Ismail Kadare. Jeta e Kadaresë nuk i përngjan një romani tragjik, përjetimi i tij shkon drejt tragjikes. Ai nuk ngjet, të themi, me asnjë nga staturat e Testamentit të vjetër, por është në zanafillë të një bote tjetër më shumë në perandorinë e artit; ai nuk bie në humnerat më të thella, megjithëse u shkon pranë, iu tregon njerëzve greminën, por nuk shtyn askënd drejt saj; ai sjell pamatësinë e tij tek njerëzit e matshëm, duke ndjellë tek ata dëshirën e pamatësisë së tij. I nisur nga Sokaku i të Marrëve, një udhë e gurtë si gjithçka në atë qytet, me kthesa e shtëpi të rrëpirëta, ai nis të ndërtojë ekzistencën e një kombi dhe këtë e bën përmes librave të tij. Në fakt, librat e tij janë thelbi i rikthimit të botës shqiptare nga e mbara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu