Kahraman Ylli, drejtues kryesor i LANÇ-it në qarkun e Beratit

0
Gjigandi

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

“Bariu” ju përkushtua organizimit të rezistencës antifashiste

Kahraman Ylli, biri i Skraparit, i lindur në Leshnjë, gjatë LANÇ-it do të bëhej një nga drejtuesit me rol kryesor të rezistences antifashiste në krahinën e Skraparit dhe në qarkun e Beratit. Gjatë kësaj lufte, në situatat e turbullta dhe të ndërlikuara politke të vendit, në sajë të ndjenjave patriotike të familjes dhe të ideve përparmitare, Kahramani diti të orientohet shpejt, të marrë pjesë dhe të aktivizohet në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kahraman Ylli bënte pjesë në 200 komunistët e parë të PKSH të themeluar më 8 nëntor 1941. Fjala e komunistit dhe e luftëtarit u dëgjua dhe jehoi në grykat dhe malet e Skraparit.

Me fillimin e vitit 1942, Kahraman Ylli emërohet drejtor didaktik i inspektoriatit arsimor të qarkut të Beratit. Në këtë moshë të re shquhej për veti morale të shkëlqyera, ku ambjenti dhe natyra i kishin dhënë cilësi që dallohej si njeri i qetë, i dashur, i dëgjueshëm dhe i respektueshëm me njerëzit. Këto veti i kishte manifestuar dhe në Peshkopi. Ai dinte t’u qante hallin njerëzve dhe me shumë durim fliste dhe propogadonte ndjenjën e urrejtjes për fashizmin dhe ju shpjegonte vlerat e antifashizmit që ishte një doktrinë e re për njerëzit e thjeshtë, por dhe e kohës. Në qarkun e Beratit nuk kishte asgjë të organizuar, Kahreman Ylli afroni mësues dhe të njohur, të cilëve u besonte dhe nisi të punojë me shumë kujdes dhe durim të madh. Në saj të punës këmbëngulëse vendosi lidhje me mjaft aktivistë të lëvizjes, me antifashistë dhe komunist të qarkut të Beratit midis të cilëve Kristo Isaku, Kristaq e Margarita Tutulani, Kristaq Capo, Myqerem Fuga, Tajar Grepcka, Iliaz Sevrani, Nure Dobrusha, etj. Në muajin qershor të vitit 1942, Kahremani punoi në të gjithë fshatrat e Skraparit. Me cilësinë e inspektorit të arsimit u takua me Sotir Gurrën dhe Ramiz Aranitasin të ardhur nga Korça. Bashkë me ta mori kontakte me njerëz të njohur, me qëllim që të krijonin njësitet e para guerrile në zonën e Skraparit e të Tomorricës. Sotiri dhe Ramizi vazhduan me përkushtim punën në Tomorricë, ndërsa Kahramani vijon detyrën në Berat.

RonaTyra

Situatën politike në Shqipëri dhe qëndrimin ndaj “nacionalistëve” në këtë periudhë Kahremani e kishte të paqartë. Për këtë niset në Tiranë, për t’u takuar me “Tarasin” dhe me Koço Tashkon. U takua me të dy drejtuesit e PKSH, të cilët ishin në ilegalitet, bisedoi për gjendjen politike dhe për qëndrimin që duhej të mbanim ndaj të veçantave të kohës. Prej tyre u nda i sqaruar dhe i vendosur për luftë, u qartësova për shumë gjëra, që i kisha të paqarta, ndërsa për çështjet organizative nuk u bisedua. Kahremani me kthimin në Berat u sqaroi shokëve të luftës situatën politike dhe qëndrimin që duhet të mbanin për probleme të veçanta. Ndërsa për mungesat në anën organizative të celulës, Kahreman Ylli, në muajin gusht 1942 shkon përsëri në Tiranë me Myqerem Fugën për të marrë udhëzime konkrete të organizimit. Me udhëzimet e marra për çështjet organizative në qarkun e Beratit nisi me organizimin e Rinisë, ku punuan Hajdar Dushi dhe Alqi Kondi. Në muajin shtator 1942 në qark mbrin Gjin Marku, i deleguari i Komitetit Qendror i PKSH, duke i dhënë vrull të ri punës organizative.

Në muajin shkurt të vitit 1943, delegatët e Konferencës së Parë të Qarkut të Beratit, u mblodhën në Roshnik të Skraparit, në shtëpinë e Sadush Kapllanit dhe e ngarkuan Kahreman Yllin me detyrën e Sekretarit Politik në qarkun e Beratit. Kahramani së bashku me Gjin Markun dhe Ramiz Aranitasin, morën pjesë në punimet e Konferencës së Parë të PKSH, në Labinot të Elbasanit më 17 mars 1943. Në diskutimin që bëri në konferencë Kahremani foli dhe për sukseset, për mobilizimin e popullit të qarkut të Beratit në luftë kundër fashizmit dhe për krijimin e Këshillave Nacionalçlirimtare në të gjitha krahinat e qarkut. Në diskutim theksoi se dhe Balli Kombëtar në Berat e ka studiuar terrenin dhe ka formuar komitetet e veta. Të gjithë shtresat janë në favor të këshillave tona nacionalçlirimtare. Influenca e Ballit në popull është e pakët. Në qarkun e Lushnjës gjendja qëndron më mirë, pasi është formuar Këshilli Nacionalçlirimtar, ndërsa në Fier gjëndja nuk është e kënaqshme. Në disa komuna rreth qytetit puna shkon mirë, ku ka njësite të organizuara. Puna organizative në Skrapar është lënë mbrapa. Jam dakort me referatin ushtarak të shokut “Shule” (Kristo Themelko).

Punoi me këmbëngulje për rritjen e çetave partizane

Kahreman Ylli një nga detyrat që mori në konferencë ishte izolimi i forcave nacionaliste pro fashiste, sidomos në fshatrat e Skraparit, të cilët udhëhiqeshin nga Abaz Ermeni, Isa Manasterliu, Hamit Matjani etj. Detyra shtrohej se duhej punuar me këmbëngulje me këshillat nacionalçlirimtare dhe të intensifikohej puna në radhët e luftëtarëve të çetave vullnetare e partizane. Situata kërkonte durim, të punohej me rininë dhe gruan. Kahremani në detyrën e sekretart politik, punoi në vijmësi me anëtarët e qarkorit të Beratit. Vetë shkoi fshat më fshat e shtëpi më shtëpi, duke agjituar me durim në favor të organizimit të rezistencës aktive të popullit kundër pushtuesve nazifashistë. Kahreman Ylli i kishte të qarta detyrat konkrete që shtronte “Shpati” dhe punonte me ndjenjë të lartë përgjegjësie për njohjen e gjendjes aktuale dhe të situatës organizative e luftarake në zonën ku vepronte qarkun e Beratit.

Në informacionin që i dërgonte KQ të PKSH theksonte se “nuk u punua me këmbëngulje për rritjen e numrit të çetave partizane, sidomos në krahinat Nahije e Kuçovë, në Roskovec, ku influenca e Isa Toskës ishte e rrezikshme, por dhe në disa fshatra te Skraparit, ku shkuarja jonë nuk ishte sistematike e puna e Partisë ka çaluar. Vetëm në Myzeqe e në Shpirag puna ka qenë pozitive, sidomos me organizatat e gruas e të rinisë. Në Nahije e Kuçovë puna me rininë nuk eci mirë ndaj dhe u kritikua komiteti i rinisë për Qarkun. Puna me gruan në qytet vazhdoi mirë, duke ndihmuar luftëtarët partizane me ndihma materiale, në sanitet dhe veshmbathje. Me goditjen që bëri okupatori në disa baza, sidomos në shtyllën e fortë në Berat, tek Kristaq e Margarita Tutulani humbja e tyre ishte shumë e madhe. Goditja e Ballit, e sidomos e pushtuesit kundër nesh, ishte tepër e fortë, çka na goroditi aq shumë sa kaluan deri në katë muaj pa u mbledhur fare Komiteti Qarkor. Për të përmirësuar punën e organizatave krijuam komitetet lokale të partisë, përcaktuam detyra për forcimin e këshillave nacionalçlirimtare e të komandave të njësiteve partizane, të punës së agjitacionit e të propagandas në popull”. Milicia fashiste ishte hedhur në sulm kundër forcave antifashiste në qytete e fshatra, duke i gjurmuar, burgosur dhe internuar banorët në kampet e përqëndrimit, brenda vendit e në Itali. Kështu po krijohej një situatë luftarake për të ngritur në qarkun e Beratit një çetë partizane.

Të gjithë anëtarët e Qarkorit punuan pas kësaj me përgjegjësi për të agjituar ndër popull urrejtjen ndaj armikut pushtues, për ngritjen e këshillave nacionalçlirimtare dhe mbështetjen e çetave partizane në tërë hapësirën e qarkut të Beratit. Në krahinën e Skraparit gjendej gjithmonë Kahreman Ylli dhe bashkë me Gjin Markun, Iliaz Sevrani, Nure Dobrusha dhe Orhan Frashëri, punuan intesivisht për krijimin e çetës së parë të Skraparit. Në krye të çetës ishte menduar për komandant Mestan Ujaniku, nacionalist, i pashkollë nga Ujaniku i Tomorricës. Mestani e refuzoi propozimin, por kur i thanë se ishte porosi e Kahreman Yllit, e djalit të Sinan Yllit e pranoi detyrën e komandantit të çetës. Më 14 Mars 1942, në Kulmak të Tomorrit u formua çeta partizane e Skraparit, e para çetë në Shqipërinë Jugore. Çeta Plakë e Skraparit pati komandant patriotin trim Mestan Ujanikun, e për komisar Gjin Markun. Gazeta “Zëri i Popullit” në numrin e saj të parë më 25 Gusht 1942 shkruante se “çeta trime partizane që i ka dalë për zot lirisë së vendit, ju përvesh punës me sakrifica të mëdha për të luftuar armikun e urryer… Partizanët dhe vullnetarët e lirisë në Skrapar nuk lënë katund pa vizituar, nuk lënë vend pa mbjellë farën e luftës së drejtë, e Luftës Antifashiste që bën populli shqiptar”. “Mbledhja për organizimin e betejës u bë në shtëpinë e patriotit Sinan Leshnja (Ylli). Aty u bë plani i vendosjes së forcave… Çeta ishte shtuar në numër, që arrinte në 100 veta. Në çlirimin e Çorovodës morën pjesë 1000 luftëtarë, pjesa më e madhe ishin fshatare vullnetarë”.

Më 5 Shtator 1942 kryeqendra e Skraparit, Çorovoda u çlirua nga pushtuesit e huaj italiane dhe Flamuri Kuq e Zi u valëvit krenar mbi qytezën e vogël… Pas çetës së Skraparit, në saj të punës drejtuese të Komitetit Qarkor të Beratit, u krijuan dhe çeta të tjera partizane, të cilat me aktivitetin e tyre luftarak nxitën popullin në luftë kundër fashisteve pushtues, si dhe inkurajuan veprimtarinë e Këshillave NÇ në zonën ku vepronin. Në muajin tetor 1942, u krijua çeta e dytë partizane e Skraparit, me komandant Xhelal Staraveckën dhe komisar Ramiz Aranitasin. Më 26 Dhjetor 1942, në Kolonjë të Lushnjës u krijua çeta e Myzeqesë, me komandant Rrahman Ruçi e komisar Muharrem Rrugija e më vone, Spiro Bakalli. Qarkori i PKSH i Qarkut të Beratit punoi me durim për krijimin e bazave të mbështetjes së luftës kundër pushtuesve italianë e bashkëpunëtorëve të tij. Këto baza u krijuan në radhë të parë, në familjet me tradita patriotike, të tilla si në Zaloshnje tek Hysen Zaloshnja, në Kapinovë tek Avni Bakijasi, në Leshnje tek Sinan Ylli, në Osoje tek Asllan Caka, në Vërzhezhë tek Pasho Hysi, në Veleshnjë tek Zylyftar Veleshnja, në Sevran tek Musa Bejko, në Bargullas tek Qani Kosoni e Mahmut Keli, në Nishovë tek vëllezërit Ismail, Hysen e Kajmak Çelo, në Shpirag tek Mihal Pasko e Lili Olldashi, në Sinjë tek Beqo Toska e në shumë e shumë shtëpi të tjera, në mbarë fshatrat e Skraparit dhe të qarkut të Beratit. Lufta partizane kundër armikut fashist kishte marre përmasa të gjëra në tërë Qarkun e Beratit. Krahas çetave partizane, në qytete vepronin dhe njësitet guerile.

Kontribut në formimin e batalioneve dhe brigadave partizane

Batalioni i Parë partizan i Myzeqese u formua me 20 Prill 1943, në fshatin Mertishë. Komandant i tij u caktua Rahman Ruçi e komisar Muharrem Shabani. Përgjegjës ushtarak i batalionit u caktua Spiro Moisiu. Çeta e Skraparit, për 16 muajt e aktivitetit të saj u rrit dhe u fuqizua aq, sa më 22 Qershor 1943, prej 203 partizanë të saj, në Qafën e Martës u formua batalioni partizan, i cili u pagëzua me emrin e birit të shquar të Skraparit, revolucionarit “Riza Cerova”. Komandant batalioni u caktua Neshat Hysi dhe komisar Ramiz Aranitasi. Trimi Asllan Osoja, e nxorri Ramizin nga qelia dhe e kaloi në krahinën e Skraparit. Në Leshnjë u takua me Kahreman Yllin, sekretar politik i Qarkorit të Beratit. Në nëndor 1942, Ramizi u caktua komisar i çetës dhe komandant Xhelal Staravecka. Ramizi nuk arriti të merrte detyrën e re, sepse forcat e errta të nacionalistëve e vranë pabesisht, pas shpine, në malin e Leshnjës.

Pas 10 korrikut 1943, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH u krijuan shtabet e qarqeve. Në qarkun e Beratit, Mestan Ujaniku u caktua komandant i shtabit të Qarkut, ndërsa Gjin Marku në detyrën e komisarit të shtabit të Qarkut. Kahreman Ylli u bë zëvendëskomisar i shtabit të Qarkut. Gjin Marku pati në krah Kahreman Yllin, shok besnik e i përgatitur, ndihma e të cilit bëri që Gjin Marku të fitonte një popullaritet të madh, në qarkun e Beratit, në gjithë Shqipërinë. Ne muajin Gusht 1943 Gjin Marku, Kahreman Ylli dhe Zylyftar Veleshnja organizuan operacionin kundër Isa Toskës, i cili kishte bërë shumë krime në fshatrat e Roskovecit e të Myzeqesë. Ai ishte bërë tmerri i kësaj krahine dhe mburrej se “Skrapari do të pësojë fatin e Abisinisë…”. Kundër kësaj deklarate, shtabi i qarkut të Beratit, me 500 partizanë trima skraparllinj, organizoi operacionin e shpartallimit përfundimisht të Isa Toskes.

Më 9 Shtator 1943, pas kapitullimit të Italisë fashiste, në Berat u krijua batalioni “Margarita Tutulani” me 200 të rinj e të reja, nga Berati, Fieri, Lushnja e Skrapari. Midis tyre ishin 27 vajza. Shumë prej tyre kishin qenë pjesë e njësiteve guerrile të Qarkut të Beratit. Komandant batalioni u caktuan Skendër Malindi, komisar, Ajet Xhindolli “Heroi i Popullit”. Kahreman Ylli, në inaugurimin e batalionit, në prani dhe të popullit të Beratit që ishte në inagurim, mbajti një fjalim të zjarrtë, i cili elektrizoi fuqishëm luftëtarët e batalionit, me brohoritje të zjarrta, do të shkruante vite më vonë Skënder Malindi.

Qarkori i PKSH në Berat u angazhua seriozisht për demaskimin e forcave nacionaliste, të cilët tashmë haptazi u vunë në shërbim të okupatorit, duke marrë pjesë direkt në mbështetjen e forcave hitleriane, kundër partizanëve e popullatës luftarake të krahinës së Skraparit, si në operacionin e Dimrit, ashtu dhe në atë të Qershorit 1944. Operacioni i Dimrit ishte shumë i egër në fshatrat e Skraparit dhe me pasoja shumë të rënda. Me këmbëngulje e sakrifica, nisiativa e partizanëve dhe e popullatës gradualisht kaloi në anën e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Qarkori i PKSH me urtësi e mënçuri siguroi kalimin me sukses, nga Veriu në Jug, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇ. Sukseset e njëpasnjëshme të forcave partizane ngjallën admirimin dhe besimin në popull ndaj Ushtrisë NÇ sidomos në krahinën e Skraparit, të Tomorricës, Myzeqesë, Mallakastrës etj., në të cilët nuk pushonin së luftuari forcat e batalioneve “Riza Cerova”, “Margarita Tutulani” dhe të Lushnjës etj., kundër forcave naziste, që kishin pushtuar vendin, pas kapitullimit të Italisë fashiste. Në muajin Dhjetor 1943 dhe në Janar 1944 u krijuan Grupi i Parë partizan i Lushnjës, Grupi i Dytë partizan i Beratit dhe Grupi i Tretë partizan i Skraparit, rreth të cilëve vepronin forcat e shumta partizane të Qarkut të Beratit. Në këtë situate të favorshme besimi të çlirimi i afërt i Shqipërisë nga forcat nazifashiste, në radhët e reparteve e të nënreparteve të Ushtrisë NÇ bënë që vërshuan shumë të rinj e të reja, të cilët rrokën pushkët kundër armikut. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇ në shtëpinë e Kahreman Yllit (në Leshnjë), në prani të Myqerem Fugës, u bë organizimi i brigadës, batalioni i parë u formua kryesisht me partizanë të qarkut të Beratit, me një kompani nga Devolli. Batalioni i dytë, kryesisht me partizanë të grupit të Skraparit, ndërsa batalioni i tretë u formua nga partizanë të qarkut të Gjirokastrës, me një kompani, nga batalioni i Dëshnicës. Komandant BrVII S u caktua Gjin Marku, ndërsa komisar u caktua Kadri Hoxha.

Për organizimin e komandës së vendit

Në muajin Prill 1944, Kahreman Ylli caktohet komisar i shtabit të Qarkut te Beratit dhe Gjin Marku kaloi në detyrën e komandantit të BrVIIS. Në muajin Prill 1944, me riformimin e Qarkorit të Beratit, Kahreman Ylli largohet nga detyra e sekretarit politik dhe caktohet komisar i Shtabit të Qarkut. “Ky largim nuk më qe i papritur, shkruan Kahremani, nga ana tjetër më dukej se në qarkun e Beratit mungonte edhe metoda e duhur e punës, këtë gjë ia kisha vënë në dukje të deleguarit të Komitetit Qendror, Gjin Markut, por ky konstatim nuk qe quajtur i drejtë dhe donja të shikonja se si punohej në qarqe të tjera…”. Komiteti Qarkor i PKSH të Beratit i bën një raport të hollësishëm Komitetit Qendror të PKSH mbi situatën politike dhe ushtarake, për jetën në celulat e partisë, për gjendjen në këshillat nacionalçlirimtare në fshatrat, komunat dhe krahinat e Qarkut të Beratit, si edhe për aktivitetin e rinisë e të gruas. “Janë krijuar rojet partizane, shkruhet në raportin e Qarkorit të PKSH të Beratit, në Nahijen e Beratit dhe krahinën e Sulovës, të cilat kanë lidhje drejtpërdrejt me komandën e qarkut, me qendër në Çorovodë. Komandës së qarkut i janë vënë këto detyra: harmonizimi si duhet i rojeve partizane me këshillat nacionalçlirimtare, harmonizimi i komandave të vendit me komandën e qarkut, ngritja e pushtetit të prapavijave për riparimin e ndërtesave në qendrën e Çorovodës, ku do të vendoset kryesia e Këshillit krahinor, kryesia e KNÇ të komunës së qendrës, e rojes partizane të komunës së qendrës, komanda e vendit dhe komanda e qarkut, organizimin e ditës së pazarit në Çorovodë e në Tomorricë, etj. Raporti, i nënshkruar nga “Bariu” dhe “Shkëndia” (Shpresa Fuga) është shumë i hollësishëm. Në të flitet për sukseset e arritura e sidomos për mangësitë dhe vështirësitë në zbatimin e detyrave që vinte në atë kohë KQ i PKSH, me frymë kritike dhe autokritike. Kahreman Ylli mori pjesë më 24 maj 1944, si delegat i Qarkorit të Beratit në Kongresin e Parë Antifashist të Përmetit. Ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Qarkori i PKSH i Beratit i kaloi me sukses goditjet e nazistëve gjermane, që në bashkëpunim me nacionalistët e zonës operative të qarkut, ndërmorën Operacionin e Qershorit, për asgjësimin pjesë-pjesë të forcave partizane. E gjithë krahina e qarkut të Beratit, sidomos krahina e Skraparit, u përfshi nga flaka e tymi i zjarreve në fshatrat Staraveckë, Leshnjë, Therepel, Koprenckë, Vlushë, etj.

Në Sheper të Zagorisë komisar brigade

Më 17 Gusht 1944 në fushën e Sheperit të Zagorisë, krijohet BrXIVS. Në brigadë u rreshtuan luftëtarët e Grupit të Parë të Kurveleshit, të Grupit të Tretë të Mallakastrës dhe të Grupit të Katërt të Çamërisë, që ishin pjesë luftarake e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Në shtabin e brigadës ishin komandant Gjon Banushi, komisar Kahreman Ylli, zëvendëskomandant Halit Kaçanolli, zëvendëskomisar Gafur Çugi, ndërsa në seksionet ishin Veiz Pipa, Minella Kapo dhe Pano Qirjaqi. Të 559 partizanët, që krijuan BrXIVS, kishin përvojë luftarake, të fituar në luftimet që kishin bërë në krahinat e Kurveleshit, Vlorës, Mallakastrës, Delvinës dhe Sarandës. BrXIVS kishte një zonë të gjërë veprimesh luftarake, që përfshinte krahinat e Libohovës, Pogonit, Lunxherisë e deri në Cepo e Rrëzamën e Delvinës, si dhe bregdetin e Sarandës, duke patur për detyrë çlirimin e tyre, si dhe dëmtimin e armikut në njerëz dhe material, për ta penguar atë në rrugët Kakavijë-Tepelenë, Jurgucat-Sarandë, Sarandë-Himarë e për ta detyruar armikun të mbyllej në qytetet Gjirokastër, Sarandë e Delvinë.

Gjatë muajve Shtator e Tetor 1944 forcat e BrXIVS, në bashkëveprim me forcat e BrXII,XIXS, bënë luftime të ashpra për çlirimin e Gjirokastrës, Sarandës dhe Delvinës. Çlirimi i Gjirokastrës u bë më 18 Shtator, duke kapur e çarmatosur mbi 250 robër e vrarë shumë nazistë. Këtë ditë u çlirua Kalaja e Borshit e u sulmuan forcat armike përgjatë bregdetit të Sarandës. Më 19 Shtator brigada sulmoi armikun prej 1000 nazistë në Jorgucat të Gjirokastrës, duke e dëmtuar atë rëndë. Ndërsa, më 19-20 Shtator, në gjiun e Kakomesë, zbarkuan nga deti një grup prej 13 ushtarakë anglez, të cilët, pasi u pyetën për qëllimin e zbarkimit të tyre nga komanda e brigadës, u mësua se në bregdetin e Borshit do të zbarkonin të tjerë ushtarakë britanik. Më 4 Tetor në bregdetin e Borshit zbarkuan 1200 ushtarakë britanik, të cilët u ndaluan në vend dhe pasi u sqarua nga komanda e brigadës u vendos që ata të koordinonin veprimet luftarake të forcave të tyre me forcat e BrXIVS, për çlirimin e qytetit të Sarandës. Në takimin dypalësh, nga brigada partizane “mori pjesë komisari i Brigadës, Kahreman Ylli, i cili, së bashku me Islam Radovickën zhvilluam bisedimet me forcat angleze në Kakome..”.

Më 9 Tetor forcat e BrXIVS, së bashku me BrXIIS, nisën luftën e rreptë kundër nazistëve gjermanë, që ishin të përqëndruar në rrethinat dhe në qytetin e Sarandës. Në këtë betejë të ashpër ndihmuan ushtarakët britanikë, sidomos me artilerinë e tyre, kundër fortifikimeve që kishin nënrepartet naziste, sidomos në Qafë Gjashtë. Lufta e fundit e brigadës ishte sulmi për çlirimin e qytetit të Delvinës, ku ndodheshin deri në 800 nazistë. Në bashkëveprim dhe me partizanë të BrXIXS, i detyroi nazistët hitlerianë të tërhiqeshin në panik nga qyteti, duke lënë në fushën e betejës mjaft të vrarë dhe material të shumtë luftarak. Edhe nga radhët partizane ranë në fushën e betejës shumë dëshmorë. Gjatë inspektimit në zonën luftarake rreth Sarandës, nga plasja e një mine kundër këmbësorie, u plagos rëndë komisari i Brigadës, Kahreman Ylli. Atë e nisën për kurim në spitalin ushtarak të forcave aleate, në Bari të Italisë dhe në Dhjetor 1944 u kthye shëndoshë e mirë, në Shqipëri. Në muajin Tetor të vitit 1944 BrXIVS u rreshtua në Div. III S.

“Lufta, shkruan Kahremani, më zhduku mjaft dobësi, më kaliti me vuajtjet, më bëri më guximtar. Nuk i jam trembur rrezikut dhe e kam ndjerë veten të vendosur për çështjen e Partisë. Vazhdoj të jem tip i mbyllur, të mos e manifestoj tepër gëzimin ose hidhërimin, por që ta ndjej thellë në vetëvete…”. Populli i Skraparit në Luftën Antifashiste NÇ dha një kontribut të madh për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, ku shquhet Kahraman Ylli.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu