Kanceri i gjirit, faktorët e shpeshtë të riskut dhe parandalimi

0
Gjigandi

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek gratë dhe kanceri i dytë më i shpeshtë në popullatën e përgjithshme në botë. Numri më i madh i rasteve vërehet tek gratë me moshë mbi 50 vjeç, por mund të haset dhe në çdo moshë tjetër. Veç femrave, kanceri i gjirit haset edhe tek meshkujt, por risku tek meshkujt në krahasim me femrat është rreth 100 herë më i ulët (zakonisht për 100 raste me kancer gjiri te femrat haset 1 i tillë te meshkujt). Incidenca dhe prevalenca e këtij kanceri në shkallë botërore kanë ardhur në rritje gjatë dekadave të fundit, gjendje kjo qëështë konstatuar edhe në vendin tonë.

Prirja e kancerit të gjirit në vendin tonë është i ngjashëm me atë të vendeve të tjera me të ardhura të mesme, në të cilat incidenca ka qënë në rritje gjatë tre dekadave të fundit, kjo për shkaqe të ndryshme, kryesisht të lidhura me rritjen e moshës mesatare, urbanizimit dhe ndryshimeve në stilin e jetesës. Në periudhën 2015-2019 në Shqipëri janë diagnostikuar pothuaj 700 raste të reja në vit me kancer gjiri, me një prirje të lehtë në rritje. Për te njëjtën periudhë shtrimet spitalore të lidhura me kancerin e gjirit janë rritur me ritme akoma më të larta. Nga 328 shtrime për 100 mijë banorë nëvitin 2015, u raportuan 463 shtrime në spital për 100 mijëbanore në vitin 2019. Në Shqipëri vlerësohet të jetojnë rreth 8 mijëgra, të cilat kanë qene diagnostikuar në të shkuaren me kancer gjiri.

Risku për kancerin e gjirit rritet në mënyrë graduale me moshën, arrin kulmin në moshën 50-69 vjeç, për t’u ulur më pas. Ky risk është shumë i ulët por ekziston duke filluar nga mosha 20 vjeç, ndërkohë që shumica dërrmuese e rasteve (80 për qind) diagnostikohen mbi moshën 45 vjeç (ku mbi 50 vjeç diagnostikohen rreth 70 për qind e rasteve të reja). Raste shumë të rralla gjatë periudhës 2015-2019 janë raportuar edhe në grup-moshat nën 20 vjeç.

Për periudhën 2015-2019 incidenca e kancerit të gjirit rezulton të jetë më e lartë në qarkun e Fierit dhe atë të Korçës (përkatësisht 63.8, 57.9 për 100 mijë gra) krahasuar me mesataren e vendit (49.0 për 100 mijëgra). Niveli i incidencës në qarkun e Tiranës është vetëm pak më i lartë se mesatarja e vendit, ndërkohë që rastet e reja për Tiranën çdo vit përbëjnë rreth një të tretën e totalit të rasteve të raportuara në shkallë vendi.Kanceri i gjirit është përgjegjësi kryesor i vdekjeve nga kanceri tek femrat, me rreth 17 për qind të të gjitha sëmundjeve tumorale te femrat, i 6.3% të vdekjeve nga totali i vdekjeve nga tumoret.

Faktorët e shpeshtë të riskut për kancerin e gjirit

RonaTyra

Kanceri i gjirit nuk ka një shkak madhor dhe ende nuk njihen plotësisht arsyet që e nxisin zhvillimin e tij. Për këtë arsye është e vështirë që ky kancer të parandalohet. Gjithsesi, vlerësohet se vetëm 5 deri në 10 për qind e rasteve me kancer gjiri të jenë trashëguar nga prindi, si pasojë e një defekti gjenetik. Pjesa tjetër e kancereve të gjirit në popullate i atribuohet faktorëve të lidhur me stilin e jetesës.

Këta faktorë përfshijnë lindjen e fëmijëve, përdorimin recent të kontraceptivëve oralë, terapinë hormonale pas menopauzës, ushqyerjen me gji, alkoolin, mbipeshën, dietën dhe vitaminat, aktivitetin fizik. Se si e shton riskun për shfaqjen e kësaj sëmundjeje secili nga këta faktorë, e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.

Lindja e fëmijëve

Gratë që nuk kanë pasur fëmijë, ose që e kanë pasur fëmijën e parë pas moshes 30 vjeç kanë një risk lehtësisht më të lartë për të zhvilluar kancer gjiri. Studimet kanë treguar se shumë shtatzani, si dhe shtatzanitë në moshë të herëshme duket se e ulin riskun për zhvillimin e kësaj sëmundjeje. Me gjasë kjo është e lidhur me uljen e numrit total të cikleve menstruale si pasojë e shtatzanive.

Përdorimi recent i kontraceptivëve oralë

Autoritetet e shëndetit publik vënë në dukje se edhe kontraceptivët oralë e rrisin pak riskun, por me kalimin e kohës pas ndërprerjes së përdorimit risku normalizohet (pas 10 vitesh).

Terapia hormonale pas menopauzës

Përdorimi i estrogenit (ndonjëherë me progresteronin) si terapi zëvendësuese është përdorur për shumë kohë për të ndihmuar uljen e simptomave të menopauzës dhe për të parandaluar osteoporozën. Rritja e riskut për kancer gjiri është vërejtur në disa studime vetëm në përdorimin e kombinuar të hormoneve (jo estrogen vetëm), ndërkohë që ashtu si për kontraceptivët oralë, risku pritet të normalizohet brenda 5 vitesh nga ndërprerja e mjekimit.

Ushqyerja me gji

Një tjetër faktor që ndikon është edhe mosushqyreja e foshnjave me gji.Autoritetet e shëndetit publik sqarojnë se ka disa studime qëdëshmojnë se ushqyerja më gji mund ta ulë lehtësisht riskun nga kanceri i gjirit, sidomos nëse vijon për 1 vit e gjysëm, ose 2 vite.

Alkooli

Konsumi i alkoolit është parë të jetë i lidhur qartë me riskun e rritur për kancer gjiri dhe rritja e riskut ndjek volumin e alkoolit të konsumuar. Një gotë në ditë nuk e rrit në mënyrë sinjifikative riskun, por ata që pijnë 2-5 gota në ditë e kanë riskun 50 për qind më të lartë për të zhvilluar këtë sëmundje. Të mos harrojmë se alkooli i tepruar rrit riskun edhe për kancere të tjerë, si të: gojës, fytit, ezofagut dhe heparit.

Mbipesha

Risku për për kancer gjiri ndodh edhe nga mbipesha, e kjo është sidomos e dukshme pas menopauzës. Mesa duket shpjegimi duhet të jetë fakti se shumica e estrogenit pas menopauzës vjen nga indi dhjamor (dhe jo nga vezoret). Është vërejtur se dhjami i shtuar në zonën e belit është më i rrezikshëm se ai në zonën e këmbëve. Kontrolli i dietës dhe aktiviteti fizik mund të mbajnë në kontroll depozitimin e indit dhjamor dhe mund të ndihmojnë për të ulur riskun e shfaqjes të disa kancereve të gjirit.

Aktiviteti fizik

Dihet tashmë që aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm për mbajtjen e një organizmi të shëndetshëm. Gjatë viteve të fundit, janë duke u shtuar gjithnjë e më shumë faktet që dëshmojnë se aktiviteti fizik në formën e ushtrimeve, e ul riskun për zhvillimin e sëmundjes së kancerit të gjirit.

Dieta dhe vitaminat

Janë kryer shumë studime për të gjetur një lidhje mes disa lloje dietash dhe kancerit, por rezultatet ende nuk janë të forta dhe konkluzive. Disa studime dëshmojnë se dieta luan një rol, sidomos studimet gjeografike, të cilat vërejnë një risk më të ulur në vendet ku dieta tradicionalisht është e varfër me yndyrna të saturuara. Gjithashtu duket se kaloritë ditore kanë një lidhje të lehtë me kancerin e gjirit ndoshta përmes krijimit të mbipeshës.

Duhanpirja

Tymi i cigares përmban toksina, duke përfshirë kimikate që shkaktojnë kancer. Gratë që pinë duhan ose kanë pirë duhan kanë më shumë gjasa të preken nga kanceri i gjirit, sesa ato që nuk pijnë ose nuk e kanë pirë kurrë. Studimet kanë treguar gjithashtu se mund të ketë lidhje midis ekspozimit ndaj duhanpirjes pasive dhe rrezikut të kancerit të gjirit tek gratë pas menopauzës. Pirja e duhanit gjithashtu rrit shanset për të vdekur nga kanceri i gjirit pas diagnozës.

Depistimi dhe diagnoza e herëshme

Kanceri i gjirit mund të shfaqet me një sërë shenjash të ndryshme. Në shumicën e rasteve shenja më e zakonëshme e kancerit në gji është një nyjëz apo një kokërr e fortë gjatë prekjes, në gji apo nën sqetull. Po ashtu mund të shoqërohet me enjtje ne një pjesë apo e gjithë gjirit, irritim apo dëmtim i lëkurës së gjirit apo trashje që ngjan me lëkurën e portokallit, gropëzim (kthim nga brenda) e thithit, si dhe skuqje, apo zënie kore e thithit apo lëkurës së gjirit.

Depistimi dhe diagnoza e herëshme synojnë kapjen e kancerit të gjirit në një fazë kur trajtimi i tij është më i efektshëm. Teknikat e ekzaminimit që përdoren depistimin e kësaj sëmundjeje përfshijnë ekzaminimin mamografik, ekzaminimin klinik të gjirit, .

Ekzaminimi mamografik

Mamografia është një radiografi e gjirit dhe përdor teknologjinë e mirënjohur të rrezeve rëntgen apo x. Një mamografi diagnostikuese përdoret për të diagnostikuar sëmundje të gjirit tek një grua që ka shenja klinike në gji, apo një rezultat anormal në mamografinë depistuese. Mamografia depistuese përdoret për të kërkuar për kancer gjiri në gratë që janë asimptomatike;, pra që nuk duket të kenë shenja problematike lidhur me gjirin. Mamografitë depistuese zakonisht kërkojnë dy pamje (fotografi rëntgen nga kënde të ndryshme) për secilin prej gjinjve. Edhe gratë që ushqejnë fëmjët me gji mund t’i nënshtrohen mamografisë, vetëm se ato kanë gjasë të jenë më pak të sakta për arsye se indi i gjirit është më i ngjeshur.

Ekzaminimi klinik i gjirit

Ekzaminimi klinik (me dore) i gjirit nga mjeku mund të kapë disa kancere të gjirit në stade relativisht të herëshme të zhvillimit të sëmundjes dhe mund të kapë gjithashtu disa kancere, të cilët nuk janë të dukshëm në mamografi. Gjithsesi efektiviteti i kësaj procedure varet mjaft nga ekzaminimi sistematik i të gjithë kuadrateve në të dy gjinjtë, si dhe gjithë paketat limfatike rajonale.

Ndërgjegjësimi mbi gjirin dhe vetë-ekzaminimi i tij

Duke filluar nga mosha 20 vjeç gratë duhet të jenë të ndërgjegjësuara mbi shëndetin e gjinjve të tyre. Ato duhet të dinë mbi pamjen dhe ndjesinë normale të gjinjve dhe duhet të raportojnë çdo ndryshim që vërejnë tek mjeku, mënjehëre sapo e zbulojnë atë. Gjetja e një ndryshimi në gji nuk do të thotë që kemi të bëjmë me kancer. Mund të ketë shumë shkaqe të tjera për këtë. Një grua mund të dallojë ndryshime duke njohur mirë sesi duken apo ndihen normalisht gjinjtë e saj (ndergjegjësimi mbi gjirin) apo duke përdorur një teknikë të thjeshtë dhe sistematike për të ekzaminuar vetë gjinjtë e saj.

TEKNIKAT E EKZAMINIMIT QË PËRDOREN DIAGNOZËN E KANCERIT TË GJIRIT

Ekografia e gjirit

Një ekografi përdor valët e zërit për të krijuar një pamje të indit të gjirit. Ekografia mund të dallojë një masë të fortë, e cila mund të jetë kancer, dhe një kist të mbushur me lëngje, që zakonisht nuk është kancer.

Mamografi diagnostikuese

Mamografia diagnostike është e ngjashme me mamografinë depistuese, me përjashtim të faktit se bëhen më shumë fotografi të gjirit. Përdoret shpesh kur një grua ka shenja, të tilla, si: një gungë/gjendër/kokërr ose rrjedhje nga gjiri. Mamografia diagnostike mund të përdoret gjithashtu nëse gjendet diçka e dyshimtë në një mamografi depistuese.

Rezonanca magnetike (MRI)

Rezonanca magnetike përdor fusha magnetike, jo rreze x, për të prodhuar imazhe të detajuara të trupit. Një bojë speciale e quajtur ‘kontrast’ jepet përpara ekzaminimit për të ndihmuar në krijimin e një pamje të qartë të kancerit të mundshëm. Kjo ngjyrë injektohet në venën e pacientit. Rezonanca magnetike e gjirit mund të përdoret pasi një grua të jetë diagnostikuar me kancer për të zbuluar se sa është rritur sëmundja në të gjithë gjirin ose për të kontrolluar gjirin tjetër për kancer.

Biopsia

Biopsia është heqja e një sasie të vogël indi për ekzaminim nën një mikroskop. Testet ekzaminuese të tjera mund të sugjerojnë që kanceri është i pranishëm, por vetëm një biopsi mund të bëjë një diagnozë të saktë.

Programi i depistimit dhe diagnozës së herëshme në Shqipëri

Në korrik të vitit 2020 me Vendim të Këshillit të Ministrave është miratuar Paketa e Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Gjirit, një mekanizëm që mundëson diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e duhur në kohë dhe efikasitet për çdo grua nëpërmjet ekzaminimeve sistematike si një paketë e integruar shërbimesh që ofron palpimin e gjirit, mamografinë, ekzaminimet e mëtejshme diagnostikuese dhe trajtimin me terapi sipas protokolleve më të mira klinike. Programi parashikon që gratë e moshës 50-60 vjeç ftohen çdo dy vjet nga mjeku i familjes për të kryer mamografinë falas në institucionet shëndetësore publike, shërbimet e ekzaminimit me mamografi ofrohen edhe në qendrat e mamografisë pranë spitaleve rajonale, poliklinikave të specialiteteve dhe njësive e lëvizshme të mamografisë, shërbimet e konfirmimit të diagnozës dhe të trajtimit eventual mjekësor ofrohen pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe spitaleve rajonale që kanë punktin e kemioterapisë, shërbimet e organizuara të këshillimit, të informimit dhe ekzaminimit me palpim të gjirit ofrohen në te gjitha qendrat shëndetësore të kujdesit parësor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu