Miku i Luigj Gurakuqit, që hapi shkollën e parë shqipe të Gjormit, në lumin e Vlorës

0
Gjigandi

Ilirian Ballaj

Kanë hyrë në historinë e kombit njerëz që kanë punuar jataganin e pushkën të frymëzuar nga atdhetaria e liria, deri në sakrifikim. Kanë hyrë në histori edhe ata, që kanë luftuar edhe me pushkë, edhe me penë, të frymëzuar nga thirrja: “Me pushkë e penë, për mëmëdhenë”.

Të gjithë janë krenaria jonë, historia jonë, që duhet t’i njohim, duhet t’i shpërfaqim, duhet t’i kujtojmë, ata janë thesari ynë më i madh e në se duhen piedestale, atje duhet t’i vendosim, sikurse edhe të tjerë patriotë shqiptarë. Një i tillë është edhe Halim Kajo i Lumit të Vlorës, dhe më tej që hapi shkollën e parë shqipe të Gjormit, në Lumin e Vlorës, më 1914. Me pak modesti do të thoshim se atij i shkon dicitura: “më i madhi ndër të rinjtë dhe më i riu ndër të medhenjtë”. E gjetëm firmën e tij në tri dokumente, dy si prefekt dhe një si përfaqësues i Shtetit Shqiptar më 1920 në marrjen në dorëzim nga italianët, të Vlorës, ndërsa një foto të tij s’e gjetëm që s’e gjetëm. Të shpresojmë në të ardhmen.

Të jetosh vetëm 31 vite, i ngelet që rreth 13 nga këto të jenë aktivitet madhor në shërbim të vetvetes, familjes, shoqërisë, atdheut. Ai, edhe pse në moshë të re, shërbeu pranë Sulejman Delvinës, ish kryeministër i viteve ’20 të shekullit të kaluar. Punoi prefekt dhe u bë njëri ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës me Ahmet
Lepenicën e të Luftës së Vlorës kundër Italisë. Kishte marrë pjesë, më parë, në shpalljen e pavarësisë, kishte luftuar me armë në dorë më 1912-1913 në Tatazat, në Bolene, në Janinë, në akademinë ushtarake në Napoli më 1918, kishte hapur shkollën e parë shqipe më 1914 në Gjorm të Vlorës e, si atdhetar, radhitej përkrah Osman Haxhiut, Spiro Gogo Kolekës, Haziz Camit e patriotë të tjerë vlonjatë.

Ai kishte lindur në vitin 1891 në Gjorm të Vlorës e vdekur shumë shpejt, më 1921 në Vlorë, ishte njeriu i dijes dhe i pushkës. Kishte qenë anëtar i shoqatave: “Mbrojtja shkollore”, “Opinga”, “Shtiza”, të Lumit të Vlorës, atdhetare dhe në “Komiteti i mbrojtjes” më vonë, kishte pritur të ardhurit nga Amerika të shoqërisë “Vatra”, fanfarën. Ishte shkolluar në Selanik e Napoli akademik ushtarak më 1916-1918. Por për ato që kishte bërë nuk ishte thënë asgjë, për pesëdhjetë vite të shkuara.Vetëm flitej, madje fort, në fshatin e tij, se kishte qenë i arsimuar goxha, një mësues i parë i shqipes. Por asnjë emërtim institucioni, dikasteri nuk ishte bërë me emrin e tij si fjala vjen shkollë, vatër kulture, muze, madje as edhe një pllakë kujtesë diku a një foto e tij në stendën e shkollës, a emri i një rrethi letrar të saj. Ajo çka rezulton, është se Halim Kajaj ishte një njohës i mirë i gjuhëve të huaja, greqisht, turqisht, italisht, ishte një mësues i mirë, një ushtarak i zoti, një pushtetar i kohës, i cili ka konsumuar disa takime edhe me Luigj Gurakuqin, atë kohë ministër i arsimit të pavarëssisë 1912, edhe me kryeministrin Sulejman Delvina më 1920.

RonaTyra

Duke shfletuar, por edhe duke pyetur për të, gjen se ai ka lindur në një familje të nderuar e të respektuar, atdhetare që në kohë, me tradita të theksuara blegtorale. Shkollën nismëtare e kishte kryer në Muradie të Vlorës, që ishte hapur në vitin 1908, atë plotësore e kishte përfunduar me shumë sukse më vonë, së bashku me Halim Xhelon, Meçan Dalanin, bashkëpatriotë të tij e krahinorë, në Selanik, në një shkollë laike të kohës, me shumë emër, që barabitej me “Zosimean” e Janinës. Prindët e tij e kishin pasur mundësinë e shkollimit me mundësitë e veta, por ishte ndihmuar edhe nga shteti i kohës me bursë, sidomos për ushtarak në Napoli, për xhandarmëri më 1916.

Në vitin 1913 e thirri Luigj Gurakuqi, atëmot Ministër i Arsimit i Qeverisë së Ismail Qemalit, në Tiranë, që të ngrinte shkollën e parë shqipe në Gjorm. Po në këtë vit ministri kishte bërë një vizitë në Mesaplik dhe kishte qëndruar edhe në Gjorm e kishte deklaruar hapjen e shkollës së parë shqipe. Ai kishte dhënë udhëzime për të gjetur nxënësit dhe shtëpinë ku do të hapej ajo shkollë më 1914. Më 1914, në shtator, ajo u hap me mësues Halim Kajaj e me pak nxënës të fshatit, vetëm djem. Ishte kërkuar lart nga pleqësia e kohës që të hapej edhe një internat (konvikt) aty për djemtë e krahinës, që të mësonin e të banonin pranë shkollës, pa vajtje e ardhje. Me vete, më 1913, Luigj Gurakuqi kishte patur edhe Halimin, që e kishte marrë nga zëvendës prefekt në Rogozhinë, Kavajë,Peqin. Sikurse shihet, ai ishte një punonjës me përvojë administrate, por interesi e donte të përhapte mësimin shqip e të vinte në Lumin e Vlorës, krahas të tjerëve, Muço Delo me shokë,gjë që e kishte premtuar Ismail Qemali në vizitën e vet në Mesaplik po në ’13. E këtë punë, hapjen e shkollave, e kishin bërë edhe patriot të tjerë të Lumit të Vlorës, që kishin lënë edhe ofiqe të larta e kishin shkuar mësues të mësimit shqip si Daut Seferi nga Vranishti, Gani Abazi nga Tërbaçi, Hasan Brahimi nga Mesapliku, Avdurraman Çiraku nga Vërmiku, Yzeir Skëndo nga Velça, ish anëtarë të “Mbrojtjes shkollore”, ish anëtarë të “Mbrojtjes kombëtare” 1920.

Në vitet 1916-1918 dërgohet student ushtarak në Napoli të Italisë, për akademik në profilin e xhandarmërisë, shërbeu në vitin 1918 në Vlorë. Më 28 nëntor 1918, duke e ndjerë atdhetarinë, harroi që kishte uniformë ushtarake dhe mori pjesë, me të tjerë ushtarakë, në protestën e flamurit te Xhamia e Tabakëve dhe te Bashkia, që përfundoi në rebelim, përleshje trup me trup, thirrje atdhetare, e deri përdorim armësh. Ngeli pa punë e militonte sa Tiranë –Vlorë me atdhetarë të tjerë Halim Xhelo me shokë, kundër regjimit të kohës. Brenda rrasës së ushtarakut, për të cilën ishte arsimuar, kishte fjetur atdhetaria e zjarri i saj ishte ndezur kur kishte parë vëllezërit e vet që përlesheshin me italianët. Kur ishin rreshtuar ballëpërballë protestuesit me karabinierët, Halimi kishte shkuar në anën e atdhetarëve, të vlonjatëve duke thirrur rroftë liria.

Në janar 1920 u thirr nga Ahmet Lepenica dhe Ferid Frashëri në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës. Shkoi atje dhe dha kontributin e vet në organizimin e mbrojtjes së kongresit së bashku me Ahmet Lepenicën, komandant dhe Fejzo Tafilin, lepenicioit edhe ai, ose Fejzo Lepenica. Pastaj erdhi në Vlorë. U përfshi në luftën e 1920, madje ishte i dërguar i Qeverisë së Sulejman Delvinës për Vlorën së bashku me Spiro Kolekën dhe Haziz Çamin, por që Vlora kishte liderët e vet. Kur erdhi momenti që vlonjatët të merrnin në dorëzim Vlorën e çliruar, italianët thanë “duam përfaqësuesit e qeverisë”, sepse ata përmbante protokolli ndërshtetëror Itali-Shqipëri. Dhe e bënë, e firmosën së pari të dërguarit e pastaj të tjerët. Këto janë dëshmi të shkruara shqip e italisht në protokollin përkatës mbajtur në Vlorë në aktin e dorëzimit.

Në shtabin e Luftës së 1920-s paska hedhur propozimin që të gjithë krerët e luftës të merrnin një front lufte, Gjormin, Kotën, Llogoranë, Bestrovën, Kaninën, Vlorën. Vetë kishte shkuar me batalionin prej 200 burrash të Gjormit dhe Lepenicës, në Llogora, nën komandën e Selam Hasan Premtit dhe Sheme Jazos. Sheme Jazo atje u vra.
Por sikurse edhe bashkëfshatarët e tij, gjormiotët, që më shumë kanë dhënë sesa kanë kërkuar e kanë marrë, ai kaloi në heshtjen e madhe për gjysëm shekulli, për arsyen s’dihet pse,… apo edhe dihet. Ai ishte i madh në bëmat e i heshtur nga buja, njeri modest në kulm, kështu kanë thënë ata që e kanë njohur. Urtësia e tij ishte modeli më i mirë i njeriut të thjeshtë e pa fjalë. Ata që flisnin për të shprehnin vetëm madhështinë e modestinë e tij të trashëguar në gen. E ata që flasin shprehin shqetësimin se ai njeri duhet njohur më mirë, për gjithçka bëri, për fshatin, krahinën, kombin, se ai është një mal me vlera atdhetari. Ai është një vlerë e krahinës, e kombit. Por heronjtë jetojnë dy herë, një herë tragjizmin dhe një herë komizmin, njëherë që i mburrin e një herë që i harrojnë e që edhe i shpotisin, nga që nuk dinë më tej.

Por çuditërisht në fundvitin 1920, duke shkuar së bashku me Tahir Nuren në Llakatund, Halimi u arrestua dhe u dërgua në internim në ishullin e Sazanit. Atje bëri, sikurse edhe të tjerët, një jetë shumë të vështirë, me mungesë dielli, drite, ajri dhe ushqimi, ata që e përshkruajnë atë internim thonë se u jepej vetëm një lloj supe me pak oriz a makarona, me shumë ujë, dy herë në ditë, vaj e sheqer as që bëhej fjalë, mish jo e jo. Thonë se ishte shëndetlig dhe në internim u bë edhe më keq, u dobësua dhe vuajti shumë prej shëndetit. E falën dhe e kthyen në Vlorë, por shëndeti i tij ishte rrokullisur,dhe vdiq papritur në vjeshtën e vitit 1921, në një moshë shumë të re, 31 vjeç.

Ajo shkollë në Gjorm ka emrin e një dëshmori për lirinë, të Luftës Nacionalçlirimtare, të një profesori nga Gjormi që punoi në Tiranë, por mund të kishte edhe emrin e Halim Kajos, që e ngriti. Nuk se u bë keq që iu vu asaj shkolle emri i një dëshmori, por mund të kishte edhe emrin e themeluesit sikurse ndodh gjithandej. Sidoqoftë, ajo sot është një shkollë e brenda memorjes për të, aty është edhe figura e madhe e Halim Kajos, burrit të ditur, por të thjeshtë, sikurse ia donte kultura që kishte, edhe pse ajo shkollë, sot, është tkurrur e mpakur, edhe pse njerëz banojnë shumë aty.

Sot është momenti që panteoni, që sikurse edhe shtëpia që e ka qoshin e vetë, ta ketë edhe Halim Kajon, që ngriti shkollën e parë shqipe më 1914.

Piedestalet presin. Ata, sikurse janë shprehur termopilasit në muranën atje, bëjnë thirrjen:“Në bëmë detyrën, ju vetëm na kujtoni!”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu