Prof. Emil Lafe
Mirëmëngjesi Kosovë dhe Mirëmëngjes Shqipëri është titulli i një emisioni që jepet në mëngjes përkatësisht nga Radiotelevizioni i Kosovës dhe Radiotelevizioni i Shqipërisë[1]. Emërtimi është i njëjtë, por me një ndryshim “të vogël” gjuhësor: RT i Kosovës përdor formën normative të pasthirrmës përshëndetëse mirëmëngjesi (ashtu si mirëdita, mirëmbrëma), kurse TV Shqiptar formën e shkurtuar të ligjërimit bisedor mirëmëngjes. Ky shembull tregon se drejtuesit e emisionit përkatës në rastin e Prishtinës e përfillin normën letrare, kanë bindjen se gjuha letrare nuk vjen vetvetiu, po duhet mësuar me durim (sepse ka një bazë dialektore të ndryshme nga të folmet vendore e Kosovës) dhe duhet zbatuar. Kurse në rastin e Tiranës drejtuesit e emisionit përkatës dhe të TVSH në përgjithësi shfaqin një vetëbesim të tepruar se norma letrare është ose madje duhet të jetë ashtu siç flasin ata vetë[2]. Në fushën e kulturës së gjuhës në Shqipëri e në Kosovë, Maqedoni dhe në Malin e Zi ka probleme të përbashkëta, por edhe probleme të veçanta që, tashmë janë vënë në dukje. Dua të përmend me këtë rast amanetin e kolegut tonë të ndjerë, por të paharruar, Isa Bajçinca, për të ruajtur pastërtinë e gjuhës në fushën e sintaksës, për të mos lënë të hedhin rrënjë disa ndikime nga serbishtja e maqedonishtja, që janë të papajtueshme me sintaksën e shqipes.
“Gjuha e shtypit” është një temë mjaft komplekse. Jo gjithçka që del në shtyp duhet cilësuar si gjuhë e shtypit. Në radio e televizion flasin e burrat e shtetit, anëtarë të qeverisë, personalitete shtetërore e publike, njerëz të artit e të kulturës, qytetarë të thjeshtë; në gazeta botohen fjalimet e shkrimet e tyre, në të cilat redaksitë përkatëse nuk e kanë të lejueshme të ndërrojnë fjalë a shprehje dhe as kanë kohë ta bëjnë këtë. Në një kuptim më të ngushtë e më të drejtë me “gjuhë të shtypit” kuptojmë gjithçka thonë a shkruajnë vetë profesionistët e shtypit, drejtuesit e emisioneve, gazetarët dhe redaktorët[3].
Bie në sy se shtypit në gjuhën shqipe në tërësi i mungon ndjenja e disiplinës dhe e përgjegjësisë gjuhësore, i mungon gjakimi për një standard gjuhësor që të merret si shembull. Disiplinën gjuhësore, si çdo disiplinë tjetër, dihet se e vendosin dhe e mbajnë drejtuesit e asaj veprimtarie. Sipas vëzhgimeve të mia, me disiplinë më të mirë gjuhësore e me nivel më të lartë të kulturës gjuhësore sot paraqitet Zëri i Amerikës. Redaksia e gjuhës shqipe e këtij emisioni ka trashëguar një kujdes gjuhësor të vijueshëm që nga koha kur e drejtonte dr. Elez Biberaj. Ai i ndiqte vijimisht botimet për kulturën e gjuhës shqipe, e sidomos artikujt për gjuhën e shtypit, dhe përpiqej t’i zbatonte këshillimet e gjuhëtarëve. Edhe sot kjo redaksi i mirëpret dhe i zbaton këshillimet gjuhësore që i dërgoj herë pas here.[4]
Ndërkaq duhet mbajtur parasysh fakti i njohur se gjuha e shtypit të shkruar dhe e radiotelevizionit ushtron ndikim dhe merret si shembull. Prandaj edhe vëmendja shoqërore për gjuhën e shtypit është e madhe dhe ankesat e gjuhëtarëve e të shumë njerëzve që e vlerësojnë kulturën gjuhësore janë të shumta. Këtë e dëshmon edhe numri i konsiderueshëm i shkrimeve që trajtojnë probleme e të meta të gjuhës së gazetave e të emisioneve radiotelevizive. Për shtypin e shkruar ankesat janë: a) për gabime drejtshkrimore të natyrave të ndryshme; b) për gabime në format gramatikore; c) për gabime në ndërtimin e fjalisë e të frazës, duke përfshirë edhe ndikime të gjuhëve të huaja; ç) për përdorimin e fjalëve të huaja të panevojshme; d) për përdorimin e gabuar ose të pasaktë të fjalëve të njohura; dh) për të meta të kulturës së shprehjes në përgjithësi; e) për shkarje të pamotivuara në nivelin e ligjërimit bisedor. Për shtypin e folur janë shprehur kritika lidhur me shqiptimin jonormativ të folësve dhe të drejtuesve të emisioneve televizive dhe për fjalët e huaja të shumta që përdoren. Ndonjëherë disa autorë janë shprehur me të drejtë për gjuhën e shtypit me fjalë të ashpra që në titullin e shkrimit. Po kujtoj këtu artikullin e poetit dhe përkthyesit të njohur Robert Shvarc “Gjuha shqipe, mediat dhe mllefi im!”[5] dhe një intervistë të kohëve të fundit kolegut tonë Xhevat Lloshi, botuar me titullin “Huazimet që po rrezikojnë shqipen dhe më… “hapin barkun””[6].
Megjithatë duhet të pranojmë se shtypi i folur e i shkruar ka një ndikim të dobishëm në përhapjen e gjuhës letrare, sepse realizohet në këtë formë të gjuhës shqipe, me gjithë gabimet e të metat. Sot është zor të mendohet një njeri që nuk dëgjon radion a televizionin ose nuk u hedh ndonjë sy gazetave. Dhe në këtë mënyrë ai është nën ndikimin e gjuhës së shtypit më fort për mirë, sesa për të kundërtën e së mirës. Nëpërmjet shtypit njerëzit fitojnë përditë në mënyrë të vetvetishme njohuri plotësuese (ndaj atyre që kanë marrë në shkollë) për gjuhën letrare. E dyta, që duhet të kemi parasysh, është se gjuha e shtypit pasqyron kulturën gjuhësore të shoqërisë në përgjithësi, është tregues për kërkesat dhe vlerësimin në praktikë (jo vetëm me fjalë) të institucioneve për gjuhën letrare. Pra, gjuha e shtypit nuk është çështje vetëm e atyre që punojnë në shtyp. Dhe, e treta, ankesat për gjuhën e shtypit dhe për kulturën gjuhësore publike në përgjithësi po shtohen edhe në vende të tjera; sot vërehet një rënie e kulturës gjuhësore në shumë vende.[7]
Duke u kthyer në punët tona, do të thosha se artikujt me qortime për gjuhën e shtypit që botohen herë pas here, po ashtu qëndrimet publike të gjuhëtarëve në radio e në televizione kanë pasur dhe kanë ndikim, por jo të mjaftueshëm. Vërejtjet e ankesat tona për gjuhën e shtypit në konferenca e tubime të ndryshme shumë pak arrijnë në veshët e atyre që kanë nevojë më fort t’i dëgjojnë e t’i mësojnë. Çështja është që gjuhësia në bashkëpunim me organizmat shtetërorë e OJQ-të e ndryshme të fushës së shtypit të ndërmarrin së bashku një veprim më të përqendruar dhe më frytdhënës për ngritjen e kulturës gjuhësore. Mendoj se është e nevojshme t’u jepet përkrahje redaktorëve letrarë / lektorëve të shtypit, atje ku janë (sepse disa gazeta e kanë hequr këtë shërbim) për punën e tyre të pavlerësuar si duhet.
Në mungesë të një ligji për gjuhën shqipe (nuk më duket e afërt dita kur mund të merren seriozisht propozimet për një të tillë), mendoj se duhet vepruar për të shtuar një nen në “Ligjin për shtypin”, ku të përcaktohet përgjegjësia e shtypit për gjuhën shqipe, pa ndaluar përdorimin e varianteve letrare, të ndryshme nga shqipja standarde.
Për të ngritur kulturën gjuhësore të shtypit sigurisht ka rëndësi të dorës së parë formimi gjuhësor i gazetarëve të rinj në fakultetet përkatëse. Në këtë vështrim një nga detyrat është përmirësimi i programeve dhe i mësimdhënies së gjuhës shqipe në degën e gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Prishtinës, bashkëpunimi ndërmjet këtyre degëve, organizimi i veprimtarive të përbashkëta të tyre.
[1] Emisioni Mirëmëngjesi Kosovë! ka nisur më 29 prill 2002; emisioni Mirëmëngjes Shqipëri! ka nisur më 17 tetor 2016.
[2] Ka edhe shembuj të tjerë domethënës që tregojnë se në Kosovë i kushtohet më shumë kujdes zbatimit të normës letrare. Me rastin e fillimit të vitit shkollor në Kosovë shihet përshëndetja Mirë se vini nxënës të dashur! e shkruar kështu sipas rregullave të drejtshkrimit e të pikësimit, ndërsa në shkollat e Shqipërisë këtë përshëndetje të shumtën e rasteve e kam parë të shkruar Mirësevini nxënës të dashur – pra jo sipas rregullave të drejtshkrimit dhe pa pikëçuditje në fund.
[3] P.sh. nëse të ftuarit në një diskutim në tv thonë agravimi i situatës ose situatë e agravuar, intervenim i shpejtë etj., moderatori i emisionit nuk ka pse të rimarrë fjalët e tyre; ai duhet t’u japë të kuptojnë të ftuarve të tij se duhet të flasim më shqip duke thënë: rëndimi i gjendjes, gjendje e rënduar, ndërhyrje e shpejtë etj. Një shembull i mirë për këtë janë emisionet për shëndetin në TVSH të drejtuara nga mjeku Flamur Topi, i cili, kur mjekët e ftuar flasin me terma latinisht, ndërhyn dhe i bën të kuptueshme për dëgjuesit, duke i zëvendësuar me termat shqip, p.sh. tonsilet – bajamet, hepari – mëlçia, pulmonet – mushkëritë, insuficienca kardiake/renale – pamjaftueshmëria e zemrës/ e veshkave, arrest kardiak – pushim zemre etj.
[4] Kur u takova për herë të parë me dr. Elez Biberajn më 1995, më tregoi se i kishte grumbulluar të gjithë numrat e gazetës “Bashkimi”, ku botohej rubrika me këshillime gjuhësore “Këndi i gjuhës letrare” (prej 4 shkurtit 1979 deri më 15 mars 1991, gjithsej 187 shkrime) dhe i zbatonte. Prej vitesh jam në letërkëmbim me atë redaksi, u dërgoj këshillime të ndryshme (sidomos për mënjanimin e disa fjalëve të huaja) dhe vërej me kënaqësi se i zbatojnë. Në një letër me postë elektronike më 3 maj 2000 dr. Elez Biberaj më shkruante ndër të tjera: “Me kënaqësi të madhe mora letrën tuaj. Me gjithë se ka kaluar një kohë e gjatë që nuk jemi takuar, ju jeni gjithmonë i pranishëm në zyrën tonë. Rrallë kalon një ditë që unë nuk përmend emrin tuaj gjatë takimeve të punës me kolegët (në tavolinë mbaj librin tuaj “Për pastërtinë e gjuhës shqipe. Fjalor”, 1998).
[5] Gjuha shqipe (Prishtinë) 2002, nr.1-2, f. 35-37.
[6] Gazeta “Dita” (Tiranë) 14.11.2016.
[7] Kohët e fundit në shtypin italian është bërë e njohur një letër e 600 pedagogëve universitarë, akademikë, historianë, sociologë, ekonomistë etj., drejtuar qeverisë dhe parlamentit, me të cilën kërkojnë ndërhyrje të ngutshme për të dalë nga gjendja e sotshme (“shumë të rinj e shkruajnë keq italishten, lexojnë pak dhe kanë vështirësi për t’u shprehur me gojë”). Shih: http://firenze.repubblica.it/cronaca/2017/02/04/news/firenze_la_lettera_dei_600_docenti_universitari_al_governo_molti_studenti_scrivono_male_intervenite_-157581214/?ref=HREC1-4