Fundjava do jetë me mot të paqëndrueshëm. Sipas parashikimeve të sinoptikanëve pas mesditës së të shtunës parashikohen reshje shiu.
“Pjesa e dytë e ditës së Shtunë parashikohet të shtojë vranësirat në vendin tonë duke bërë që vranësirat gjatë orëve të pasdites kryesisht mbrëmjes do të sjellin reshje shiu në territorin shqiptar ku më të dukshme do të jenë në zonat veriore dhe veriperëndimore ku herë pas here do të jenë edhe në formën e rrebesheve, ndërsa në zonat qendrore dhe në zonat jugore priten që reshjet të jenë më të pakta.
Do të mbeten prezente edhe në orët e para të mëngjesit reshjet e shiut në vendin tonë, por pjesa e dytë e ditës së diel do të sjellë përmirësim gradual të kushteve të motit si fillim në zonat veriore, qendrore dhe me pas në zonat jugore”, tha meteorologu Hakil Osmani.
Temperaturat e ajrit do të vijnë në ulje, pas ditës së premte ku vlerat maksimale në disa rajone të vendit kulmuan deri në 30 gradë Celsius.
“Pritet që fundjava të sjellë një rënie të ndjeshme të tyre duke bërë që maksimumet në territorin shqiptar të mos shkojnë më shumë se 24 apo 25 gradë Celsius duke bërë që të jenë temperatura tipike sa i përket Tetorit.”
Sipas parashikimeve të sinoptikanëve parametri i erës do të jetë shqetësues sidomos të shtunën, duke shkaktuar një det të trazuar.
“Me shpejtësi edhe mbi 75 km/h në det të hapur duke sjellë problematik përsa i përket trafikut detar. Dita e dielë pritet të sjellë dobësim të intensitetit të erës.”
Fillimi i javës tjetër do të jetë pa reshje ndërsa temperaturat do të jenë tipike të vjeshtë jo më shumë se 25 gradë Celsius.
j.l./ ABC24.AL