Kryeministri çek: BE-ja ende e ndarë për planin e rimëkëmbjes

0
Gjigandi

Pikëpamjet e drejtuesve të Bashkimit Evropian për një plan të rimëkëmbjes mbetën “diametralisht të ndryshme”, tha kryeministri çek, Andrej Babis. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë filluar diskutimet të premten për një paketë stimiluese ekonomike, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për periudhën e pas-koronavirusit.

BE-ja po përpiqet të arrijë pajtimin edhe për buxhetin 2021-27, i cili është paraparë të jetë mbi 1 trilion euro. “Deri më tani nuk e kam ndjenjën se po i afrohemi një marrëveshjeje, përkundrazi kam ndjenjën e kundërt”, tha Babis, pasi liderët e BE-së filluan një pauzë, pas disa orësh diskutime.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila feston ditëlindjen e 66-të të premten në Bruksel, ishte gjithashtu e kujdesshme kur foli për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, duke parashikuar “negociata shumë të vështira”. Çështja kryesore është se sa pjesë të fondit të rikuperimit do të shpërndahen si grante dhe sa si kredi.
Plani i rimëkëmbjes, i cili mbështetet nga Franca dhe Gjermania, aktualisht parasheh 500 miliardë euro grante dhe subvencione dhe 250 miliardë euro kredi. Shtetet me më shumë kursime, si Austria, Suedia, Danimarka dhe Finlanda, duan kontroll mbi mënyrën e shpërndarjes së parave.
Shtetet e jugut, si Italia dhe Spanja, thonë se një gjë e tillë do ta bllokonte procesin. Takimi në Bruksel pritet të vazhdojë edhe në fundjavë, por liderëve të BE-së mund t’iu duhet më shumë kohë për të arritur marrëveshjen përfundimtare. Banka Qendrore Evropiane ka parashikuar tashmë rënie prej 8.7% të ekonomisë së Eurozonës këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu