Klodian Zoto mblodhi të dhëna kompromentuese për Arben Ahmetajn? Reagimi i Ballës: Ta lemë drejtësinë të bëjë punën e vet

0
Gjigandi

 

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se duhej të lihej prokuroria që të hetonte, lidhur me publikimet e ditëve të fundit në media të emaileve të Klodian Zotos, ku përmendet ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.

“Çdo ndërhyrje nga ana jonë, kushdoqoftë unë si kryetar grupi, deputet apo dikush tjetër si bën mirë pavarësisë. Për ta përmbledhur pyetjet tuaj me vend , duhet të lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet. Nuk do të komentoj çështje që janë në hetim”, tha Balla.

Emailet kanë rrjedhur nga adresa mail e Klodian Zotos, biznesmenit të shpallur në kërkim për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave. Lista e komunikimeve të tij me 6 hotele në Europë doli në media pas kallëzimit në SPAK të bërë nga një gazetar.

Sipas këtyre emaileve, Zoto u shkroi hoteleve dhe kërkoi t’i konfirmonin pagesat në favor të ish-zëvendës kryeministrit, Arben Ahmetaj.

RonaTyra

“I dashur Klodian! Faleminderit për përgjigjen tuaj dhe për kopjen e kartës së kreditit. Ne konfirmojnë që fatura bashkëlidhur për klientin: Arben Ahmetaj u pagua me këtë kartë krediti në vitin 2013” – thuhet në një email të nisur nga stafi i hotelit ‘Starlight Suiten Hotel Renngasse’ në Vienë më 18 qershor 2020.

Emailet tregojnë interesimin e Zotos,  për të mbledhur informacion kompromentues. Sipas tyre, i akuzuari për aferën e inceneratorëve ka prenotuar ose paguar me kartën e tij të kreditit qëndrimet e ish-zv.kryeministrit në hotele në Bukuresht, Vienë dhe Milano. Në emaile rezulton edhe emri i Mirel Mërtirit, i akuzuar gjithashtu nga Prokuroria e Posaçme për inceneratorin e Elbasanit.

Datat e emaileve tregojnë se Zoto i kërkoi të dhënat nga hotelet në verë të 2020 kur afera ishte denoncuar publikisht.

Ahmetaj e ka mohuar afrimitetin me Zoton dhe Mërtirin. I pyetur në Komisionin Parlamentar Hetimor për inceneratorët nëse i njihte tre emrat që qëndrojnë pas tre kontratave koncensionare të inceneratorëve – Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, Ahmetaj tha se nuk kishte afrimitet me ta.

Për abuzimet e dyshuara me fondet  e impianteve të mbetjeve, SPAK ka marrë deri tani të pandehur ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili është prej një viti i arrestuar, deputetin Alqi Bllako, administratorët e kompanive të përfshira, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, bashkëjetuesin e Gugalljas, Mirel Mërtiri dhe një numër të akuzuarish të tjerë.

i.b. / dita

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu