INVESTIGIM/ Vaj gjembaçit indian zëvendëson lulediellin!? 7 milion litra për 3 muaj, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave “kafshon” gjuhën

0
Gjigandi

Shkruar nga Dea Dervishi

7 milion litra vaj të një gjembaçi indian janë futur në Shqipëri në 3 muaj. Nëpërmjet një llogarie “të trashë” për 3 milionë banorë, përkthehet në 2 litra vaj të përdorur duke përfshirë edhe emigrantët si konsumatorë.

Ky vaj rezulton të jetë në çmim më i lirë nga ai i lulediellit. Por në një investigim të kryer nga Priza.al rezultoi se në asnjë produkt në supermarketet nuk ishte i përshkruar ky lloj vaji në etiketat përshkruese.

Pyetja që lind është ku shkuan 7 milion litra vaj Gjembaçi indian?

Sikur të mos mjaftonte rritja e çmendur e çmimeve, shqiptarët që e përdorin vajin e lulediellit, ka të ngjarë të jenë duke u mashtruar masivisht, duke konsumuar vaj nga një bimë gjembaçi, që futet në familjen e Lulediellit, që quhet Saffloëer Carthamus Tinctorius. Vlen për t’u theksuar se kjo bimë nuk përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve, madje ka të njëjtat veti dhe të dhëna si luledielli e madje përdoret dhe në mjekësi. Por, nuk është vaj luledielli, produkt ky që reklamohet në etiketat e produkteve që gjenden masivisht në etiketa dhe që në Shqipëri importohet me çmim më të lirë sesa vaji i lulediellit.

RonaTyra

Sikur të mos mjaftonte kjo, nga të dhënat e sasive të importit në vendin tonë ka hyrë një sasi shumë e vogël e vajit të lulediellit por vaj nga bima Saffloëer Carthamus tinctorius  janë importuar sasi 109 herë më shumë pra 6,982,215 vaj gjembaçi dhe vetëm 15 litra vaj  luledielli.

Në përgjigjen zyrtare Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për sasitë dhe çmimet e deklarata të vajit të lulediellit të importuara në Shqipëri që nga 1 janari deri me 31 mars 2022 deklaroj se në vendin tonë janë importuar në 3 muaj 6,982,215 litra vaj nga kjo lloj bime, pra Saffloëer, Carthamus tinctorius, me kodin doganor sipas nomeklaturës së vitit 2022, 15121990. Ndërsa referuar të dhënave të siguruara, vaj luledielli janë importuar vetëm 63,723 litra, konkretisht, në muajin janar vetëm 15 litra, në shkurt 49,405 dhe në mars, 14,303 litra.

Kjo përbën skandal të vërtetë për shqiptarët, të cilët duket se paguajnë çmime shumë të kripura, për një produkt, që as nuk është vaj luledielli dhe që importohet në vendin tonë me çmim më të lirë dhe i shitet shtrenjtë.

Të njëjtat të dhëna nga doganat tregojnë se, në muajin janar 2002 një litër i vajit nga bima Saffloëer Carthamus tinctorius u importua me çmimin 181.38 lekë për litër, 174,13 lek për litër dhe në mars 2022 me 205,6 lek për litër. Çmimi i muajit mars rezulton 20 lek me i lartë se i lulediellit, por duket se “shterimi” i burimeve në Ukrainë apo vende tjera, i ka detyruar importuesit të kërkojnë në tregje të tjera, diçka të ngjashme me vajin e lulediellit. Ndërsa në muajt janar dhe shkurt, çmimi i këtij vaji në dogana ka qenë më i lirë.

Sipas tabelave të ardhura nga Doganat, në muajin janar 2022, një litër vaj luledielli është zhdoganuar me vlerën 233.86 lek për litër, në muajin shkurt me 182,58 lek për litër ndërsa në mars, 185,64 lek. Këto shifra, veçanërisht në fund të muajit shkurt dhe përgjatë marsit, kur vaji i lulediellit (të paktën kështu deklarohet në etiketë) arriti në 400 lek litri në pikat e shitjes, tregojnë mashtrimin dhe abuzimin e prodhuesve e tregtarëve, dhe ndaj të cilëve, nuk pati asnjë masë disiplinore. Por, edhe çmimi prej 321 lekësh i miratuar nga Bordi i Transparencës më 4 prill 2022, duket se është tejet abuziv që rëndon mbi konsumatorët, ndërkohë që në këtë bord janë vetëm 2 palë, institucionet shtetërore dhe tregtarët e vajit, të cilët bashkërisht firmosin e vulosin çmimet.

Sipas Nomeklaturës së Doganave për vitit 2022, ose e thënë ndryshe, kodet doganore, siç shikohet dhe në tabelë, kreu 1512 i përket kategorisë “Vaj luledielli, vaj Saffloëer (një bimë e ngjashme me gjëmbaç, Carthamus tinctorius) që kultivohet në Indi dhe vaj i farave të pambukut dhe fraksionet e tyre, nëse janë apo jo të rafinuara, por jo te modifikuara kimikisht”. Ndërsa e ndarë respektivisht sipas kodeve, referuar dhe tabelës me informacion nga Doganat, 15121191 i përket vajit të lulediellit, ndërsa 15121990 i përket vaj Saffloëer.

Sipas këtyre të dhënave, ku duket i qartë abuzimi me konsumatorët shqiptarë.

Dyshimet

Referuar çmimeve dhe sasia, tregohet se mundësia më e madhe është që shqiptarët të jenë duke konsumuar vaj nga gjembaçi indian në vend të atij të lulediellit, ose me një përzierje në përqindje fare të vogël nga ky i fundit.

Dyshimi i dytë ka të bëjë me ndërimin në dogana të kodeve, pra një vaj luledielli, kur blihet më shtrenjtë në tregjet ndërkombëtar, paguan tarifat doganore për vaj Saffloëer Carthamus tinctorius, ose e anasjellta (referuar çmimeve të muajit mars) pra shmangen detyrimet doganore, paguhet më pak, ndërsa konsumatorëve shqiptar u faturohet çmimi i kripur, në kurriz të të cilit janë fitimet në të gjithë zinxhirin, 20 % e TVSH-së dhe mundësia që nuk është vaj luledielli.

 Drejtoria e doganave “kafshon gjuhën” dhe  shprehet se ka bërë një gabim

Në tabelën e dërguar nga Doganat, ka një paqartësi, që është gabim njerëzor, ose “hile” për ngatërresë në kode. Në përgjigjen e saj sipas nomeklaturës është shënuar 15121990, që i përket kategorisë “Të tjera – Vaj i farave të pambukut dhe fraksione te tij…”, ndërsa sipas sqarimit të vetë këtij institucioni dhe lloji i vajit të importuar, përveç atij të lulediellit, është “Vaj Saffloëer Carthamus tinctorius” dhe që sipas nomeklaturës ka kodin 1512 1199.

Po çfarë është Saffloëer Carthamus tinctorius?

Bëhet fjalë për një bimë të degëzuar, e ngjashme me gjembaçin dhe që në familjen e lulediellit Asteraceae. Është bimë e kultivuar komercialisht për vaj vegjetal të nxjerrë nga farat dhe është përdorur që nga kolonitë e hershme spanjolle përgjatë Rio Grande edhe si një zëvendësim për shafranin. Saffloëer është një bimë, farat e së cilës përdoren për të prodhuar vaj bimor, ashtu siç dhe luledielli, pra hyn në grupin e bimëve që përdoren për prodhimin e vajrave bimorë.

© E drejta e autorit për të dhënat zyrtare të përdorura në këtë shkrim i përkasin “Qendrës ALERT – Dedikuar Konsumatorit”

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu