Sefer Pasha
Recitimin e një poeme epike nga Edi Rama në Derviçan të Dropullit në ceremoninë e përurimit të bustit kushtuar figurës së Kostandin Micotaqis zgjoi në imagjinatën time një kohë tjetër. Isha pa vënë brisk në faqe kur më caktuan të drejtoja shërbimet në Kakavijë. Nuk kishte shumë kohë që kishte dështuar Junta Ushtarake dhe në horizontin e Greqisë së re ishin shfaqur dy figura të shquara: Andreas Papandreu dhe Kostandin Micotaqis. Propaganda komuniste i demaskonte ata që të dy si “Monarkofashist”. “Ziqi” (kandari) komunist në Shqipëri anonte nga Papandreu. Çoç thuhej ndonjë fjalë e mirë për të.
E mbaj mend asohere si të ketë ndodhur sot kur në zyrën time erdhën dy oficerë të Zbulimit të Jashtëm të Shqipërisë. I kundrova. Në fshatin Kakavijë qarkullonte një kasetë ku ishte regjistruar një fjalim i Papadhopullit që nga burgu ku ai vuante dënimin e përjetshëm si përfaqësues i kolonelëve të zinj. Si Sigurimi i Shtetit dhe Zbulimi i Jashtëm e kërkonin me çdo kusht këtë kasetë. Thuhej se e kishte futur agjentura nëpërmjet kufirit tokësor.
Mua nuk m’u duk ndonjë gjë e madhe dhe nuk ua u vara fort oficerëve të Zbulimit të Jashtëm. Nëpër duar kishim probleme më të mprehta. Asfalia greke kërkonte të hidhte në erë postën kufitare të Kakavijës. Por gjatë bisedës oficerët e Zbulimit të Jashtëm dolën dhe në një temë tjetër. Pas ndonjë ore në postën kufitare greke do të vinte pa bujë Kostandin Micotaqis, i cili po bënte emër në politikën e re greke. Zbuluesit i bënin një përshkrim të hatashëm figurës së Micotaqit. Ata tregonin se Micotaqis ishte shumë sharmantë e larg silogjizmave. Në qarqet greke thuhej se mendja e tij ishte e pashkatërrueshme e me një gjenetikë të veçantë. Jetën e tij e mbulonte një tis misteri me plot ulje dhe ngritje. Pas juntës së kolonelëve të zinj Micotaqis pruri risi në politikën e Greqisë bashkë me kundërshtarin e tij Andrea Papandreu. Figurën dhe talentin e tij kapriçioz, margjinal e narcisist në politikë idhnakët e kishin intriguar, sterrosur, çuçurisur, rrëzëllitur, mugulluar, burgosur, traumatizuar, izoluar, satanizuar, syrgjynosur, demonizuar, muruar, rrëgjuar e çartallosur. Në burgjet greke Micotaqis e kishte zmbrapsur vdekjen me kosto të lartë si një çengel që e di vet ku varet. Ai si goxha qibar e si superyll që ishte, kishte kaluar në një shumësi realitetesh. Vuajtjet e tij nuk kishin të përshkruar. I kishte përballuar me energji hyjnore dhe e kishte marrë statusin e legjendës. Ishte tipik profetik. Njeri i sfidave dhe i majave universalisht. Në të gjitha kalvaret e vuajtjeve ai qe ligjbërës i fatit të vet. U habita kur zbuluesit më thanë se Micotaqis ishte dhe njeri i artit. Lexonte letërsi pambarim që nga koha e Homerit. Shkruante ese dhe ishte një politikan modern.
Kundërshtar i tij politik ishte Andreas Papandreu. Ai qe i pamposhtur. Zbuluesit që nuk udhëtonin kurrë me avion dhe as me autobus në drejtim të Athinës nxorën nga çanta një shishe konjak “Metaksa”. E kishin blerë në Janinë. Filluan të pinin. Unë u çudita kur ata para gotës së konjakut grek thanë se Micotaqis ngjante me shokun Enver. Si guxojnë thashë unë që të bëjnë këtë krahasim. Por nuk fola. Njëri prej tyre futej në zyrën e Enver Hoxhës në Komitetin Qendror. Ai ishte me aftësi proverbiale. Thuhej se kishte përcjell për në Greqi Cufe Mullain dhe shkrimtarin Bilal Xhaferi. Njërin nga kufiri i Gjirokastrës dhe tjetrin në të Sarandës. Por siç më thoshin kolegët e tij ai ishte një thesar më vete. Zbuluesi i thoshte kolegut të tij se Miciotaqis dhe Enver Hoxha kishin pika të përbashkëta. Unë e kundërshtova. Micotaqin e kanë futur në burg. Yllit natyral Enver Hoxhës nuk i është qasur njeri. Zbuluesit me shumë terezi mundoheshin që të më bindnin që unë të kuptoja “demokracinë” dhe “diktaturën”. Ishin dy gjëra skajshmërisht të ndryshme. Si demokrati dhe diktatori në zhargonin e tyre ishin nga i njëjti zjarr që nuk u dukej tymi. Nuk doja të merresha me ta. Le të ishte Kostandin Micotaqis klasiku i demokracisë dhe një ortek që kishte ecur dhe në të përpjeta. Për mua Enver Hoxha ishte dragua. Nuk doja të dëgjoja asnjë fjalë të mirë as për Micotaqis dhe as për Papandreun. Enver Hoxha ishte personazh mitologjik në shkallën sipërore dhe pikë. Kurse Micotaqis ishte anonim pavarësisht nga qasjet filozofike. Le të broçkulliste koloneli në rrafshet më sipërore duke e shënjtëruar atë sikur ai të ishte si një qiell pa skaj.
***
Koloneli i Zbulimit të Jashtëm kishte një të qeshur vezuvjane. Mua më ironizonte që ngrija në qiell Enver Hoxhën dhe nuk lija fjalë të keqe pa thënë për Kostandin Micotaqis. Ç’më duhet thashë me vete. Nuk e zgjata. Koloneli ishte një legjendë e muzë me vete. Thuhej se kishte një familje të dytë në Athinë. Një çantë ngjyrë dhelpre e mbante plot e për plot me dollarë. Në një takim me bashkëpunëtorët e zbulimit nga Greqia me qëlloi që të marr pjesë. Takimi u zhvillua në tokën e Greqisë. Aty pata fatin që të bisedoj dhe me një kushëri të Papandreut të cilin e paguante Zbulimi i Jashtëm i Shqipërisë. Bashkëpunëtorët grekë dhe shqiptarë i rrinin sus kolonelit supermen, që me elastiticitet të mahnitshëm e ndante jetën midis Athinës dhe Tiranës. Frutat e detit erdhën me frigorifer që nga Saranda. Ishte hera e parë që haja karkaleca deti në mes derrrave të egër, që përtypnin lënde afër nesh.
E ndërpreva bisedën. Fiks sipas orës që tha koloneli mbërriti makina e Kostandin Micotaqis. Ata qenë një grup. Që nga zyra ime, që në fakt ishte një kullë ngujimi e me dritaren në formën e frëngjisë ne filluam të vështrojmë me dylbi. Unë nuk e dalloja dot Micotaqisin, i cili siç tha Koloneli ai kishte ardhur në Janinë për fushatën e zgjedhjeve. Pas pak Koloneli më urdhëroi që të shkoja tek porta me tela me gjemba. Ishte e vetmja ku kalohej për në Greqi. Sipas porosive të Kolonelit unë nuk do të bëja asnjë veprim. Vetëm do të shikoja se çfarë do të bënte Micotaqis. Ashtu bëra. Dhe grupi që shoqëronte Micotaqisin u afruan tek porta me tela. Me sa pashë ishte një veprim kureshtarësh. Unë ia ngula sytë grupit, por nuk e dallova dot se cili ishte midis tyre Kostandin Micotaqis pas të cilit qe çmendur Koloneli i Zbulimit të Jashtëm të Shqipërisë. Kushedi Miciotaqis mbase i kishte bërë ndonjë trukim fytyrës.
Grupi i Micotaqis nuk u vonua. Ata u hipën dy makinave dhe u larguan në drejtim të Janinës.
***
Të gjitha këto detaje i solla në mendje në fshatin Derviçan përpara bustin të Kostandin Micotaqis, i cili qe inauguruar një javë më parë. Përpara Derviçanit kisha qenë në Kakavijë, e cila është “Meka” ime. Me t’i hedhur sytë tek busti sikur u emocionova. Për çudinë time busti i Micoaqis ngjate me një nga bustet e Enver Hoxhës të punuar mjeshtërisht nga Odhise Paskali. Të jetë rastësi kjo ngjashmëri thashë me vete. Nuk përgjigjesha dot. Kostandin Micotaqis dhe Enver Hoxha kishin përshkruar udhë të ndryshme me kahe të kundërta. Pasi u mendova pak thashë se unë e mbase e kisha gabim.
I erdha rrotull bustit të Kostandin Micotaqis dhe vështrova nga mali i Buretos. Si një rrufe në qiell të pastër një tjetër mendim më ngacmoi. Dhe aty për aty gati thirra me zë të lart: Në bronx Micotaqis mbase ngjan me Enver Hoxhën. Njerëzit ngjajnë me njëri – tjetrin kur janë gjallë. Nuk kemi pse të çuditemi kur ata ngjajnë në vepra arti siç është busti i Kostandin Micotaqis në Derviçan të Dropullit. Por në jetë ata kanë qenë të ndryshëm. Dhe sytë ia ngula fabrikës së Glinës. Kur shërbeja në Kakavijë erdhën specialistët gjermanë dhe bën rikonstruksionin e gjithë fabrikës. Specialistët gjermanë për gjithçka informacionet i përcillnin në qeverinë e shtetit gjerman. Nuk vonoi dhe qeveria gjermane i kërkoi shtetit shqiptar që ta blinte fabrikën e Glinës me të gjithë truallin ku ajo qe ndërtuar. Kjo iu tha Enver Hoxhës. Ai kishte bërë këtë shënim: Specialistët gjerman të paguhen sipas kontratës dhe të largohen nga Shqipëria. Në Shqipëri ne nuk shesim asnjë milimetër vend.
I hodha sytë përsëri nga busti i Kostandin Micotaqis dhe i thashë vetës: Të dy udhëheqësit nuk ngjajnë fare me njëri tjetrin çfarëdo lloj grafie që t’u bësh. Fronëzimi në Derviçan i Kostandin Micotaqis është kso vepre mesveti që ngërthen misterin mes tij dhe Enver Hoxhës monumentin e të cilit shqiptarët e hoqën zvarrë në mes të Tiranës. Do të thonë një pjesë jo e vogël e shqiptarëve: Të mujtësh të ngresh një shtatore të Enver Hoxhës në Gjirokastër pa drojë aksi i së keqes me të çkajës më të epshëm sipas të gjitha gjasave të ngrihen dhe të zënë frymën. Është tjetër gjë që Enver Hoxha jetën e shpenzoi në shërbim te atdheut.
Hajde ndaje sekretin e kësaj alkimie midis ofendikojt Kostandin Micotaqis dhe Enver Hoxhës. Nuk ka gjuhë kancelarie që t’i jap udhë. Ngado që t’i kthej apologjitë socialpsikologu limitet do të dalin surreale. Kostandin Micotaqis i Derviçanit e ka marrë statusin e shenjtorit në Greqi, kurse Enver Hoxhës vetëm turistët në Gjirokastër ia blejnë librat që ai shkroi. Po ta zësh në gojë Enver Hoxhën ustashët me një farë autenticiteti të kalojnë në gijotinë me gjuhë eprore. Sot në Shqipëri vepron një diktaturë e mëndafshtë me ca estetizime me kod arbitrar se “Enver Hoxha ka qenë diktator”. Tekembramja që në shikim të parë ky është një ngazëllim hipokritësh. Mote më vonë kronikanët do të çuditen që Enver Hoxhës ia mohojnë faktin që ai ka qenë Komandant i luftës Antifashiste Nacional -Çlirimtare. Për këta tipa atëmot Konica do të shkruante: – More dudum kokëkungull/Gojëbuall e barkërrumbull/. Le të ketë qenë Enver Hoxha ashtu si Micotaqis në Greqi ungjilli i lavdisë në Shqipëri dokrraxhnjtë e sotëm me fama shterpë në kurriz thurin sofizma me mozaik fjalësh për përbindëshin Enver Hoxha. Por nuk e zbresin dot nga Olimpi. Koha po e bën katharsin. Ata që e hoqën zvarrë monumentin e Enver Hoxhës era e trëndafiltë e SPAKUT po i qukapitë e po i shpie në qelira si dhëndrrin e Berishës.
***
Shqipëria mbetet vend i mistereve. Unë them se përse të mos ketë dhe një bust si ai i Micotaqis në Derviçan dhe për Enver Hoxhën në lagjen Palorto ku ka lindur shtatëvigani . Flas kot. Enver Hoxhën dhe Qemal Stafën i nxorën nga Varrezat e dëshmorëve të Atdheut dhe aty u varros Azem Hajdari. Çdo Azem Hajdari në Varrezat e Dëshmorëve? Vite më vonë kronikanët do të pyesin se çfarë vepre ka bërë Azem Hajdari? Në rini ka qenë vjedhës pulash, do të përgjigjen folkolrisht faqeçjerrurit. Grekërit e mbrojnë Micotaqisin e tyre edhe pse venizellot kanë bërë krime në Shqipëri. Kurse mbi Enver Hoxhën vazhdojnë të hedhin baltë pa hesap. As që bëhet fjalë për t’i ngritur ndonjë shtatore. Monumenti i Aleksandrit të Madh është 50 metra e lartë. Mua më mundin kujtimet e trishta.
Ja si këtë radhë në Derviçan kur pashë bustin e Micotaqisit…