Mesazhi historik i Emmanuel Macron

0
Gjigandi

Nga Ledio Alite

“Këtu vë re një dashuri për dinjitetin njerëzor, për parimet themeluese të Evropës sonë që janë vetë kripa e Evropës. Këtë rrugë ju do ta kryeni. Detyra jonë është t’iu shoqërojmë me respekt, por gjithashtu me prova dashurie.

…Ju bëni pjesë në këtë perëndim që ju është rrëmbyer, një vend që ka parë gjithmonë Evropën, që e kanë konsideruar veten gjithmonë si evropianë dhe mesdhetarë dhe që tallazet e historisë, e kanë rrëmbyer disa herë, ja kanë rrëmbyer vetes, sikurse ndodh në mitin e Evropës, duke e çuar në një breg tjetër, në bregun e Perandorisë Otomane, pastaj në bregun e ideologjisë totalitare që e donte gjithnjë e më pak Evropën dhe gjithnjë e më pak identitetin e Evropës, duke e mohuar identitetin e grave dhe burrave dhe sovranitetin e popullit. Ju e keni rregulluar, e keni riparuar vetë këtë gjatë këtyre dekadave të fundit. Kjo ju bën përfundimisht, tmerrësisht evropianë”.

Këto ishin fjalët e Presidentit të Republikës së Francës Emmanuel Macron, në vizitën e tij historike në Tiranë. Më shumë se politike, këto janë fjalë që u drejtohen popullit shqiptar, nga autoriteti më i lartë i një prej vendeve themeluese të Bashkimit Evropian. Të duash parimet themeluese të Evropës, kripën e saj, do të thotë që së pari të njohësh themelet e saj, pra të kesh qenë aty që në fillim. Më shumë se kurrë duhet të jemi krenarë që ky fakt njihet sot nga kjo fuqi e Evropës. Akademikët, intelektualët, elita e këtij vendi nëse e konsiderojnë veten si të tillë duhet të ngrihen dhe të thërrasin: “O shqiptarë, ata e dinin, dhe ata tani na duan!”.

E vërteta e kësaj fjale është se po, tallazet e historisë e rrëmbyen Shqipërinë dhe e hodhën sa në bregun e orientit e sa në bregun totalitar, fantazmat e të cilit enden dhe sot. Këto tallaze u prodhuan si pasojë edhe e indiferencës së Evropës perëndimore. Por sot, le ta quajmë këtë një apologji të Presidentit francez, në respekt të gjithë atyre që dhanë jetën për një Shqipëri të lirë, demokratike, si gjithë Evropa. Për stërgjyshërit tanë shqiptarë të vërtetë që siç tha dhe Presidenti Macron, iu mohua identiteti dhe sovraniteti. Vetëm një gjykim i hollë dhe i analizuar mirë do të përbënte këtë deklaratë historike. Këto nuk janë strategji politike apo diplomatike, por fjalë të vërteta që i drejtohen vetëm popullit shqiptar, për rëndësinë dhe peshën historike të tyre, për njohjen më së fundmi nga super fuqia e Evropës të identitetit tonë të vjetër që i ka rezistuar errësirës, që bujtën në trojet tona si malar i egër.

RonaTyra

Presidenti Macron thotë se e kemi rregulluar, e kemi riparuar vetë këtë gjatë këtyre dekadave dhe kjo na bën përfundimisht, tmerrësisht evropianë. Përfundimisht… Tmerrësisht… Evropianë. Me kaq pak sa kemi bërë, dhe morëm një vulë historike të munguar prej shekujsh.

A po jeton Shqipëria sot në një kohë pasioni? A është jeta e popullit më shumë dashurore se sa burokratike, siç Emmanuel Macron po përpiqet të ndërtojë në Evropë? A jemi ne të gatshëm të vazhdojmë të ecim përpara në rrugën e kulturës dhe emancipimit, siç ky mik i Shqipërisë kërkon? Le të jetë ky një moment krenarie për shqiptarët, edhe në këto momente konfuze të jetës politike dhe ekonomike. Le të jenë këto fjalë shprese, për të mos emigruar më në një Evropë që mund të ndërtohet këtu, duke ditur secili të drejtat e tij kushtetuese që kjo Republikë sanksionon. Le të bazohen pra sot, më shumë, elita e këtij vendi, mbi argumentin e Presidentit më të fuqishëm të Evropës, për të inkurajuar më shumë liri dhe të drejta në pashaportën shqiptare të çdo patrioti.

 

p.c. / ABC24.AL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu