Nga Vlash Laçka
Botuar në DITA
Në çdo situatë çdo gjë ka vendin e saj. Situata e sotme gjithmonë e më e acaruar politike në rajon e më tej e dominon analizën e problemeve dhe ngjyra e saj personalizohet edhe brenda Kuvendit.
Po të ngresh ndonjë problem të mbijetesës të duket sikur politikanët tanë do të të thonë: ”Ku e kemi hallin ne dhe ku i bie fyellit ti!”. E po, aty rri mendja e pensionistëve dhe qytetarëve me të ardhura të pakta deri tek shtresa e mesme dhe duan t’i shkarkojnë shqetësimet në atë vrimë që e kanë krijuar gjynahet e qeverisjeve të deritanishme.
Problemet që ishin shumë serioze dhe që determinonin zhvillimin e burimeve natyrore të vendit i trajtova në artikullin paraardhës në DITA, ku kërkoja ndihmën tuaj; prandaj në këtë komunikim virtual me ju dua t’i jap artikullit një natyrë bisede shoqërore, të kombinuar me pak humor.
Kur ju shohim toktançe në Kuvend na duket sikur të gjithë keni të njëtin profesion, atë të psikologut, më saktë – sikur psikologjisni njëri – tjetrin. Karigen e kuvendit mjaft prej jush e konvertojnë si mençuri që ju dallon prej qytetarëve jashtë kuvendit, ndërkohë që edhe diskutimet tuaja na duken të unifikiuara me shtjellimin politik të fjalimit të shefave. Atje ku dini më shumë flisni pak ose aspak. Nuk e merr vesh njeri nga vini e cilët zgjedhës përfaqësoni, sepse konkretisht nuk thoni asgjë për ata.
Kështu që për qytetarët e thjeshtë ato që thoni duken monotone, prandaj mund të themi se i bëni indiferentë dhe të kujtojnë thënien e lashtë: “Lërini të festojnë me trurin e tyre”.
Nuk e kuptojmë përse nuk hidhni sytë matanë Adriatikut në Itali, të shihni se axhendat e Parlamentit dhe Senatit dominohen nga problematika e makro e mikroekonomisë, mandej për këto probleme bashkë me sindikatat e fuqishme dalin në rrugë edhe deputetët e opozitës, profesora ekonomie. Sepse nuk e kini këtë axhendë, ne nuk e dimë, por të lodheni me impenjim e debate të forta se ku duhet vënë presja në ndonjë ligj të vjetër, e të tjera deri te ato që të pështirosin – këtë nuk e kuptojmë.
Paradoksi është se sistemi politik që jemi e ka emrin Sistemi mix i Ekonomisë së Tregut. Na mbetet të mendojmë se këtë do të na e ndreq vetëm Inteligjenca Artificiale (AI).
Kuvendi nuk është instutucion që prodhon politikë si në fushatat e zgjedhjeve. Nga sa dëgjojmë prej jush në Kuvend, problematika dhe mënyra e shtjellimit janë të njëjta me ato të fushatave zgjedhore. Fjalën korrupsion që e përmendni tani çdo ditë, ja u mësoi SHBA-ja. Por siç po e lakoni ju “të iki ky se do vij unë !”, këtë nuk e kupton qytetari.
Kur na thoni “pushteti na takon neve” (d.m.th. shefit tuaj), qytetarit i lind pyetja: – Çfarë ke bërë dje kur ishe në pushtet, ç’i bëre pasurisë së madhe të vendit që nuk i ka mbetur nam e nishan në bilancin ekonomik të shtetit, çfarë opsioni të ri na shtron për zhvillimin ekonomik, për mikroekonominë, etj. që të themi se i paske bërë “riparim kapital mendjes” për ekonominë, etj.
Të bësh vetëm rolin e oponentit nuk ke bërë as çerekun e punës, në qoftëse nuk thua se çfarë ofron ti për të ardhmen e qytetarit. Për qytetarin më tepër ka vend logjika se përsëri në krye do jenë po ata shefa me gjynahet e djeshme që i paskan edhe këta të sotmit.
