Kosova kremton Pashkët

0
Kosova kremton Pashkët
Gjigandi

Pashkët po kremtohen edhe në Kosovë, me thirrjet për paqe e tolerancë ndërmjet njerëzve.

Udhëheqës politikë e fetarë kanë përgëzuar qytetarët e krishterë duke vënë theksin në thelbin e kësaj kremteje që qëndron në vepra të mira, në paqe, harmoni, dashuri e në bashkëpunim ndërmjet njerëzve.

Në urimin e tij me shkrim, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji tha se njerëzit sot jetojnë të trishtuar përballë të këqijave përreth tyre, ku sipas tij të fortit bëjnë “ligjin” në lagje, të pushtetshmit mbështeten mbi fuqinë e armëve, popujt e mëdhenjë shfrytëzojnë pasuritë e më të vegjëlve, shtetet e forta i shpallin luftë të panënshtruarave.

“Nuk mund të mos ndjejmë dhembje kur shohim se si pamëshirshëm bombardohen qytetet, se si njerëzit për një moment humbasin jetën ose shohin se si po zhduket para syve të tyre sakrifica e një jete” thuhet në letër.

RonaTyra

Ndërkohë në manifestimin qendror me rastin e kësaj feste, me Meshën e Ringjalljes në Katedralen Shën Tereza në Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, tha se mesazhi i Pashkëve këtë vit ka në thelb thirrjet për mos humbje të shpresës.

“Ashtu të trishtuar siç jemi pranë botës, ne dijmë dhe mundemi në dashurinë e Zotit të shkëlqejmë sepse është zjarri i shpresës që nuk zhgënjen. Pranë zjarrit të kësaj dashurie janë të ftuar sidomos mëkatarët pasi dashuria e Krishtit nuk gjykon, nuk padit e nuk kërkon hakmarrje. Ajo fal, shfajson dhe përqafon të penduarin”, tha ai.

Imzot Dodë Gjergji duke uruar besimtarët për këtë festë, tha se kjo botë është e përkohshme prandaj porositi besimtarët të bëjnë vepra të mira dhe të mbajnë besimin në zemrat e tyre.

“Duke qenë se duhet të shtegtojmë nëpër errësirën e përkohshmërisë drejt takimit të përhershëm tonë me Zotin, mbajmë të ndezur dritën e fesë që është dhurata e marrë prej Krishtit. Të gjithë ata që arrijnë të ndezin në zemrën e vet zjarrin e kësaj dashurie hyjnore mund të ndriçojnë botën dhe shpirtin e vet, e të shohin dëmin e mëkatit, bukurinë e hirit, vuajtjet e njerëzve dhe kufizimet e veta”, tha ai.

Pashkët paraqesin kremten më të madhe të kalendarit liturgjik të të krishterëve që shënojnë ringjalljen Krishtit e cila sipas Besëlidhjes së Re, kishte ndodhur tri ditë pas kryqëzimit të tij./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu