”Lonely Planet Italia”: Tirana, kryeqyteti i ri i teknologjisë së lartë i Evropës Lindore

0
Gjigandi

Katërmbëdhjetë shkallë të pjerrëta të bardha të vendosura në të gjithë strukturën të çojnë në majën e Piramidës së Tiranës, shkruan Francesca Masotti në një artikull të botuar në revistën italiane, “Lonely Planet Italia”.
Ish-trashëgimia e epokës komuniste, e ndërtuar në vitin 1988 me iniciativën e vajzës dhe dhëndrit të diktatorit Enver Hoxha, pas katër vitesh punë, më në fund ka rihapur dyert për publikun dhe po përgatitet të bëhet qendra më e madhe multifunksionale në Evropën Lindore.

Ajo lindi falë një investimi të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Bashkisë së Tiranës, projektuar nga studioja e famshme holandeze e arkitekturës MVRDV.

Studioja ka rinovuar me mjeshtëri kompleksin e rrënuar dhe gjithashtu hapësirat e jashtme të Piramidës, duke ruajtur strukturën bazë origjinale.

Tani ajo është një ndërtesë transparente ku mbizotëron e bardha dhe drita, me dritare të mëdha, elementë hekuri, kuba me ngjyra, pemë dhe gjelbërim përreth.

Tirana kryeqyteti i ri për t’u zbuluar
“Dhomat e saj do të presin biznese të reja, zyra, evente dhe një qendër TUMO për t’u garantuar studentëve të rinj shqiptarë dhe rajonal, akses në aftësitë dixhitale të afta për t’u dhënë atyre një të ardhme punësimi.

RonaTyra

“Qendra të ngjashme janë tashmë funksionale në Jerevan, Paris, Berlin, Los Anxhelos, Zyrih dhe Lion, por ajo në Tiranë është hapësira e parë për teknologjitë kreative në të gjithë Ballkanin”, tha Ketrina Jarazi, drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit në Bashkinë e Tiranës.

Vitet e fundit, qyteti ka ndryshuar shumë, tani ka ndërtesa të reja, zona të rinovuara, restorante të shkëlqyera, ngjarje çdo javë, dhe shumë turistë.

Tirana tashmë ofron gjithçka që duhet për t’u bërë destinacioni i ri për një fundjavë ndryshe.
Këtë vit numri i vizitorëve ishte shumë i lartë për një komb të vogël si Shqipëria, e rrethuar nga vende si Italia, Kroacia, Greqia, Turqia.

Sipas të dhënave nga Instat, Instituti Kombëtar i Statistikave të Shqipërisë, numri i turistëve arriti ne 8,2 milionë.

Çfarë duhet të bëni në Tiranë
Linjat ajrore me kosto të ulët tashmë lidhin kryeqytetin shqiptar me aeroportet kryesore evropiane dhe duke filluar nga nëntori, “Ryanair” do të fluturojë drejt Tiranës edhe nga Bolonja, Milano, Roma, Katania, Treviso dhe shumë qytete të tjera të kontinentit të vjetër.

Kalendari i ngjarjeve po evoluon vazhdimisht, këtë verë artistë të mëdhenj si Enrique Iglesias, Ricky Martin dhe Placido Domingo performuan në Tiranë, ndërsa festivali ndërkombëtar i filmit TIFF dhe Festivali Europian i Filmit Rinor i Tiranës tërhoqën aktorë dhe regjisorë nga i gjithë Ballkani dhe Evropa.

Por, viti nuk ka mbaruar akoma, më 16-17 tetor Festivali Kosmos mbledh artistë të muzikës klasike vendase dhe ndërkombëtare në qytet.

Nga 15 deri më 19 nëntor organizohet Panairi i Librit dhe ky është rasti më i mirë për të takuar autorë të veprave, shumë prej të cilëve janë përkthyer edhe në italisht.

Më 29 nëntor është Nata e Bardhë e cila do të shoqërohet me muzikë, kërcim dhe argëtim në rrugët e Bllokut.
Festa e Krishtlindjeve, nga dhjetori deri në fillim të vitit të ri mbledh artizanët, bodrumet e verës dhe stendat e ushqimit në sheshin Skënderbej.

Vizitë në muze
Nga sheshi i madh, zemra e qytetit, deri te BunkArt2 është vetëm një hap larg.
BunkArt2 është muzeu kushtuar viktimave të regjimit komunist, i ndërtuar në dhomat e një bunkeri antiatomik në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Bunkart1 në periferi të kryeqytetit, gjithashtu i ndërtuar brenda një bunkeri (me shtatë kate nën nivelin e tokës) përfshin salla, dhoma dhe një teatër.

Dy ndalesa të paharrueshme për t’u thelluar në historinë jo shumë të largët të Shqipërisë, në xhevahirin e vërtetë të Shtëpisë së Gjetheve, fituese e Çmimit Muzeor 2020 të Këshillit të Evropës, në ish-selinë e Sigurimit, policia sekrete shqiptare në kohën e Hoxhës.

Mes arkivave dhe pajisjeve të llojeve të ndryshme, rrëfehet dhe përkujtohet dhuna psikologjike në muze, shkelja e të drejtave të njeriut dhe kontrolli i ushtruar ndaj qytetarëve gjatë viteve të vështira të regjimit komunist.

Tirana me pamje
Në fund të ditës, rrugët e qytetit mbushen me njerëz, Parku i Madh, në fund të Bllokut, tërheq familje dhe sportistë, çifte të moshuarish për shëtitje dhe grupe të vogla miqsh që takohen.

Është gjithmonë kënaqësi të ecësh këtu dhe përshtypja që të jep ky vend është se nuk ndihesh kurrë vetëm, por pjesë e një komuniteti të madh.

Gjatë perëndimit të diellit, megjithatë, bëni sërish një vizitë në Piramidë, ngjituni në majë të saj për të admiruar qytetin nga lart në orarin më të bukur të ditës.

Sigurisht që nuk do të jetë një pamje si ajo e Romës apo Parisit, por kryeqyteti shqiptar është “shtëpia ime larg shtëpisë” dhe për mua çdo herë është gjithmonë e bukur, origjinale, unike. Me një fjalë të vetme? Tirana.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu