Ndërkohë që pak ditë na ndajnë nga diskutimet e Këshillit të Ministrave në Luksemburg për çështjen e negociatave, Franca vijon konsultimet përpara dhënies së një përgjigje për 15 tetorin. Lajmin e ka bërë me dije vetë ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak, e cila në një prenoncim për Vision+ u shpreh se Parisi po konsultohet me Berlinin për këtë çështje.
“Nuk jam në gjendje të përgjigjem. Autoritetet shqiptare e dinë që vendimi do të merret nga autoritet më të larta. Në kthim nga Njo Jorku zoti Rama na nderoi me pjesëmarrjen e tij te homazhet për Zhak Shirak. Në Shqipëri e dinë të gjithë se për vendime kaq të rëndësishme zyrtare ka konsultime të gjata. Unë nuk jam në gjendje t’ju them këtë gjë pasi konsultimet vazhdojnë, mes palëve me njeri tjetrin dhe ata janë konsultime të gjata dmth në Gjermani. Unë do t’ju kërkoja të merrni parasysh këtë aktivitet kaq të bukur se jeta vazhdon dhe ne do të kemi rastin të flasim për këtë temë qe i intereson të gjithëve më vonë”, tha ambasadorja Christina Vasak.
Kujtojmë se, Gjermania i tha “PO”Shqipërisë duke hapur dritën jeshile drejt BE-së, ndërkohë dy vendet skeptike për negociatat Franca dhe Holanda vijojnë ende të kenë një qëndrim të pasaktë përsa i përket 15 tetorit.