‘Me respekt, dashnorja e një burri të martuar dhe gruaja e dikujt tjetër’

0
Gjigandi

Pëshëndetje!

Teksa lexoja shkrimin e mbrëmshëm, ndjeja se si çdo gjë që shkruhej aty ishte e vërtetë. Në fakt unë nuk dal me këtë të martuarin sepse ai ka lekë, as ai nuk del me mua thjeshtë për të shfryrë frustrimin e tij seksual. Po, është e vërtetë që në jemi dy kundër gjithë botës, mardhënia jonë është përtej asaj normales e sado klishe të tingëllojë, asnjë nuk arrin ta mirëkuptojë ose thjeshtë ta kuptojë. Në fakt, asnjë prej nesh nuk pret mirëkuptim nga askush, jemi mjaft diskretë të dy e në kaq vite bashkë askush nuk ka ngritur qoftë edhe një dyshim të vogël.

Kjo për arsye se kemi mësuar si të jemi të lumtur qoftë edhe si dashnorët e një partneri/eje të martuar dhe nuk kemi lejuar që mardhënia jonë të ndikojë aspak tek mardhëniet tona zyrtare.Ne jemi njohur në rrjetet sociale, me saktë në Facebook, padiskutim me adresa fake. Kemi folur per rreth 2 muaj ashtu në anonim, nuk dinim as emrat dhe as nuk ishim parë ndonjëherë. Ama një gjë kemi patur që prej asaj mesante të nëntorit të 2018 deri më sot, sinqeritetin. Nuk fshehëm që ishim të martuar, nuk fshehëm që kishim patur lidhje të tjera jashtë mardhënieve zyrtare, nuk fshehëm pakënaqësitë tona seksuale nga partnerët, shkurt, nuk fshehëm asnjë ndjesi, ndyrësi, padrejtësi që kishim bërë. E çfarë na lidhi? Pikërisht kjo, fakti që nuk gënjyem, nuk paragjykuam por i dhamë të drejtë njëri-tjetrit. Më shumë se sa i dhamë të drejtë, ndjenim që kishim të drejtë dhe ashtu të dy u ndjemë mirë, respektuam vendimet tona dhe pranuam realitetin në të cilin jetonim. Ndjeva sikur qëndroja përpara pasqyrës teksa flisja me të.

Ashtu siç Dalina thekson, nis me një mesazh që ti mendon se të nesërmen, nuk do ketë asnjë kuptim e askush s’do e marrë vesh pasi të zgjohesh. Në fakt, ajo që më zgjoi ishte alarmi i tim shoqi nga dhoma tjetër ndërkohë që unë isha e mpirë në sallon, këmbëkryq me lap top në prehër mbi divan. E kuptova që kisha folur kaq shumë me një të panjohur e nuk kisha bërë as 20% të punës që kisha nisur atë mbrëmje. E vërtetë, nuk doja të ndalja së foluri me atë njeri, me zor prisja një mesazh, më vonë lija punët e mia që të kisha kohë më tepër për të. Edhe unë u tundova ti vë shqelmin moralit sërish, për ta çuar deri në fund. Them sërish, sepse më herët kisha patur dy lidhje të tjera paralele, ndryshe nga kjo aktualja që ishin thjeshtë fizike. E ashtu mendova se do ishte dhe kjo, ndoshta një apo dy herë seks e pastaj secili të vazhdonte jetën e tij.

Ndodhi që pa u takuar akoma, por vetëm duke shkëmbyer mesazhe, biseda me zë dhe foto vetëm muajin e 3-të komunikimit, pranuam që ishim të dashuruar me njëri tjetrin. Sado absurde mund t’ju tingëllojë, edhe sot vazhdojmë ja pohojmë njëri tjetrit dashurinë si atë mbasdite janari të 2019. Po, edhe ne mendojmë se jemi takuar shumë vonë, por i përkasim njëri -tjetrit që prej një jete të shkuar e i jemi betuar njëri tjetrit deri në vdekje. Po, jam e lidhur me nje burrë të martuar dhe po, ai është i lidhur me një grua të martuar.

RonaTyra

Ndryshe nga të tjerët ne ja njohim dhe ja pranojmë limitet njëri- tjetrit. Kemi mësuar të jetojmë me to dhe më besoni, e bëjmë më së miri. Ne e dimë që jemi te lidhur me dikë të martuar, nuk xhelozojmë për partnerët e njëri- tjetrit, nuk ndërhyjmë kurrë në punët e njëri -tjetrit por kërkojmë dhe i japim llogari njëri tjetrit për shumë gjëra.Në momentin që ne jemi njohur ai ishte prind, unë u bëra mama para disa muajsh.

(Shoh një hije dyshimi teksa më lexoni, por jo, babai i fëmijës tim eshtë bashkëshorti im.) Pra, as shtatëzania, as koha e kaluar më tepër me tim shoq nuk e prishi këtë mardhënie që ne kemi ndërtuar, sepse theksoj, ja njohim dhe ja pranojmë njëri tjetrit limitet që kemi. Po, ai “më le në baltë” për të shkuar te familja e tij, por unë nuk mërzitem sepse edhe unë bëj të njëjtën gjë për te shkuar tek e imja. Po, jemi për njëri -tjetrin me kohë të pjesshme, por sapo ta gjejmë atë kohë përpiqemi t’i marrim më të mirën. Ne jemi shokë, miq, të dashur, dashnorë, partnerë, jemi dhe kemi gjithçka kërkojmë tek një njeri. Në fakt ne kemi atë që çdo çift duhet të ketë mes tyre, pavarsisht se ne jemi një çift “jashtë normave”. Nuk dua të justifikojmë tradhëtitë tona, me faktin që tek njëri -tjetri gjejmë atë që nuk kemi gjetur tek partnerët tanë, por kjo është e vërteta. Ne sallonin tim të ndenjes, ka dy korniza me foto të miat dhe të tim shoqi.

Njëra është e para 10 viteve, fëmijë akoma, pa eksperienca dhe me veshje shumë të lira prej studentësh, por të qeshur, të lumtur, të shfrenuar, tjetra është e para 1 viti kur unë isha shtatëzënë. Kur pyeta tim shoq për diferencën mes dy fotove, tha thjeshtë faktin që unë isha shtatëzënë, asgjë tjetër. Ai nuk e kupton se ne jemi rritur, kemi ndryshuar, buzeqeshjet tona janë bërë më të shndëritshme prej fasetave që kanë kushtuar mijëra euro. Glam-i im në foton e fundit ka kushtuar më shume se gjithë veshjet e viteve të mia studentore, kostumi i tij ka kushtuar më shumë se tarifa e specializimit të tij në një vend të huaj. Po, karrierat tona janë mjaft të suskesshme, mirëqenia jonë është rritur, por kemi harruar të ushqejmë dhe të rrisim gjënë më kryesore, dashurinë dhe mardhenien tonë.

Në llogari kemi më tepër, aq sa nuk vihet re fare që unë prej 3 vitesh paguaj gjysmën e qirasë së një apartamenti në Tiranë që ndaj me burrin e tjetrës, në frigorifer e në kuzhinë kemi më tepër, por ne nuk gatuajmë kurrë në shtëpi. Kur unë jam ankuar për diçka, goja “më është mbyllur” me një dhuratë. Ndoshta as unë nuk kam bërë diçka për ta kundërshtuar këtë gjë, por kam pranuar. E pranoj që ardhja në jetë e fëmijës tonë më bëri të mendoj edhe të shpresoj sadopak që mardhënia jonë mund të përmirësohej e të ngrohej, por jo, nuk ndodhi. Ne të dy u fokusuam te fëmija dhe sërish harruam njëri tjetrin. Theksoj që nuk kemi diskutime të forta si çift, s’kemi skena xhelozie, jemi formalisht korrekt me njëri tjetrin dhe shumë bukur në sytë e të gjithëve. Im shoq ka dy prioritete në jetë, puna dhe të më blejë mua (edhe fëmijës tonë tashmë) çdo gjë të mundshme. Harron që unë si njeri kam edhe nevoja të tjera.

Sa i përket mardhënieve seksuale, jemi sërish politically correct dhe thjeshtë kryejmë detyrat tona bashkëshortore “brënda normave” prej vitesh tashmë. Pas gjithë kësaj, për mua qe krejt e lehtë të lëshohesha në krahët e tjetrit, ndjeja që ai më kuptonte, nuk më gjykoi asnjëhere, përkundrazi e mbështeste dëshirën time për të gjetur ngushëllim gjetkë. Të dy gjetëm veten tek vuajtjet dhe mungesat në mardhëniet tona dhe nuk bëmë asgjë veçse i mbushëm e i plotësuam ato boshllëqe. Ne e dimë çfarë duam, çfarë kërkojmë, çfarë na mungon sepse ndajmë çdo gjë me njëri tjetrin. Ne madje dimë edhe shumë detaje edhe për partnerët e njëri tjetrit sepse në këtë mënyrë kemi arritur të njihemi edhe më mirë. Nëse bashkëshortit tim i duken absurde dhe qesharake disa nga dëshirat e mia seksuale, tjetrit i duken arsye mjaft të forta për të lënë punën e për të më takuar.

Prej ditës që ne jemi takuar e deri më sot, prezenca e njëri tjetrit ka bërë që çdo gjë në jetën tonë ta planifikojmë me tjetrin në mendje. Ne qëndrojmë ditë pa u takuar, ka patur javë edhe muaj kryesisht gjatë pandemisë, por sado kohë të kalonte jemi ritakuar gjithmonë me një dëshirë e dashuri më të madhe.
Ka ditë që ngjeshim punët me qëllim që të lemë një ditë të lirë për tu takuar, punët jashtë qytetit i organizojmë në mënyrë që të mund të takohemi edhe bashkë. Kemi fatin që të dy jemi në pozicione drejtuese në bizneset tona private dhe nuk i japim askujt llogari nëse papritur na del një punë jashtë Tiranës. Anullojmë, shtyjmë takime qoftë edhe nëse njëri prej nesh ka nevojë ta takojë tjetrin, thjeshtë për një përqafim. Në fund të ditës, përqafimet e tij më bëjnë të vazhdoj këtë mardhënie e të mos pendohem për asgjë.

A jam krenare? Jo! A mburrem për këtë gjë? Absolutisht që jo! Unë di vetëm që e ndjej këtë gjë, e dua dhe do vazhdoj ta bëj për sa kohë ne kemi vendsour të jemi pranë njëri tjetrit. Logjikshëm mund të lindë pyetja se përse nuk ndahemi të bëhemi me njëri tjetrin. Në mënyrë kategorike kjo gjë nuk ndodh, ne do vazhdojmë të jemi sekreti i njëri tjetrit dhe të jemi për familjet tona gjithmonë. Asnjëri prej nesh nuk e dëshiron këtë gjë, ne e pranojmë që jemi këta qe jemi vetëm prej statusit dhe pozicioneve në të cilat ndodhemi. Ne e duam njëri tjetrin, jemi koshientë për çfarë mundemi t’i ofrojmë ose jo kësaj madhënieje dhe e kemi pranuar njëri tjetrin në këto kushte. Ne japim dhe marrim tek tjetri vetëm dashuri, ndjesi të forta, kemi një mardhënie të ngushtë seksuale, jemi aq vetëvetja me njëri -tjetrin sa nuk kemi qenë kurrë as me veten kaq shumë.

Në momentin që po e mbyll këtë shkrim, është ora 16:02, unë jam shumë e lumtur që më vonë do e takoj për herë të dytë pas gati 3 javësh sepse kemi qenë secili me pushimë jashtë Shqipërisë. E nëse ju kuriozon ndopak, po, kemi ndikuar fort që pushimet t’i kishim në të njëjtat data në mënyrë që të mos rrinim gjatë pa u takuar. Mund të dukem mjaft egoiste, por jam shumë falenderuese që të dy, edhe im shoq edhe ai levizën shumë punë për të patur datat e pushimeve që kërkoja unë. Me respekt, lumturisht bashkëshortja e dikujt dhe dashnorja e një burri të martuar.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu