Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi ka reaguar në lidhje me deklaratat e Fredi Belerit të bëra ditën e sotme në një emision live.
Idrizi ka ironizuar deklaratat e Belerit lidhur me flamurin e Vorio Epirit gjatë një takimi në ishullin Samos të Greqisë, ku nga pas tij shfaqej flamuri i Vorio Epirit.
“Shqiponja në flamur nuk simbolizon shqiponjën shqiptare, as shqiponjën bizantine. Shqiponja në këtë flamur simbolizon thjesht vetullat e Fredit”, shkruan Idrizi.
Sjellim në vëmendje se Fredi Beleri, kandidati i PD në zgjedhjet e 14 majit, i ka dhënë përgjigje akuzave për fushatë me flamurin e Vorio Epirit, për zgjedhjet e 14 majit. Referuar aktivitetit në ishullin Samos të Greqisë, Beleri tha sot Abc News se duhet ta kishte hequr, por nuk i kushtoi rëndësi flamurit pas tij.
“Ishte një aktivitet në ishullin Samos, në flamur nuk thotë Vorio Epir, por emrin e fshatit Shën Vasil. Vorio Epiri është një marrëveshje që s’mund të aplikohet sot, sepse ka ligje ndërkombëtare për të drejtat e minoritarëve. Ligji i 2017 mbron të drejtat e minoriteteve, janë në kuadër të shpifjeve, për të më krijuar probleme në kandidimin, që populli të mos më votojë por s’kanë për t’ia arritur.
Unë ftova bashkëfshatarët në Samos të vijnë të votojnë të tregojnë interes për fshatin e tyre. Kur shkon i ftuar s’mund të vesh rregullat e shtëpisë. Për mua ky term nuk ekziston. Publiku të kuptojë, nuk i kushtova rëndësinë që duhet t’i kushtoja flamurit. Duhet ta kisha hequr, edhe pse do isha i pasjellshëm, por ishte një detaj që nuk e vura re”, tha Beleri.