Më duket se ne, shqiptarëve na përsëriten gjerat, por në mënyrë spirale duke u bërë më moderne. dhe thelbi mbetet i njëjtë. Për të argëtuar edhe ata që do të më lexojnë, thashë të bëj edhe pak humor. Kjo sjellje e juaja më kujton një ndodhi që mori qytetarinë e barceletës.
Para viteve ‘60, në Moskë kishte mjaft studentë shqiptarë, të cilët i angazhonin edhe në kore për të dhënë shfaqje për festat tona kombëtare. Në një nga këto evente, një student (djal patrioti, por që bente “shaka me zarar”, më vonë ka qenë pedagogu im në UT), që e kishte zërin e hollë si të sopranos, vete e futet tek grupi i Basseve. Dirigjentin e dëgjuar shqiptar e mbyti djersa se kori po stononte. Kur ai kërkoi nëpër kor dhe gjeti T. tek grupi i Bassëve u nevrikos dhe i thotë, “Çfarë dreqin do ti tek basët, me atë zërin e hollë!”?. Ai i përgjigjet: “Bass do Partia, Bas bëhem unë!”.
Prandaj po dal tek pyetja e thjeshtë:
Çfarë profesioni ke ti zoti deputet?! Në çfarë specialiteti je diplomuar! Sepse këtu fillon mënçuria jote e vërtetë. Kontributi yt këtu do të ishte me vlerë të veçantë jo vetëm për një legjislacion të nivelit më të mirë por edhe për të kontribuar drejtpërdrejt në fushën tënde ku ke njohuritë e duhura.
Meqenëse jam marrë edhe me formulim ligjesh në fushën e ekonomisë, bërthamën e ligjit e ndërtojnë specialistët e profilit “teknik”, pastaj juristët e fusin në kornizën e Kushtetutës. Kur isha në shkollën e mesme, një pedagog me formim perëndimor na porosiste vazhdimisht: “djema mos harroni asnjëherë se “mençuria e njeriut fillon atje kur ai e merr vesh sa di në të vërtetë”. Mbaj mend se ishte shprehje e Sokratit, mundet e Aristotelit.
Për humor lidhur me këtë po tregoj një ngjarje që them se ju përket:.
Nga fundi i viteve ’70 të shekullit të kaluar, secilit nga ne kuadrot teknike të naftës na vunë përpara të plotësonim një formular ku kërkohej edhe se çfarë shkolle kishim mbaruar dhe çfarë profili profesional kishim. Dikush për shaka, më vuri përpara formularin e një drejtori kantjeri (gjyshi i një deputetes të sotme), në të cilin ai kishte shkruar: profesioni – drejtor.
Ishte në vartësinë tonë ndaj e mora në telefon dhe i thashë: – Sikur nuk e ke shkruar mirë profesionin. Aty nuk kërkohet se çfarë detyre po kryen, por çfarë profesioni ke marrë me shkollë. Ai me seriozitet më përgjigjet: “Pas partizanllëkut, më thirrën pas çlirimit të bëhesha drejtor në këtë kantier dhe deri më sot kam 30 vjet në këtë profesion. Ky është profesioni im”.
Them se, po qe se administrata e Kuvendit do t’iu vërë deputetëve përpara një formular të tillë, do ketë mjaft prej tyre që do formulojnë: profesioni – deputet.
Nisur nga realiteti i një personi të zakonshëm që në fund të ditës i bën pyetjen vetes “çfarë bëra sot dhe çfarë prura në shtëpi”, instiktivisht na vete mendja tek ju: “kush është rendimenti apo produkti material i deputetëve që marrin gjithë atë rrogë edhe kur nuk shkojnë në punë?! Na duket sikur matanë “portave tuaja” do kemi një përgjigje të rëndomtë: “I këputa një të sharë sa ti vijë mendja vërdallë!”.
Të gjitha diskutimet tuaja janë të monitoruara edhe si permbajtje por edhe si zgjatje kohore, por nuk gjejmë asnjë vlerësim për problemet e ekonomisë. Thonë se Transparenca është në themel të demokracisë, po tek ne? Të gjithë shtetet e demokracisë, madje edhe shtypi i tyre kanë norma të caktuara se në çfarë raporti duhet të ketë në axhendën e strukturave qendrore – çështjet ekonomike me ato social-politike, të ekuilibruara në krahët politikës, në majë të të cilave jeni ju.
Ngrejmë probleme konkrete kapitale për të përmirësuar apo edhe për të ndrequr ecurinë e zhvillimit në fushën tonë profesionale ku kemi patur aktivitetin. Edhe kur diskutohet (rrallë) në Kuvend ndonjë problem që lidhet me fushën tonë, hedhim sytë nëpër “ulëset” e kuvendit dhe nuk dëgjojmë ndonjë të profilit të pipëtijë, madje nuk shohim as të ngrejë pak kokën.
Ma do mendja, shumëkush pyet me vete: a ka deputetë profesionistë dhe pse janë shpërfytyruar ata? Aty në Kuvend me kokën e zhytur në shpinoren e karriges së kuvendit nuk ju dallojmë dot. Mjekët po, por si doktorë.
Çfarë të pengon zoti deputet që nuk kërkon në se u zbatuan apo jo ligjet që ke miratuar, veçanërisht për fushën tënde profesionale apo për zonën ku je zgjedhur?
Këtë e them se më është dukur e çuditshme por edhe e pa pranueshme për personalitetin e deputetit, që për ligjet që ju paraqet Ekzekutivi, aq më tepër për ato që i përkasin fushës tënde të aktivitetit profesional, nuk do t’ja dish në se ai ligj zbatohet apo jo në tërë kompleksitetin e tij dhe a ka sjell përmirësimet e kërkuara. Ka edhe ndonjë ligj që e miratoni instiktivisht pa u menduar pasi në thelb ai shërben për t’u ndodhur “Kola në punë”.
Që të mos ju mbetet merak, për këtë të fundit po i referohem ligjit (nr.2) për Privatizimin e Albpetrolit (v. 2012) i cili ishte një ligj kot, që në thelb ishte si “një ide bosh që të bie mendjen vërdallë dhe nuk thotë asgjë”. Përse e mbani në inventar?. Por si ka mundësi që ty si deputet nuk të bie në sy që Ministri ka 8 vite që nuk ngre Institutin e Naftës dhe AKH-në që e miratuat në ligjin e ri “Për hidrokarburet” (v. 2017), këtë nuk e pranon askush. Më i madh bishti se sqepari.
Kushtetuta thotë nafta, gazi e mineralet janë pasuri e popullit. Aq më tepër që nga ne janë denoncuar në ecuri shkelje flagrante në marrëveshjet hidrokarbure, të shoqëruara me mungesë konceptesh e nocionesh bazë të thelbit të tyre. Kur nuk zbatohet ligji, nuk e kuptojmë pse e ke kaq të vështirë të pyesësh shqip me zë të lartë: – Përse zotërinj titullarë nuk e respektoni pushtetin e Legjislativit? As kaq nuk e bën dot o deputet?
Për Hidrokaburet, mundet që sot të kishim të prognozuara “Shpiragje” të tjerë në një territor të gjerë të vendit.
Strategia nuk pranon elemente të anarkisë që deformojnë zhvillimin ekonomik.
Nuk arrij ta kuptoj që ju, ashtu si Media, i bëni reklamë të fuqishme shefave të politikës. Më ka mbetur në mendje një intervistë e një njeriu me autoritet të madh – president i kompanisë mëmë “Coca Cola”, dhënë një gazete prestigjioze në prag të vitit 1991, i cili si sukses të tij cilësoi se i kishte provuar vetë të gjithë proceset e prodhimit, duke filluar nga larja e ambalazhit deri tek proceset teknologjike.
Në fund gazetari e pyet: – çfarë mendimi keni për reklamën e mallit. Ai buzëqeshi dhe i thotë: – reklamat e fuqishme i bëjnë ata që e kanë mallin e dobët.
Kur e keqja ndodh, problemi është ta kufizosh të keqen.
—-
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.