Kadilli shuplakë Berishës: Me ty në krye, humbim “lokalet” 2023 dhe rrezikojmë izolimin

0
Gjigandi

Ish-kandidati për kryetar të PD,  Fatbardh Kadilli ka mbajtur një fjalim brilant në Kuvendin Kombëtar. Kadilli vendosi theksin tek rreziku që po i kanos zgjedhjeve lokale përçarja e Partisë Demokratike. I vetmi kritik që nuk ngurojë të ngrinte zërin. Sipas tij ”selia blu” sot nuk po përfaqëson më të rinjtë dhe se Berisha po vulos negativisht edhe zgjedhjet e ardhshme.

Zoti Berisha kërkon me këmbëngulje të bëhet kryetar partie dhe kandidat për kryeministër Kërkon të mbetet oferta e vetme e PD, kur jemi në dekadën e tretë të shekullit XXI.

Ndërkohë, është e sigurtë se e gjithë elita e re drejtuse e PD-së që do të dalë nga ky Kuvend do të jetë pak a shumë ajo që ishte prej një dekade me ca zbukurime të vogla.

Kjo elitë drejtuese do të riciklojë të njejtat qasje, të njetat ide, të njejtat fjalë si më parë, madje me më pak besueshëmri se më parë.

Javët e fundit e kanë treguar qartë shterpësinë e ideve dhe të mendimeve të kësaj elite.

RonaTyra

Rezultati i pashmangshëm do të jetë dështimi ynë elektoral në zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm dhe ato të përgjithshme të vitit 2025,” tha Kadilli

Fjala e Plotë në Kuvendin e 30 Prillit:

Të nderuar demokratë,

Të dashur miq,

Ndihem i nderuar dhe me fat që m’u dha prapë mundësia të flas me ju sot. E di që është e drejta e çdo delegati dhe çdo demokrati të flasë, por prapë e di që kërkon një mëndje të hapur dhe është vlerësim që, mes folësve të përzgjedhur, të pranohet edhe dikush që dihet fare mirë se do të jetë kritik. Ndaj falenderoj sinqerisht organizatorët për këtë mundësi dhe uroj që ky precedent të bëhet rrugë.

Kam zgjedhur të jem me ju sot sepse jam nga ata demokratë që nuk do ta braktis kurrë Partinë Demokratike edhe nëse e braktisin gjithë të tjerët.

Nuk e kam braktisur PD-në as në ditët e saj më të vështira, sepse kjo është partia ime. E kam pritur të vijë. Kam dhënë një dorë në krijimin e saj dhe do të vazhdoj ta bëj gjithnjë. Për këtë arsye, në një farë mënyre jam i gëzuar për mijëra e mijëra demorkatë të tjerë si unë që shohin sot një PD në rrugën e bashkimit dhe larg coptimit që i kanosej vetëm pak muaj më parë.

Duket se, më në fund, paaftësia e zotit Basha pati një të mirë. Nuk arriti të mobilizojë as të grupojë mbështetje masive që do ta ndante partinë. Por nga ana tjetër, do të isha hipokrit nëse nuk do të thoja se faktori tjetër për moscoptimin e partisë ishte përpjekja e suksesshme e Zotit Berisha. Rezultat i forcës dhe vullnetit të tij të paepur për të marrë në dorë kontrollin e partisë, është krijimi i një shumice thithëse në bazën e partisë. Pa ironi, shpresoj që të gjithë demorkatët një ditë të gjejnë kurajën që ka Zoti Berisha për interesin e tij dhe të dinë ta përdorin për të luftuar për interesin e partisë dhe të Shqipërisë. Dhe kjo është arsyeja e dytë që unë jam këtu sot. Jam këtu sepse kam shpresë se PD mund të ndryshojë, se PD do të ndryshojë. Askush nuk duhet të mohoj, se diçka ka ndryshuar.

Duhet të jesh cinik të mos vlerësosh procesin e zgjedhjeve “një anëtar – një votë”të kandidatëve për zgjedhjet bashkiake dhe të drejtuesve lokalë të partisë. Megjithë të metat, megjithë mosbesimin, me gjithë mospjesëmarrjen nga një pjesë e partisë, përvoja e zgjedhjeve me votën e anëtarësisë ka qenë një hap i rëndësishëm për partinë tonë në të cilën garat e vërteta kanë munguar thuajse gjithmonë. Unë shpresoj që ky parim do të respektohet në të gjitha rastet që do vinë shpejt dhe shpresoj që do të kthehet në standardin e vetëm të zgjedhjes së drejtuesve dhe figurave politike të partisë.

Unë besoj se kthimi tek vota e anëtarësisë dhe sanksionimi i largimit të kryetarit dhe ekipit humbës janë një hap i madh për partinë tonë. Ato nuk do të sjellin menjëherë ndryshimin e madh,

Por nëse do të respektohen do të sjellin ndryshime të mëdha në periudhën afatgjatë.

Por këto ndryshime, nuk mjaftojnë. Sikurse e ka thënë një ekonomsit i famshëm: Në afatgjatë ne do të jemi të gjithë të vdekur.

Ndaj unë besoj se PD ka nevojë për një ndryshim sot. Me keqardhje, them se ndryshimi nuk duket se do të ndodhë. Ndoshta të kapur në befasi nga shpejtësia dhe rrjedha dramatike e ngjarjeve në përplasjen brenda parties. Ne demokratët duket se harruam të reflektonin dhe të diskutonim thellësisht për të ardhmen tonë.

Para nesh shtrohen pyetje thelbësore:

A reflektuam pse përfunduam deri në këtë pikë?

A po e ndryshojmë mendësinë që na solli këtu?

A e dënuam degradimin moral ku përfundoi udhëheqja e partisë sonë?

A kemi përqafuar vlerat e vërteta, apo po ngatërrojmë vlerat me etiketat fallco që po i ngjisim vetes?

A po kthehemi në një parti moderne?

Apo po vazhdojmë me konceptet e vjetra me organizata dhe forume mijëra vetash që konkurojnë turmat e tifozëve në stadiume?

A kemi reflektuar mbi pushtetin e kryetarit dhe vendim-marjen e lartë në parti?

Apo thjesht menduam se kishim udhëheqësin e gabuar dhe tani kemi gjetur të duhurin?

A e kuptuam se servilizmi, klientelizmi, oportunzmi dhe mungesa e dinjitetit personal çojnë në autokraci partiake dhe në korruptimin partiak?

Nuk jam i bindur se këto pyetje marrin përgjigjet që shumëkush shpeson sot. Fatkeqësisht, më duket se ne ndjejmë kënaqësi vetëm kur shqiptojmë fjalët gati banale – Lul Brava, por jemi të verbër përpara bravave në mendjet tona. Ato brava që në fakt e krijuan Lulzim Bashën që sot e dënojmë të gjithë. Fatkeqësisht, më duket se këto kohë jemi marrë, me blindimin e verbër që Lulzim Basha i bëri ndërtesës së PD-së dhe me izolimin kriminal që ai i bëri partisë, por jemi të verbër për të shikuar blindimin e padukshmëm dhe izolimin që PD e drejtuar nga Zoti Berisha ka nga qytetarët që kërkojnë ndryshim dhe një PD moderne. Fatkeqësisht ne jemi tallur me 5-7-10-15 përqindshin ku përfundoi Basha në zgjedhjet lokale, por e shohim si fitore të madhe 30 për qindshin që mori Zoti Berisha. Ky është rreziku që ne të gjithë kemi sot pëprpara: Rreziku që partia jonë do të kthehet përfundimisht në një 20-30 për qindëshe që tërheq vetëm anëtarësinë dhe një grup të pamjaftueshëm votuesish besnikë. Ne sot rrezikojmë që të kthehemi përfundimsiht në një parti të huaj veçanërisht për rininë, për gratë edhe votuesin urban. Sepse ne nuk po shkëputemi dot nga e shkuara dhe nuk po përtërijmë elitën drejtuese të partisë.

Zoti Berisha kërkon me këmbëngulje të bëhet kryetar partie dhe kandidat për kryeministër Kërkon të mbetet oferta e vetme e PD, kur jemi në dekadën e tretë të shekullit XXI.

Ndërkohë, është e sigurtë se e gjithë elita e re drejtuse e PD-së që do të dalë nga ky Kuvend do të jetë pak a shumë ajo që ishte prej një dekade me ca zbukurime të vogla.

Kjo elitë drejtuese do të riciklojë të njejtat qasje, të njetat ide, të njejtat fjalë si më parë, madje me më pak besueshëmri se më parë.

Javët e fundit e kanë treguar qartë shterpësinë e ideve dhe të mendimeve të kësaj elite.

Rezultati i pashmangshëm do të jetë dështimi ynë elektoral në zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm dhe ato të përgjithshme të vitit 2025.

Të dashur demokratë

Partia Demorkatike ka qenë e suksesshme vetëm kur i është përgjigjur aspiratës së shqiptarëve për ndryshim. Në vitin 1992 ajo iu përgjigj aspiratës së shqiptarëve për ndryshimin e madh drejt lirisë dhe demorkacisë. Atëhere, ajo ishte e vetmja alternativë që mund të sillte atë që donin shqiptarët: një qeverisje demokratike.

Në vitin 2005, Partia Demorkatike iu përgjigj aspiratës së shqiptarëve për luftë kundër korrupsionit dhe për qeverisje të pastër dhe të përgjegjshme. Atëhere ajo qe e vetmja alternativë e besueshme përballë kalbëzimit krruptiv të qeverisjes socialiste.

Në vitin 2021 ne nuk ju afruam shqiptarëve atë që donin: një qeverisje të ndershme dhe që punon për njerëzit dhe jo për oligarkët. Dhe humbëm. Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë aspiratë të shqiptarëve. Edhe dje edhe sot, edhe para dhe pas 25 prillit, 9 shtatorit, 11 dhjetorit, 8 janarit, 6 marsit, shqiptarët kanë një aspiratë:

duan një qeverisje normale, të ndershme, që afron mundësi për të gjithë.

Shqiptarë sot duan politikanë të pakorruptuar dhe me integritet.

Duan një politikë të ideve, të institucioneve,

duan një politikë europiane.

Duan një treg të lirë nga monopolet dhe oligarkët që po grabisin çdo pasuri kombëtare dhe çdo qindarkë të parave të shqiptarëve. Shqiptarët po ulërasin kudo:

Kundër korrupsionit

Kundër padrejtësive

Kundër oligarkëve

Vota e qytetarëve fitohet vetëm nëse ata besojnë se jemi ne ata qe do ja u përmbushim këtë aspirate. Një gjë është e sigurtë: nëse PD do të mbetet peng e të njejtave ide, e të njejtave qasje dhe e të njejtëve njerëz si në të shkuarën, shqiptarët nuk do e votojnë. Ne nuk mund t’i bëjmë bisht të vërtetës sonë: PD sot është PD-ja e vitit 2013. Për të koha ka mbetur në vend. Koha e shqiptarëve ka ecur përpara dhe e ka lënë PD-në pas. PD sot duhet të kapë të ardhmen. Për këtë arsye, dua t’i bëj thirrje edhe një herë tjetër Zotit Berisha që të hapë rrugën për një brez tjetër në krye të PD-së, i cili mund të vijë nga një garë e lirë dhe e vërtetë. Një garë ku merr pjesë zoti Berisha nuk është garë e vërtetë.

Në emër të së ardhmes dua t’i bëj thirrje këtij Kuvendi që të shprehë qartë: ndarjen nga çdo trashëgimi e keqe e së shkuarës sonë. Të shpallim ndarjen nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin që edhe ne kemi kryer në të shkuarën.

Të dashur demokratë,

I gjithë fokusi i Edi Ramës dhe shpurës së tij është të mbajë pushtetin me çdo mjet dhe me çdo çmim: pavarësisht ligjit, pavarësisht moralit, pavarësisht kostove.

Një nga investimet më të mëdha të Edi Ramës është lufta kundër PD-së, lufta kundër nesh, që të shpenzojmë energji dhe kohë për tu mbrojtur dhe që të mos kemi kohë dhe energji për të ndryshuar.

Rama dhe pushteti punojnë në mënyrë të vazhdueshme për të përçarë, diskredituar dhe dekurajuar kundërshtarët e tanishëm dhe ata potencialë, veçanërisht PD-në. Nga ana tjetër, fatkeqësisht elektorati i djathtë, është i përçarë:

ca mbështesin këtë apo atë udhëheqës pa kushte,

ca janë të zhgënjyer nga PD-ja,

ca janë të zhgënjyer nga të gjitha partitë e djathta,

ca kanë humbur shpresën tek politika.

Kjo përçarje vjen nga mungesa e vlerave të partive të djathta, veçanërisht PD-së.

Ndaj bashkimi mund të vijë vetëm nëse PD do të kthehet në parti vlerash. Përtej të djathtës, shumë qytetarë kanë humbur çdo lloj besimi ndaj poitikës dhe politikanëve. Ky mosbesim i ka çuar ata në braktisjen e politikës dhe bojkotimin e zgjedhjeve. Shumë i ka çuar drejt emigrimit. Kjo krizë mosbesimi buron më shumë se nga çdo gjë tjetër nga korruptimi i politikanëve.

Ndaj kthimi i besimit të qytetarëve dhe pjesëmarrja e tyre në politikë mund të vijë vetëm nëse PD i kthehet vlerave; Vetëm nëse PD do të shkëputet një herë e mirë nga pjesa e korrutpuar dhe dështimet e të shkaurës së saj; Vetëm nëse në krye të PD-së do të ketë njërëz me integritet të padiskutueshëm. E kam thënë para jush para pak muajsh dhe dua ta them sërish:

Edi Rama rrëzohet me parime dhe jo me forcë. Edi Rama mundet në betejën e vlerave dhe integritetit dhe jo atë propagandës dhe sharjeve. Edi Rama mundet nëse përballë tij PD do të vërë dikë që del në mes të sheshit dhe askush nuk e akuzon dot për integritet dhe dinjitet.

Të dashur demokratë,

Ne shpesh na karakterizon mentaliteti për t’i shtyrë gjërat për nesër. Mentaliteti shohim e bëjmë. Por ne nuk kemi kohë të shohim, të presim. Pritja është dënim për Partinë Demokratike. Ne duhet të bëjmë gjënë e duhur sot. Ne duhet të ndryshojmë sot. Ky Kuvend nuk do të shërbejë për asgjë nëse nuk shërben si fillimi i ndryshimit që PD ka nevojë. të ndryshimit që shqiptarët presin me dëshëprim. Ju ftoj që bashkë të zgjedhim rrugën e ndryshimit, rrugën e shpresës.

Faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu