E ndërtuar në vitet ‘60, gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë është një nga shkollat e para që do të rindërtohen pas dëmeve të rënda që pësoi në kolonat mbajtëse nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ashtu siç pati premtuar kryebashkiaku Veliaj, godina e re që do t’i japë fund edhe mësimit më 2 turne, do të jetë një shkollë me mjedise shumë herë më të mëdha e kushte të përshtatshme për një proces mësimor brenda të gjithë parametrave të një shkolle evropiane.
Ambientet e godinës së vjetër të shkollës përfshinin 38 klasa me kapacitet 38-39 nxënës secila dhe një numër total nxënësish prej 1452. Ndërkohë, projekti i propozuar parashikon një kapacitet prej 49 klasash me nga 30 nxënës secila dhe një klasë me 24 nxënës, duke arritur kështu në një numër total nxënësish prej 1494.
Gjithashtu, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe laboratoreve që do të ndihmojnë nxënësit në përvetësimin e dijeve edhe në praktikë.
Godina ka pasur 4 ambiente laboratorësh me sipërfaqe që variojnë nga 36 m2 deri në 80 m2. Projekti i ri parashikon ndërtimin e 7 laboratorëve me sipërfaqe që variojnë nga 40 m2 deri në 100 m2; përkatësisht për lëndët kimi, vizatim teknik, informatikë, gjuhë e huaj, biologji, art/pikturë dhe muzikë.
Gjithashtu, shkolla do të ketë më tepër se një 4-fishim të sipërfaqes së hollit të ri në hyrje dhe po ashtu të bibliotekës që do të ketë kapacitet për 100 persona.
Në ndryshim nga godina e vjetër, projekti do të përfshijë nje auditor të ri me sipërfaqe 140 m2 me një kapacitet prej 100 personash. Gjithashtu, godinës do t’i shtohet një depo dhe ambiente teknike me një sipërfaqe prej 500 m2.
Shkolla do të ketë edhe një dhomë të dedikuar për mjekun dhe një për psikologun.
Ndërkaq, është rritur numri i nyjeve sanitare në çdo kat.
Si një nga shkollat model duke nxjerrë për vite me radhë kampionë, falë këtij investimi “Sami Frashërit” priten që ti rikthehet edhe shkëlqimi edhe në sport. Në godinën e re do të ketë më tepër se një 2-fishim të sipërfaqes së palestrës së brendshme. Në ndryshim nga palestra e vjetër prej 230 m2, plani i ri parashikon një palestër të re prej 471 m2, si dhe më tepër hapësirë në dhomat e zhveshjes dhe tualeteve të paletresës. Gjithashtu, fushat e jashtme sportive (basketboll/volejboll) do të kenë përmasa më të mëdha.
Për herë të parë, shkolla e re do të ofrojë mundësi dhe shanse të barabarta edhe për ata me aftësi të kufizuara. Godina e re do të përfshijë ashensor si dhe shkallë emergjence.
Burimi: top-channel.tv