Ënjtja pa dhimbje e këmbëve ose kyçeve është e zakonshme dhe mund të ndodhë për një sërë arsyesh. Shkaqet e këmbëve të fryra mund të përfshijnë:
Qëndrimin për një kohë shumë gjatë në këmbë;
Këpucë të papërshtatshme;
Shtatzënia;
Faktorët e stilit të jetesës;
Kushte të caktuara mjekësore.
Kur lëngu grumbullohet në inde, quhet edemë. Ndërsa edema zakonisht zgjidhet vetë, ka disa ilaçe shtëpiake që mund të zvogëlojnë ënjtjen më shpejt dhe të rrisin rehatinë tuaj. Këtu janë disa metoda natyrale për t’u provuar:
Pini 8 deri në 10 gota ujë në ditë
Marrja e lëngjeve të mjaftueshme në të vërtetë ndihmon në reduktimin e ënjtjes. Kur trupi nuk është i hidratuar mjaftueshëm, ai mban lëngun që ka. Kjo kontribuon në ënjtje.
Evitoni nxehtësinë
Sigurisht rregulli i parë në këtë rast është evitimi i qëndrimit për kohë të gjata në vende të nxehta. Mundohuni ta mbani trupin sa më të freskët që të jetë e mundur. Për ta bërë këtë sigurohuni të mos qëndroni shumë në kontakt të drejtpërdrejtë me dritën e diellit. Gjithashtu evitoni shëtitjet apo daljet gjatë orëve kur termometri shënon temperature shumë të larta. Mbani gjithnjë me vete një shishe me ujë të ftohtë gjatë periudhës së verës, në mënyrë që të freskoni trupin dhe kyçet. Evitoni banjot dhe dushet e gjata ne vaska me ujë të nxehtë, në vend të kësaj përdorni ujë të vakët. Pasi të bëni dush mos harroni të lani këmbët me ujë të ftohtë para se të dilni.
Mos qëndroni pa lëvizur
E rëndësishme është që të mos qëndroni gjithnjë në këmbë apo të ulur. Trupi ka nevojë për ndonjë lloj aktiviteti në mënyrë që të funksionojë siç duhet. Prandaj gjatë ditëve kur keni qëndruar shumë në këmbë mundohuni të pushoni. Ndërsa gjatë ditëve kur keni qëndruar shumë ulur apo shtrirë mundohuni të ecni, qoftë edhe nëpër shtëpi. Gjithashtu nuk rekomandohet as qëndrimi këmbëkryq pasi dëmton qarkullimin e mirë të gjakut.
Ngrini këmbët lart
Nëse keni këmbë dhe kyçe të fryra, një nga gjërat që duhet të bëni për të rregulluar qarkullimin e mirë të gjakut është pikërisht kjo. Forca tërheqëse e gravitetit e përkeqëson fryrjen dhe lodhjen e këmbëve ndaj mundohuni t’i mbani këmbët lart. Mund t’i vendosni në një karrige apo sipër një jastëku në mënyrë që gjaku të qarkullojë më mirë. Mjekët rekomandojnë ta bëni këtë 3-4 herë në ditë nga 30 minuta nëse vuani nga ky problem.
Fusni këmbët tuaja në ujë të ftohtë me kripë për rreth 15 deri në 20 minuta
Kripa jo vetëm që mund të ndihmojë me dhimbjen e muskujve, gjithashtu mund të zvogëlojë ënjtjen dhe inflamacionin. Teoria është se kripa Epsom nxjerr toksinat dhe rrit relaksimin.
Bëni disa ndryshime në dietë
Reduktimi i marrjes së natriumit mund të ndihmojë në uljen e ënjtjes në trupin tuaj, duke përfshirë edhe këmbët. Zgjidhni versionet me pak natrium të ushqimeve tuaja të preferuara dhe përpiquni të përmbaheni nga shtimi i kripës në vakte.
Masazhoni këmbët
Masazhi mund të jetë ndihmues për këmbët e fryra dhe gjithashtu mund të nxisë relaksimin./Healthine