Vrasës me pagesë dyshohet të jenë përdorur për ekzekutimin e dy të rinjve romë në Durrës
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar në zonën e Nishtullave, në Shkozet të Durrësit, kur nga një automjet në lëvizje u ekzekutuan me armë zjarri të llojit pistoletë.
Në funksion të zbardhjes së krimit policia ka shoqëruar disa dhjetra persona në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe nga hetimet paraprake dyshohet se Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia janë vrarë për larje hesapesh që lidhen me prishjen e pazareve të drogës.
Gjithsesi grupi hetimor nuk përjashton dhe pista të tjera. Për shkak të dinamikës së krimit dyshohet se ai është kryer nga vrasës me pagesë. Lëvizjet e viktimave janë ndjekur nga autorët dhe në momentin që ndodheshin në rrugë në afërsi të tregut me shumicë të fruta-perimeve janë qëlluar me armë.
Pak orë pas vrasjes në Rrogozhinë u gjet i djegur dhe një automjet tip Benz që rezultoi të ishte i vjedhur në fshatrat e Rrogozhinës. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e krimit dhe identifikimin e kapjen e autorëve, po deri tani nuk ka ende asnjë të ndaluar për ngjarjen.