Nga Fatos Tarifa
Botuar në DITA
Ka disa kohë që gazeta Dita më ka bërë pjesë të kolegjiumit të redaksisë së saj. Në këtë cilësi, jam vënë në dijeni të disa mesazheve dërguar në adresë të kësaj redaksie mbushur me ankesa për shkrimin tim të disa ditëve më parë “Vdekja e Arsyes”.
Që kishte ardhur koha të shkruaja për atë subjekt, këtë e dija, por që me atë shkrim kisha goditur në shenjë, këtë ma thonë jo vetëm miqtë dhe dashamirësit që e kanë lexuar e më japin të drejtë, por sidomos disa nga ata njerëz që janë prekur, ose janë fyer, ose janë injoruar nga kritika racionale që u kam bërë pikëpamjeve të tyre fantazmagorike në shkrimin tim.
Edhe pse unë nuk kam zënë në gojë asnjë emër të përveçëm, të lënduarit zbulohen kolektivisht dhe individualisht me ato që thonë për gjuhën shqipe si gjuha më e lashtë në botë, madje si e para gjuhë e njerëzimit, dhe me mënyrën se si më mallkojnë—si “antishqiptar” dhe “tradhëtar i kombit” .
Sa për të qeshur! Qeshni edhe ju me mua, të dashur lexues të Ditës. Jo sepse ua kërkoj unë, por sepse këto çfarë do lexoni më poshtë prej njërit nga ky soj “atdhetarësh” nuk mund të lënë njeri pa qeshur.
***
Një prej të lënduarve nga shkrimi im ishte A.B. Emri i tij nuk j’u thotë asgjë, por e përmed këtu me iniciale, si shembuj, pasi mesazhi i tij “simbolizon” atë neurozë histerike dhe atë panik irracional që e kemi ndeshur shpesh kohët e fundit.
A.B. thotë se më ka drejtuar mua disa pyetje në Facebook, por nuk ka marë përgjigje nga unë. Unë as kam pasur, as nuk kam një adresë në Facebook. Më vjen keq që pyetjet e tij të mençura kanë humbur në cyberspace (kjo fjalë, ndoshta, nuk vjen nga shqipja). Por e kam të lehtë të kuptoj se ç’pyetje mund t’i ketë bërë një të panjohuri në hapsirën kibernetike A.B. Ky njeri e konsideron shkrimin tim si një “goditje antishqiptare që u shtohet përpjekjeve sllavo-greke në luftën e tyre kundër kombit tonë” .
Pa e ditur se cili është dhe ç’përfaqëson A.B., mësova se ai është autor i një shkrimi aluçinant, publikuar në një blog krejt të panjohur. Për shkak të subjektit që kam trajtuar në “Vdekja e Arsyes”, titulli i shkrimit të tij më “intrigoi”. Që në titull A.B. premtonte të jepte “prova se shkenca përdor fjalë që shpjegohen vetëm përmes gjuhës shqipe”.
Asnjë njeri me pak mend në kokë nuk do humbiste as një minutë kohë të merrej me gjëporat AB-jane, por meqenëse ju premtova të qeshni, po u them përmbledhtazi “provat” që ofron atdhetari i përvëluar A.B. Me këto prova ai kërkon të mbrojë interesat tona kombëtare dhe t’u japë dërrmën “përpjekjeve sllavo-greke në luftën e tyre kundër kombit tonë”.
Në ndihmë thërret astrofizikantin e shquar, të ndjerin Stephen Hawking, për të cilin thotë se, ashtu si Issac Newton, ka qenë profesor në Universitetin e Harvardit. Njerëz si A.B. janë kaq trushplarë dhe dembelë, sa nuk përpiqen as të verifiojnë fakte tepër të thjeshtë, jo më të gjurmojnë origjinën më të lashtë “shqipe” të termave që përdor kozmologjia dhe disiplina të tjera. Hawking ka qenë profesor në Cambridge, ndërsa Newton nuk e vizitoi kurrë Amerikën sa ishte gjallë dhe, prandaj, nuk ka se si të ketë dhënë leksione në Harvard, madje as online. Ndoshta e ka vizituar pas vdekjes, por këtë ia lë ta faktojë zotit A.B.
A.B. merr përsipër të shpjegojë se “emrat ose toponimet” që Hawking përdor në teorinë e tij “flasin shqip”. Po, po. Shqip. Siç flasim shqip unë dhe ju, të nderuar lexues. Dhe atdhetari unë, i vetbërë gjuhëtar, shpjegon se “në fillim ishte errësirë e plotë, pa kohë dhe hapësirë, kur papritmas një NUKLE dritë”.
Tani, lexomoni me kujdes. A.B. shpjegon: “NUKLE — NUK LË, pra nuk leu, nuk lindi, por dikush e solli atë pikëz drite, nga e cila nisi të lindë universi që njohim sot.
“Në këtë pikë”, vijon më tej A.B., “Hawking thotë se akoma nuk dihet shkaku apo arsyeja e shfaqjes së këtij NUKLE drite, akoma nuk i është gjetur shpjegimi. Hawking nuk besonte te Zoti, por unë jam i bindur”, thotë A.B, “se nëse ai do të dinte shqipen tonë, do të kuptonte etimologjinë e këtij toponimi”. (Një korrigjim i vogël, fjalë dritë nuk është një toponim).
Atdhetari-gjuhëtar A.B. merr përsipër të shpjegojë se “kjo pikë e parë drite NUK LEU nga asgjëja; atë e solli dikush, ose një forcë, pra Zoti” dhe “kjo kuptohet nëpërmjet etimologjisë të këtij toponimi, që nuk lë dyshime”. Nëse Hawking do ta njihte shqipen, thotë A.B., ai “do ndryshonte mendimin e tij ateist” .
Pastaj kemi fjalën ATOM, origjinën e së cilës ia veshim gabimisht latinishtes (jo graqishtes së vjetër!), pasi njerëzit nuk e dinë se “etimologjia e kësaj fjale vjen nga shqipja: AT – OM; AT – Babë, OM AM EM – Nanë, sipas dialekteve, të cilët e riprodhuan këtë fjalë në vazhdimësi”. “Atomi i parë”, na thotë A.B., “prodhoi atomin e dytë dhe kështu me radhë pa pushim. Pra fjala Atom u quajt kështu pikërisht per qëllimin qe kryen, prodhimin e tij”.
Dhe koncepti “Big-Bang”! Doni të mësoni etimologjinë e tij. Ua thotë A.B. Vjen “nga BUUUUUMMMMM — BUU — UMMMMM zhurma e plasjes, e cila vazhdon akoma sot të udhëtojë në pafundësi duke humbur në hapësirë pa u shuar asnjëherë, pra është zhurma e universit. A.B. nuk është i vetmi shqiptar që mendon se “Shqipja është gjuha e kozmosit, pasi vetëm kjo shpjegon fjalët me të cilat shkenca shpjegon teoritë e saj mbi universin”.
Por ka edhe më. “KAOS — KA – OS NGA – KU – vjen nga mjegulla dhe tymi që u krijua pas shpërthimit, kur nuk kishte kthjelltësi, por vetëm tym e mjegull me dendësi te madhe, në këto raste ne themi ku është?”.
Dhe pas gjithë këtyre, vjen “e vërteta e madhe”, që në mënyrë deklarative dhe pa pasur kurrfarë nevoje për pak bon sense (nëse edhe kjo shprehje nuk vjen nga shqipja, atëherë them gjykim të arsyeshëm), shprehet “me shumë zell, por me pak mënçuri”, siç do të thoshte Shekspiri, se “shqipja është gjuha e parë që është folur nga njeriu, gjuhë të cilën e patëm dhuratë nga Zoti, dhe që e ruajtëm vetëm ne PELLAZGO – ILIRËT – ARBËRORËT – SHQIPTARËT në një kohë që popujt e tjerë e humbën”.
Po pse jo edhe të parët tanë majmunoidë, do të pyesnin ata si unë (më të shumtët) që besojnë në teorinë evolucioniste të Darvinit?! Nga e mësuan njerëzit gjuhën e tyre nëse jo nga paraardhësit e tyre të drejtpërdrejtë?
A.B. përfundon me këtë thirrje patetike: “Bota nuk e di se këto toponime (Hamdi të thom, nuk janë toponime!) janë akoma gjallë në gjuhën tonë për faktin se nuk i kuptojnë nga vine këta emra, nuk e kanë idene e etimologjisë dhe shpjegimit të tyre, në bazë të funksionit që këto toponime kryejnë. Por edhe ata që e njohin të vërtetën, heshtin, bëhen indiferentë. Është detyra jonë që ta bëjmë të njohur antikitetin e gjuhës sonë”.
Siç ju, lexues të nderuar, e dini, çfarë lexuat më sipër përfaqësojnë jo vetëm pikëpamjet e përçarta të një personi të vetëm, por të një grupi njerëzish, vlerat dhe kredibiliteti i të cilëve, siç thotë vetë A.B., qëndron në faktin se ata kanë një “diplomë universitare”!! Kushdo nga ne që i kundërshton pikëpamjet e tyre jemi pjesë e një “batalioni antishqiptar”.
***
Për ta mbyllur këtë shkrim (por jo debatin tim publik mbi këtë subjekt, dëshiroj të them sa më poshtë.
Së pari, ju lutem atyre që besojnë me fanatizëm në përjetësinë dhe rëndësinë globale të shqipes, kushdo që jeni, që të mos e keqpërdorni e të mos fshiheni pas emrit dhe pas hijes së të ndjerit Petro Zheji. Mos e përzjeni Zhejin në qerthullën e përsihatjeve tuaja haluçinante dhe mos u krahasoni me të. Petro Zheji ishte një përkthyes i jashtëzakonshëm, një mendje e hapur dhe një intelektual i shquar. Unë kam pasur fatin të mësoj frëngjishten me të. Ju nuk jeni sëra e tij; përkundrazi, as i afroheni dhe aq më pak i ngjani atij.
Një pjesë e juaja krejt pa kulture dhe ndoshta nuk njihni asnjë gjuhë tjetër veç pellazgjishtes suaj të sotme, të cilën nuk besoj se di ta flasë ndonjëri prej jush. Të besosh se ato ç’ka thoni ju janë të vërteta ngaqë edhe Zheji, ky intelektual i shquar dhe njohës i kaq shumë gjuhëve, kishte një besim të sinqertë dhe shumë më mirë të informuar në lashtësinë e gjuhës shqipe, është njëlloj si të thuash se të gjithë shkencëtarët natyrorë besojnë se shkenca dhe feja janë të pajtueshme ngaqë Blaise Pascal besonte në ekistencën e Zotit.
Së dyti, shpesh herë i referohemi një shprehje të njohur nga Gottfried Leibniz, filozofit dhe matematikanit të madh gjerman, të cilën e shkëpusin nga konteksti. Unë nuk jam gjuhëtar, por si dukush që kam studiuar për një kohë të gjatë filozofi e njoh këtë mendimtar të shquar dhe për të u kam folur studentëve të mi të filozofisë, ndërkohë nuk besoj që ndonjë prej të ngjashmëve të zotit A.B., që më kanë shkallur “tradhëtar”, të ketë lexuar qoftë edhe një faqe të vetme prej ndonjërës prej veprave të tij. Është pa dyshim një gjë shumë e bukur dhe një fakt tepër interesant që Leibniz ka shprehur interes për gjuhën shqipe, por ato çka shkruar ai për gjuhën tonë nuk provojnë dhe nuk legjitimojnë asnjë nga pretendimet e atyre që autoritetin e këtij filozofi të madh e keqpërdorin—nga padituria e tyre—për qëllimet e tyre.
Për mungesë kohe, nuk mundem t’i përkthej sot në shqip disa prej mendime të tij, ndaj edhe po i lë në angisht, siç janë përkthyer mjeshtërisht nga Robert Elsie. Në fund të fundit, unë besoj se dikush që pretendon se shqipja është “gjuha e parë e njerëzimit duhet të dijë të paktën edhe një gjuhë tjetër veç shqipes, më së pakti anglishten, që sot është bërë lingua franca e komunikimit dhe e kulturës botërore. Sepse, sado e panevojshme për t’u thënë, që të bësh gjuhësi të krahasuar duhet të njohësh më shumë se një gjuhë.
Ja ç’ka shkruar, ndër të tjera, Leibniz, për gjuhën shqipe:
“As to the language of the Albanians, I have the impression that it may be a sort of Slavic since this tongue is spoken along the Adriatic Sea. It is commonly known as Linguam Illiricam, but I believe that the language of the ancient Illyrians was something quite different. If there were any remnants of it in the mountains of Epirus, it would certainly be very odd, and most worthy as a subject of research. I have thought about it more than once”.
“We see what the language of the ancient Illyrians was like. I nonetheless notice that there is much Latin in it. Attiyne for ‘our father’ corresponds to the Scythian languages. It would also seem that there are small traces of words which are like German, such as seet for ‘earth’”.
“It would be a good idea in Albanian to distinguish between what is native to the language and what has been borrowed”.
(Burimi: Gottfried Wilhelm Leibniz, Opera Philologica (Hildesheim: Georg Olms, 1989). Translated from the French by Robert Elsie.
Meqenëse këto radhë i shkruaj kryesisht për publikun e lexuar, nëse huazoj këto fjalë të Kantit, pra për ata që kanë një mendje të hapur dhe gjykojnë racionalisht, dhe jo për ata që kanë bindje të patundura në “të vërtetat” e tyre, besoj se gjej mirëkuptimin e tyre se e vërteta jo vetëm nuk është pjellë e autoritetit (siç vinte me të drejtë në dukje Francis Bacon), por edhe se e vërteta nuk mund të jetë kurrë absolute.
Së treti, të gjashmëve të zotit A.B. u them: Mos mendoni se duke thënë e stërthënë—dhe duke kërkuar që të huajt të besojnë—se shqipja është gjuha më e vjetë në botë, gjuha e parë e njerëzimit, gjuha e gjithësisë, ju i bëni nder gjuhës sonë të vjetër e të bukur, që e kemi ruajtur e trashëguar në mijëvjeçarë kur sulmoheshim e pushtoheshim nga çdo anë.
Njerëz si ju bëhen qesharakë në sytë e botës dhe i bëjnë edhe shqiptarët të duken qesharakë. Unë besoj se nuk ka vend në botë, ku të gjendjen njerëz si ju, që pretendojnë se gjuha e tyre—hebraishtja, arabishtja, armenishtja, greqishtja, madje edhe Euskara, gjuha më misterioze e më enigmatike që flitet ende nga një pjesë e baskëve—është gjuha e parë në botë, gjuha e njerëzimit! Një pretendim si i juaji nuk është atdhetarizëm; ai është lloji më i keq i atdhetarizmit, për të mos antiatdhetarizëm.
Së fundmi, një këshillë për kolegët e mi gjuhëtarë dhe historianë. Fusha e spekulimeve të tilla është domein i shkencës dhe shkencëtarët më të mirë në fushë të studimeve gjuhësore, historike dhe antropologjike shqiptare janë në Shqipëri, jeni ju. Zëri juaj duhet të dëgjohet më shumë. E di se shumë prej jush stepen, druhen, sepse kundërshtarët që keni përballë, ashtu si në politike, janë “të pamëshirshëm”, sulmojnë me ç’të munden, të bëjnë pis, me një fjalë, të qelbin. Fjala “qelbs” për kafshën me aromën më të ndryrë nuk kam as unë dyshim se vjen nga shqipja.
Por shkenca dhe rruga drejt së vërtetës janë të vështira dhe veç guximit në kërkim, kërkojnë edhe kurajë qytetare për t’ia bërë gjetjet e veta të njohura publikut të gjerë. Karl Sagan e shihte këtë si një ndër tiparet kryesore të karakterit demokratik të shkencës.
Nëse faqet e gazetave dhe ekranet e televizionëve, këto hapërira publike të domosdoshme për një shoqëri civile demokratike, ua lëmë pseudopatriotëve, pseudogjuhëtarëve dhe pseudohistorianëve si këta, soji i tyre vetëm se do shtohet.
Dhe nga që ajo çka duket interesante tërheq më shumë vëmendje e publikut të palexuar sesa argumentet që provojnë një të vërtetë të pjesëshme, por sidoqoftë një të vërtetë, rreziku nuk është thjesht hipotetik, por real. Pjesa më e madhe e publikut thuajse kurrë nuk i lexojnë atikujt tuaj studimorë të rënduar me citate e referenca dhe, për këtë arsye, numri i lexuesve tuaj dhe tanëve do të vijë duke rënë edhe më tej, ndërsa lexuesit e tyre në blogje do të shtohen.
Është koha të zgjohemi e të ndërgjegjësohemi për këtë fakt kaq të thjeshtë, por shumë dëmprurës.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.