Emiliano Martinez dhe Lionel Messi do të jenë në fushë për gjysmëfinalen e “Katar 2022”, ku Argjentina do të përballet me Kroacinë, të martën e 13 dhjetorit, prej orës 20:00 në stadiumin “Lusail”.
Siç njofton “Sport”, portieri dhe kapiteni i Argjentinës nuk do të sanksionohen nga FIFA, pavarësisht kritikave të ashpra në fund të çerekfinales ndaj Holandës, të shqiptuara kundër drejtimit të ndeshjes nga arbitri spanjoll Mateu Lahoz.
Ky i fundit u dërgua dje në shtëpi për mungesë autoriteti në menaxhimin e ndeshjes Argjentinë-Holandë, duke marrë mbi vete të gjitha “mëkatet”.
Dosja që ka hapur FIFA në lidhje me deklaratat e dy lojtarëve dhe gjithashtu sjelljen e Leandro Paredes, fajtor se hodhi topin drejt pankinës holandeze pas një faulli, duke shkaktuar reagimin e kundërshtarëve, që nisën sherrin në fushë, nuk do të sjellë sanksione ndaj lojtarëve individualë kombëtares argjentinase.
Kjo gjë parashikohet në nenin 16 të kodit disiplinor të FIFA-s për mungesë respekti ndaj kundërshtarëve, por me gjasë federata argjentinase mund të gjobitet.
Arbitrimi i Lahoz, i cili dha 18 kartonë të verdhë në Argjentinë-Holandë, më pas përjashtoi edhe Denzel Dumfries me karton të kuq (pas të dytit të verdhë), nuk u pëlqye nga FIFA, gjë që bëri që spanjolli ta mbyllte Kupën e Botës para kohe.
Gjysmëfinalja Argjentinë-Kroaci do të drejtohet nga Daniele Orsato, i cili do të gjykojë kështu ndeshjen e tretë në “Katar 2022”, e dyta e bardhekaltërve pas asaj kundër Meksikës në fazën e grupeve.