Libri i kujtimeve “Spare” të Princ Harryt ka shitur më shumë se 3.2 milionë kopje në mbarë botën pas një jave botimi dhe pritet të renditet ndër botimet më të shitura të të gjitha kohërave.
Penguin Random House njoftoi të enjten se kujtimet e princit Harry shitën 1.6 milionë kopje vetëm në SHBA. Është një numër i krahasueshëm me shitjet e javës së parë për librat e suksesshëm si “A Promised Land” e ish-Presidentit Barack Obama dhe “Becoming” e ish-zonjës së parë Michelle Obama, i cili ka shitur më shumë se 17 milionë kopje që nga dalja në 2018.
Botuesi britanik njoftoi javën e kaluar se “Spare” shiti 400,000 kopje në Mbretërinë e Bashkuar në të gjitha formatet – hardback, e-libër dhe audio – në ditën e parë.
Shitjet totale të shpallura për “Spare” janë për botime të shtypura, audio dhe dixhitale në tregjet kryesore në gjuhën angleze: SHBA, MB, Kanada dhe Australi. Libri ka dalë në 15 gjuhë të tjera dhe priten botime në 10 gjuhë të tjera.