Mbreti i Panairit!

0
Gjigandi
Nga Edison Ypi
Të jetë për mua, unë i bie shkurt. Nxjerr një VKM (Vari Këmborën Mushkës) për të zgjedhur Mbret të Panairit të librit Mitat Frashërin, dhe u kry. Por Mitati ka vdekur. E helmoi Sigurimi.
Naim Frashëri, Fan Noli, Zef Serembja, Migjeni, që edhe ata e meritojnë të shpallen Mretër, edhe ata kanë vdekur.
Mbret i Panairit mund të qe fare mirë Lasgushi. Mirpo Lasgushi, që me panaire, kongrese, sympoziume, promuovime, s’u muar kurrë, zor se do pranonte. Për më tepër, Shtërgu i Fundit fluturoi “Dyke ikur nëpër natë, sipër malesh me dëborë”, dhe s’ka qen kufiri që e gjen pranë cilit Liqer a krua ka ndalur e po këndon.
Mbretëreshë e këtij Panairi Libri do e meritonte Lea Ypi. Halli se fenomenalja Lea Ypi s’ja ka ngenë. Po merret me kryeveprën e ardhshme që do çudisi botën, me librin për Gjyshen dhe Moralin. Këtë herë nuk është strukur në dollap të shkruaj libër pa u bezdisur. Po zbaton strategji tjetër. Ka vajtur te ca fafarefisër në fund të Botës, në Australi. Atje shkruan e shkruan për Shqipërinë duke parë nga dritarja kangurët e Australisë me kalamjtë e tyre në xhep. Më mirë që s’ësht Lea në Panair. Ypi për Ypi, do isha në konflikt interesi dhe s’do mund t’i bëja komplimentat e duhura.
Mrekullia vetë do ishte, dhe plotësisht titullin Mbret i Panairit do ta meritonte Sal Berisha me një libër me kujtime. Mes shum dejeve, ka dhe dell letrar Sala. Titulli dihet: “Nga Viçidoli te shqupi”. Aq fort do pëlqehej libri autobiografik i Salës, sa, me ta marrë vesh, Blinken do linte gjith bisedimet, Biden do braktiste krejt fjalimet, dhe atë dreq Non Grata që tingëllon si emër llotarie tip gërvisht e fito, do ja hiqnin urgjentisht. Mirpo Sala që të 10, librave të bardhë dhe kujtimeve të zeza tanipërtani s’ua ka ngenë. Është deri në fyt me Vulën, Siglën, Foltoren, Bravën, shqupin, SPAK-un, Klubin, Dhëndrrin.
Para ca ditësh Fevziu bëri një reportazh për Shtegun e Ngjyrave në Shishtavec. Aq fantastik ai reportazh, sa ta kishte bërë National Geographic dhe ta kishte dhënë BBC, treqint milionë njerëz anembanë botës do e shihnin. Edhe video reportazh edhe libër Panairi, dy kryevepra kaq afër e afër sikur s’kanë lezet. Para se qefliu i udhëtimeve në vendet e kanibalëve ta rrëmbejë kurorën e Panairit, le të ndreqi muzikat e reportazheve që i ka për ibret. S’janë mangët Përmeti, Labëria, Shkodra, Korça, për kabara, të qara, kanconeta, serenata, që ti dënosh duke u vënë muzikë amerikane apo franceze në sfond. Të cilat ndoshta janë të mira për atje ku janë, por jo për Shkodër e Dibër, Pukë e Mallakastër.
Ilir Ikonomi me gjithatë libër për Nolin e meriton plotësisht titullin e lartë Mbret i Panairit. Do gëzohesha shumë. Se e kam edhe mik dreqin. Me plot të drejtë u fol këto ditë për Ikonomin Murg e Prift njësoj si Noli. Ta marrim shtruar. Ta shpallim Ilir Ikonomin Mbret kur për Nolin të nxjerri volumin e dytë me titull Maratonomak.
S’ësht kollaj ta gjesh kush meriton të shpallet Mbret në këtë llumnajë që e quajnë Letërsi, dhe këtë lukuni që e quajnë Panair.
Ama një Mbret apo një Diell diku e ka ky panair. S’ka qiell pa Diell. Do bënte ftohtë. Do mërdhifnim. S’do na shkonte mendja për Letërsi e panaire.
Mbreti pra, diku ndodhet, Mbret dikush është. Vështirë t’i vihet gishti. E çë se s’ja kemi lexuar ende librin. As prapa Hënës as në fund të detit s’kemi qënë. Por i njohim milimetër për milimetër. Ka shenja të tërthorta për të dalluar një Kryevepër., Ky Panair e ka një Mbret. Jo mbret dosido “Hidh në ferrë një rraqe të vjetër, të dalin njëqint mbretër”. Mbret me Kurorë, që shkruan dhe nuk ndjehet. Që nuk sorollatet posht e përpjetë, sa në kafene e mëhallë, sa në Fejsbuk e Instagram. Një fakt kronike që u përputh me një iskër letrare shkruar kohë më parë, u bë sebep.
Koincidenca paratha atë që ndodhi. Jo dokrra. Çvendosje demografike ndërkontinentale. Ishte Profeci si ato që paralajmërojnë evente të ardhme të rëndësishme, Ditën e Kijametit, Fundin e Qytetërimit, riardhjen e Mesjetës.
Nuk ndodh çdo ditë.
Ndodh një herë në një mijë vjet. Çartallosje në të tilla proporcione quhen Profeci. Dhe Murgu që i mban si thes mbi kurriz duke ikur në muzg, është shumë më tepër se Mbret, Noatradamus, apo magjistar, ësht Profet.
Mjafton e tepron për Mbret.
Origjina – Mbretëria e Kolonjës.
Besimi – Kaurr.
Profesioni – Murg.
Zeja – Shkrim e këndim.
Shenja të veçanta – Perfeksionist.
Koha – Ab Aeternum.
Emri Ben.
Mbiemri Blushi./abc24.al
RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu