Një 28-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, pasi u kap me doza kokaine. Mediat italiane raportojnë se shqiptari, i cili nuk ishte me leje qëndrimi në Itali, u kap ‘mat’ me doza kokaine të bëra gati për shitje, ndërsa lëvizte me një automjet të marrë me qira.
I riu ishte pikasur për lëvizjet e tij të dyshimta, ndërsa policia ishte vënë në ndjekje të tij për disa ditë në zonën e Arezzo-s.
Shqiptari, lindur në Greqi, pa precedentë, u arrestua pikërisht teksa kryente dërgesat e përditshme të dozave të kokainës. Ai endej rrugëve i pashqetësuar dhe shpërndante drogë në pjesë të ndryshme të qytetit.
Gjatë arrestimit atij iu gjet dhe një shumë prej 690 euro, të ardhura të mundshme nga aktiviteti më i fundit i trafikut të drogës. Ndërkohë, në banesë atij iu gjetën dhe 6600 euro cash.