Behgjet Pacolli është një nga kundërshtarët e vendimit të Kurtit për të mos u ulur në tryezën e fundit të Open Balkan ku ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i SHBA. Në një intervistë për Priza.al ish presidenti Kosovar kritikon mënyrën si Kurti po qeveris ndërsa apelon për të vijuar ende sanksionet kundër Rusisë deri në ndryshimin politik në këtë vend. Lufta sipas Pacollit duhet me patjetër të fitohet nga Ukraina pasi cdo rezultat tjetër do ishte dështim i Europës dhe Perëdimit. Ish Presidentit Kosovar nuk i kursen akuzat ndaj gjykatës ndërkombëtare të Hagës: Një avokat i njohur ndërkombëtar më tha se në zemër të Europës funksionon një gjykatë që ndjek standardet e regjimeve autoritare
Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, ish President
-Zoti president ju jeni shprehur në fillim të këtij viti në mos gaboj se jeni pro nismës “Open Balkan”. I qëndroni ende idesë se Kosova duhet të bëhet pjësë e kësaj nisme?
„Open Balkan, Kosova nuk duhet të frikësohet nga ulja në tavolinë. Nuk i bën nder Kosovës të mungojë në takime ku ulet kryeministri shqiptar dhe përfaqësuesi i SHBA“
Unë vazhdoj të besoj fuqishëm në një ekonomi të lirë dhe treg të përbashkët rajonal si mundësi për zhvillim ekonomik, për më shumë eksporte dhe lehtësim të punës për bizneset tona. Duhet kuptuar një gjë, askush në rajon nuk ka probleme në eksporte sikurse Kosova. Askush nga rajoni nëse dëshiron me eksportu në Kosovë s´ka pengesa. Të vetmit që kanë pengesa në rajon janë bizneset tona. Për këtë besoj duhet bërë çdo gjë që të zgjidhen barierat tregtare për bizneset tona. Kosova duhet të ulet në tavolinë më të gjithë pjesmarrësit e tjerë, të parashtroj kërkesat e veta, të listoj problemet politike, ligjore dhe të tjera që përballen bizneset tona në rajon dhe të diskutoj me të gjithë për të shiquar a ka mundësi të gjindet një marrëveshje. Besoj ka qenë mundësi jashtëzakonisht e madhe e humbur ftesa e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për pjesmarrjen e Kryeministrit Kurti në takimin e Ohrit. Kosova nuk duhet të frikësohet nga ulja në tavolinë, përkundrazi ne kemi më së shumti argumente për të ngritur që janë në favorin tonë. Kështu, përmes dialogut me të gjithë, duke konsultuar edhe partnerët tanë amerikanë dhe evropian, edhe pse jo të kërkohet ndihma e tyre, të tregojmë prezencë. Nuk besoj që i bën nder Kosovës të mungoj në takime ku ulet kryeministri shqiptar dhe përfaqësuesi amerikan.
-A besoni ju zoti president se kjo nismë është vërtet iniciativë e vendeve që janë pjesë e saj, ndërkohë që kemi dëgjuar një deklaratë të kreut të diplomacisë ruse Sergei Lavrov i cili tha se nisma ka mbështetjen e Rusisë dhe është nismë e presidentit Serb?
„Lavrov është mjeshtër për të manipuluar. Edhe deklarat e tij për Open Balkan kishte këtë qëllim“
E para, pse nuk më pyesni për qëndrimin e z. Escobar apo të Ambasadorit Christopher Hill dhe të zyrtarëve të tjerë amërikanë që janë shprehur pro kësaj ideje. E dyta, habitem qysh kjo deklaratë e Sergej Lavrovit është bërë pikë reference për politikanët dhe opinionistët në Kosovë. Ministri i Jashtëm Lavrov është ndër më të zotët në manipulim dhe ai e njeh mirë rajonin e Balkanit dhe Kosovën, e din sa ndezin deklarata të tilla në ambientin tonë. Jam habitur që më shumë i është dhënë hapësirë deklaratës së tij sesa deklaratës së z. Escobar dhe Ambasadorit Hill, se sa shumë politikanë në Kosovë e kanë cituar Lavrovin dhe jo partnerët tanë amerikanë. Besoj kjo situatë flet shumë se si është hutuar busulla strategjike e Kosovës.
-Çfarë humbet Kosova nëse nuk bëhet pjesë e nismës?
„Kosova duhet të pyesë veten a mund të funksionojë kundër trendeve në Rajon“
E humbet mundësinë që të tregohet shtet, që është i gatshëm të flasë hapur për problemet në rajon me të gjithë. Kosova nuk duhet të ikë nga tavolina, por të jetë prezente. Serbia dhe Bosnja dhe vende të tjera nuk e njohin Kosovën në SEECP, në RCC, në Proces të Berlinit, etj.
Pra pse të ulemi diku ku Serbia nuk e njeh Kosovën dhe diku jo? Ky argument është populist dhe nuk ka të bëjë asgjë me racionalitet dhe pragmatizëm.
E dyta, unë besoj se Kosova duhet të jetë aty ku është Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku jetojnë shqiptarët e tjerë, dhe besoj që Mali i Zi së shpejti do të jetë aty. A synojmë të bëhemi ne dhe Bosnja një klub i vetëm i izoluar, Bosnja për shkak të sistemit të vet të komplikuar politik? Besoj se nuk i bën nder as nuk i shkon në interes të Kosovës kjo. E dyta, sa jam në dijeni, tregu i përbashkët rajonal që rajoni dhe BE janë pajtuar në Samitin e Sofjes si pjesë e Procesit të Berlinit nuk është pranuar të nënshkruhet vitin e kaluar nga qeveria jonë për shkak të fusnotës, pra pyetja që duhet t´i bëj Kosova vetes është a mundet të funksionojë e izoluar nga trendet në rajon. E trendet nuk ndryshohen as nuk ndikohen duke ikur nga tavolina e duke bërë populizëm në rrjete sociale.
Ndërkohë kemi parë një “shfaqje force” nëse mund ta quajmë kështu në Bruksel të Ramës, Vuçiç e Kavaçevski . A mund dhe a duhet të përdoret kjo nismë për “presion” ndaj Perëndimit?
“Asnjë vend në Rajon nuk ka fuqinë ti bëj presion Perëndimit. deja presion ndaj Perëndimit më shumë tingëllon diçka si shpikje konspirative e Ballkanit sesa diçka reale dhe e bazume”
Çfarë presioni ndaj Perëndimit mund të bëhet nga cilido vend në rajon? Asnjë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë pasur arsye, siç kemi edhe ne, të jenë të frustruar me Bashkimin Evropian dhe mungesën e lëvizjes drejt zgjerimit më tutje. Fatmirësisht kishte lëvizje së fundi, por mos harroni, Maqedonia e Veriut është duke paguar një çmim të lartë për integrimin e saj Evropian. Njëherë e ndryshoi emrin, tani debati me Bulgarinë ka të bëjë me identitetin e shtetit dhe kombit, historinë e tyre, dhe përtej mendimeve të ndryshme që njerëzit mund të kenë, nuk është e lehtë për dikënd të ndryshoj emrin e shtetit, tani ndoshta edhe historinë e vet. E ata janë shtet anëtarë në NATO dhe OKB, imagjinoni ne çfarë probleme kemi me Serbinë, ku shumë tema nuk po mund të mbyllen e sa vështirë është të bëhet progres për targa, për energji, e lëre më për emër të shtetit apo identitet që kanë bërë fqinjët tanë të Maqedonisë së Veriut. Pra kjo ideja presion ndaj Perëndimit më shumë tingëllon diçka si shpikje konspirative e Ballkanit sesa diçka reale dhe e bazume.
-Por ka një ngecje të Procesit të Berlinit. A mund të ketë pasur një rol negativ Open Balkan për këtë?
“Asnjë iniciativë nuk do të funksionojë nëse nuk zgjidhen barierat tregtare për Kosovën në rajon”
Sa kam informata është që tregu i përbashkët rajonal si krijesë e procesit të Berlinit ka mbetur peng shkaku që Kosova nuk ka pranuar të nënshkruaj 4 marrëveshje të saj vitin e kaluar në Samitin e Berlinit dhe të Bledit. Ka një inciativë Gjermane këtë vit të ketë ringjallje të Procesit të Berlinit, por mbetet për tu parë. Por duhet thënë një gjë: Asnjë iniciativë nuk do të funksionojë nëse nuk zgjidhen barierat tregtare për Kosovën në rajon. Kjo është esenciale të kuptohet. Për këtë arsye ne duhet të flasim hapur më të gjithë dhe të shiqojmë më të mirën për shtetin e Kosovës dhe bizneset tona.
-Po a është e plotë kjo nismë nëse aty nuk janë të gjitha vende e Ballkanit?
Është vendim politik i secilit shtet që të vlerësojë a i bën mirë apo jo të jetë pjesë e ndonjë inciative. Nëse nuk dëshirojmë të jemi pjesë e Open Balkans, ne nuk mund të jemi edhe pengesë për të tjerët, nuk e kemi atë të drejtë dhe as mundësi. Është vendim sovran i secilit shtet të vlerësoj se si e përcakton politikën dhe veprimet e veta në rajon. Disa vite kanë funksionuar inciativat rajonale pa Kosovën anëtare, dhe pas marrëveshjes për fusnotën jemi bërë anëtarë në shumicën prej tyre. Sot ka ende disa siç është organizata e Evropës juglindore për Polici apo takimi i ministrave të mbrojtjes dhe disa të tjera që funksionojnë dhe Kosova nuk është anëtare shkaku i vetos serbe dhe boshnjake e disa vendeve të tjera që nuk na njohin. Pra nuk ka formulë ligjore që i detyron shtetet e rajonit të bëhen të gjithë bashkë apo nuk funksionon ndonjë iniciativë.
- Zoti Pacolli si e shihni ju situatën në tërësi në aspektin politik si politikan me përvojë por edhe si biznesmëen si një i tillë dhe e suksesshëm, e kam fjalën për luftën që Rusia i shpalli Ukrainës ?
“Lufta në Ukrainë një zhvillim i tmerrshëm, ka shkaktuar viktima por ka luhatur edhe sigurinë dhe ekonominë në Europë dhe Botë”
Lufta në Ukrainë është një zhvillim i tmershëm, në shekullin 21 po invadohet një shtet sovran vetëm pse dëshiron të jetë pjësë e Perëndimit.. Kjo luftë ka shkaktuar viktima të shumta, dëme të mëdha dhe ka luhatur sigurinë dhe ekonominë në Evropë dhe botë. Një gjë e ka pasur të mirë kjo luftë, e ka unifikuar Perëndimin. Sot SHBA dhe Evropa janë më unike se kurrë, ka një përkushtim për të ndihmuar Ukrainën dhe për të fituar këtë luftë.
-Sanksionet … ato janë një mjet i mirë presioni për këdo që shkel parimet bazë përfshirë dhe ato të territorit .. Por ka zëra që këto sanksione më shumë po dëmtojnë BE-në sesa vetë Rusinë?
“Sanksionet janë mjeti i duhur për të izoluar rregjimin e Putin. Lufta e zgjoi Europën për të mos qenë e varur nga Rusia për energjinë”
Sanksionet janë mjeti më i duhur për të izoluar regjimin e Putinit dhe rrethin e tij. Sigurisht kanë kosto posaçërisht në tregti dhe energji për Evropën këto sanksione, por mos të harrojmë në dekadat e fundit është bërë një varësi e tmershme energjetike e Evropës me Rusinë që ndryshe nuk do të shkëputej po të mos ishtë kjo luftë. Ka qënë siç thuhet një ëake-up call për vet Evropianët lufta e Ukrainës.
-Si e shihni këtë luftë? A u diktua apo u provokua ajo nga faktorë të jashtëm apo veprime të pamenduara nga ana e Përëndimit apo pavarësisht se kush mund të ketë qënë provokimi volitej një ulje në tryezë?
“Lufta në Ukrainë është rezultat i ambicieve hegjemoniste të Putin“
Lufta është rezultat i ambicieve hegjemoniste të Putinit. Asgjë më shumë. Kjo luftë është kulmi i luftës në Gjeorgji dhe Ukrainën Lindore dhe luftës hibride në tërë Evropën, ku edhe Kosova ka qenë një target i saj.
-A mund të gjendet një Deus ex machina për këtë konflikt dhe kush mund të jetë?
„Ukraina duhet ta fitoj këtë luftë. Fitorja e Rusisë do ishte katastrofale për Evropën e demokracinë“
Ukraina duhet ta fitoj këtë luftë qoftë në terren qoftë me marrëveshje të paqes. Një fitore e Rusisë, që duket e pamundur aktualisht, do të ishte katastrofale për Evropën dhe demokracinë.
-Ju keni ende në këtë kohë flas bashkëpunim ekonomik më Rusinë apo jeni pro sanksioneve?
„Sanksionet duhet të mbesin derisa të ketë ndryshime politike në Rusi“
Besoj sanksionet duhet të mbesin në fuqi për kohë të gjatë, deri sa të ketë ndryshime politikë në Rusi.
-Zoti Pacolli të shkojmë në Kosovë. Si e shihni situatën politike dhe ekonomike?
„Kosova aktualisht është në krizë ekonomike dhe ku dialogu mes pushtetit dhe opozitës shihet si tradhëti“
Kosova është një demokraci stabile e cila është shembull në rajon. Aktualisht kemi një krizë ekonomike e cila po injorohet nga qeveria, kemi nje ikje të madhe të të rinjve nga Kosova dhe kjo do të shkaktoj probleme për ekonominë e vendit, por edhe në anën tjetër polarizimi politik po vazhdon të thellohet dhe vendi përballet me një izolim ndërkombëtar ku duhet të gjindet një konsensus i brendshëm për temat kyçe, si dialogu, integrimet evropiane dhe tema të tjera të interesit nacional. Është krijuar një kulturë politike ku është helmuar gjuha politike, ku dialogu mes pushtetit dhe opozitës shihet si tradhëti, pra kemi një zero-sum lojë që më së paku përfiton qytetari i Kosovës.
-Kemi një vonesë të procesit të liberalizimit të vizave.. Pse kjo shtyrje pa fund?
“Liberalizimi i vizave me Kosovën i vonuar. Nëse vijon kështu BE humbet kredibilitetin si partner dhe si ndërmjetës në dialog”
Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave qysh vite më parë. Kjo është thënë nga Komisioni Evropian disa herë, problemi ka qënë me Francën dhe Holandën të cilat kanë pasur ngurim për shkaqë të brendshme të heqin vizat për Kosovën. Është proces i vonuar, ka dëmtuar Kosovën, ka dëmtuar vetë Bashkimin Evropian dhe nëse nuk ka ndonjë vendim shpejt, nuk e di si do të mund të arsyetohet tutje Bashkimi Evropian. E humb kredibilitetin si partner dhe si ndërmjetës në Dialog sepse nuk është në gjendje të mbaj fjalën e dhënë Kosovës. Duhet thjeshtëzuar kjo temë. Kosova ka marrë një udhërrëfyes me kritere për liberalizim te vizave që duhet plotësuar, Kosova ka bërë punën e vet, ka pasur më shumë kritere së çdo kush tjetër, dhe Bashkimi Evropian nuk ia ka dal të përmbush premtimin. Është si një kontratë të cilën Bashkimi Evropian nuk po e përmbush detyrimin e vet.
-Dhe ka lajme të mira për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. E shihni dhe këtë proces të vonuar?
“Rajoni ka humbur vite në pritje. Lufta e zgjoi lidershipin europian”
Kanë qënë lajme të mira jo vetëm për këto dy vende por për tërë rajonin që zgjerimi ngadal po ec tutje prapë, nuk është në stagnim. Sigurisht janë humbur vite në pritje, por më mirë vonë se kurrë. Ndikimi kryesor ka ardhur nga lufta në Ukrainë që ka zgjuar lidershipin Evropian. Shpresoj hapi rradhës logjik është heqja e vizave për Kosovën.
A keni komunikim me kryeministrin Albin Kurti?
Nuk jemi parë muajt e fundit.
-Ka pasur deklarata zhgënjyese pasi ka njerëz që kanë pritur më shumë nga Albin Kurti. Po ju?
“Qeveria Kurti po tregon impotencë në menaxhimin e krizës ekonomike”
Unë dhe Kryeministri Kurti i takojmë partive të ndryshme politike, apriori kemi dallime. Nuk kam pasur pritshmëri ndaj kësaj qeverie, kam pritur më shumë seriozitet dhe profesionalizëm në qeverisje, por shihet që ka një impotencë që po bëhet kronike, që kam frikën se do të sjellë pasoja për ekonominë, politikën e jashtme dhe sektorin energjetik të vendit. Por duhet të shohim se si do të menaxhoj qeveria krizën ekonomike dhe energjetike që po thellohet.
-Për sa i përket dialogut me Serbinë, ka kohë që nuk ka ulje në tavolinë. Kush po e pengon dialogun?
“Kosova duhet të ndalë dialogun teknik e të lëvizë në dialogun politik. Ta vendosim Serbinë para vendimit e të thotë PO ose JO“
Serbia gjithmonë tenton të gjejë pretekst për të ik nga dialogu. Në vitet e fundit dhe, fatkeqësisht, ky trend po vazhdon edhe sot, Kosova, për shkak së politikën e jashtme dhe interesat nacionalë i ka kthyer në politikë të brendshme dhe beteja të brendshme, nuk ka pasur sjellje strategjike në dialog. Ne duhet të ndalim dialogun teknik dhe të lëvizim në dialogun politik rreth temës kyqe, atë të njohjes. Serbia nuk dëshiron me nënshkru marrëveshje për njohje, por ne duhet, sikurse ia kemi dal në partneritet me aleatët tanë në Rambujë dhe në Vienë, të vendosim Serbinë para vendimit, të thotë po ose jo. Përderisa flitet për targa e tema tjera, jemi larg këtij momenti. Targat e qdo temë tjetër janë të lidhura me njohjen. Këto tema janë problematike, shkaku i mungesës së njohjes së ndërsjellë.
– A shihni një njohje të mundshme nga Serbia për Kosovën, duke parë që ka pasur deklaratë publike edhe nga liderë europianë, që pa njohje nuk ka integrim për Serbinë?
Siq thash më herët, Kosova duhet të insistojë të bisedohet për njohje dhe asgjë tjetër. Humbja e kohës me dialog teknik e shtyn temën kryesore dhe kjo është qka Serbia dëshiron.
– Si e shihni bashkëpunimin e Shqipërisë më Kosovën? Në fakt, statistikat flasin se Shqipëria ka më shumë bashkëpunim ekonomik më Serbinë sesa me Kosovën.
“Shqipëria dhe Kosova duhet të bëjmë më shumë që tregtia dhe ekonomia të jenë më të thelluara ndërmjet veti. Kjo nuk duhet të shihet si veto ndaj Shqipërisë se me kënd të bëjë tregti”
Unë Shqipërinë e kam shtëpinë time të dytë. Nuk jam i kënaqur me gjuhën, sjelljen dhe narracionin që disa në Kosovë e kanë ndaj Shqipërisë. Shihet që mendësia autonomiste e luftës së ftohtë ende ka një ndikim në paragjykimet e disa politikanëve ndaj Shqipërisë. Shqipëria është aleati më i madh dhe më i natyrshëm i Kosovës, është lider rajonal, ka kryesuar me OSBE-në dhe Këshillin e Sigurimit dhe është vendi kyq për NATO-n në rajon, përveq që është edhe anëtar i saj.
Kosova dhe Shqipëria janë dy vende që kanë ekonomi të lirë të tregut, sigurisht, ne duhet të bëjmë më shumë për integrim ekonomik dhe tregtar, dhe për këtë kam folur ndër vite, por duhet bërë më shumë në dy anët, që tregtia dhe ekonomia të jenë më të thelluara ndërmjet veti. Por kjo nuk duhet të shihet si veto ndaj Shqipërisë se me kënd të bëjë tregti. Bizneset janë të lira të zgjedhin tregun dhe qeveritë e shekullit XXI nuk kanë rol këtu shumë.
– Po Kosova me kë duhet të rrisë shkëmbimet tregtare?
Me të gjithë, me qdo kënd. Kosova ka nevojë të hapet më shumë, të jetë më atraktive ekonomikisht, të ketë më shumë eksport dhe të jetë e aftë të zhvillojë ekonominë e vendit. Kjo nuk bëhet me klithma populiste, duke atakuar sektorin privat, por kjo bëhet në partneritet në mes të qeverisë dhe sektorit privat. Qeveria duhet të jetë aleat i sektorit privat.
– Po procesi i njohjes? Ju keni dhënë kontributin tuaj për t’i shtuar ato. Priten njohje të tjera së shpejti?
“ Ka shtete që duan ta njohin Kosovën, por Kosova duhet t´ju trokasë në derë”
Shpresoj që Kosova të shtojë numrin e njohjeve më shumë, besoj ka hapësirë të mjaftueshme për këtë, ka disa shtete që kanë gatishmëri të lëvizin dhe të njohin Kosovën, por Kosova duhet t´u trokasë në derë. Unë do të bëj qka të mundem, të ndihmoj ku të mundem si gjithë në këto 14 vitet e fundit, që Kosova të njihet nga më shumë vende.
– Çfarë mund të thoni për lënien ende në burgun e Hagës të krerëve të UÇK-së?
“Në Hagë nuk janë individët të akuzuar, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe misioni i saj për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Gjykata Speciale ka shpallur një luftë speciale ndaj luftës së UÇK-së. Një avokat i njohur ndërkombëtar më tha se në zemër të Europës funksionon një gjykatë që ndjek standardet e regjimeve autoritare”
Është momenti i fundit që shteti i Kosovës të merr përgjegjësi dhe ne të bashkuar të mbrojmë historinë tonë, luftëtarët tanë të lirisë dhe të ardhmen e këtij vendi. Në Hagë nuk janë individët të akuzuar, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe misioni i saj për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Gjykata Speciale është themeluar me një premtim që bashkësia ndërkombëtarë ia ka dhënë Kosovës, që do të adresojë pretendimet e raportit të Dick Marty-t. Kjo nuk ka ndodhur, sot qka po ndodh, është që Gjykata Speciale ka shpallur një luftë speciale ndaj luftës së UÇK-së, ndaj narrativës sonë historike dhe ndaj asaj që është arritur. Kjo gjykatë po shkel hapur të drejtat e njeriut, thiret që është e Kosovës, por është totalisht status neutrale ndaj Kosovës, nuk respekton ligjet e Kosovës as standardet ndërkombëtare. Një avokat i njohur ndërkombëtar, së fundi, më tha që në zemër të Europës funksionon një gjykatë që ndjek standardet e regjimeve autoritare. Është koha të bëhen veprime, jo duke ndërhyr në proces, por duke e detyruar gjykatën që të jetë profesionale, e pavarur, të ndjekë ligjin dhe jo agjendat politike. Qka më ka shqetësuar më së shumti është që aktakuza ndaj krerëve të UÇK-së, është kopje e aktakuzave ndaj liderve serbë, të cilët ose janë të lirë prapë ose nuk janë dënuar se vdiqën, dhe me këtë të kthehet UÇK-ja në agresor vetëm pse luftoi kundër regjimit të Beogradit.
– Ka pasur një rezolutë mbi raportin e Dick Marty-t, që është votuar në parlamentin shqiptar, në 21 korrik. Ka pasur akuza në adresë të ish-Kryeministrit Berisha.
“Debati në Kuvendin e Shqipërisë për raportin e Dick Marty-t është në interes të Beogradit dhe Moskës”
Së pari, Kuvendi i Shqipërisë bëri mirë që aprovoi këtë rezolutë, e cila është iniciativë e qeverisë për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar me atë që po ndodh, dhe kjo që po ndodh është vetëm në interes të Beogradit dhe të Moskës në Hagë. E dyta, më vjen keq për diskutimin që ndodhi në Tiranë dhe heshtja në Prishtinë. Inatet politike nuk po mundësojnë që të shikojmë interesin kombëtar dhe raporti i Dick Marty-t dhe Gjykata Speciale nuk janë në interes të shqiptarëve. Shpresoj që mund të kemi konsensus në disa tema të tilla si kjo.
– A ka ndikuar në procesin e arrestimit të tyre, fakti që Shqipëria në Këshillin e Europës ka votuar pro raportin e Dick Marty-t, çka thuhet se i hapi rrugë Gjykatës Speciale dhe arrestimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi?
“Askush në Shqipëri nuk ka ndikuar në arrestimin e presidentit Thaçi apo të tjerëve, por dokumentet serbe dhe ruse”
E para, kushdo që ka votuar pro këtij raporti, ka bërë një gabim dhe veprim naiv. E dyta, Gjykata Speciale ka ardhur si rezultat i presionit perëndimor për të adresuar akuzat e Dick Marty-t. Nuk ka asnjë rol dikush në Shqipëri në arrestimin e presidentit Thaçi apo të tjerëve, aktakuza është produkt i Gjykatës Speciale dhe dokumenteve serbe dhe ruse.
– Si e shihni procesin e non grata-ve për disa eksponentë në Shqipëri? Për shembull, Sali Berisha ka një non grata edhe nga Britania, pas SHBA-së.
“Berisha non grata…Nuk ndikoj në politiën e Shqipërisë”
Nuk kam zakon të diskutoj për zhvillimet politike në Shqipëri e për skenën politike të brendshme. I njoh të gjithë politikanët, duke përfshirë zotëri Berishën, dhe besoj që Shqipërisë i duhet të gjejë unitetin dhe dialogun e duhur për të adresuar sfidat që përballet.
– Dhe një pyetje për aeroportin e Vlorës. Si po ecin punimet? Ka pasur ngecje nga faktorë të brendshëm apo, edhe qoftë, për shkak të luftës dhe rritjes së çmimit të materialeve?
„Shpesh jam përballur me sfida, qoftë politike, intriga, bllokada procedurale, dhe kompanitë nuk kanë kohë të presin. Me aeroportin e Vlorës? Do të jem aty kur të krijohen kushtet e duhura“
Ka qenë një privilegj i madh për mua të filloj ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, në një ditë historike për kombin. Dikur një ëndërr, sot një realitet. Një megaprojekt për ekonominë, turizmin shqiptar dhe të ardhmen e ndritur që e pret Shqipërinë dhe shqiptarët. Jam i lumtur për këtë investim, që ndodh në harmoni të plotë me kërkesat e ekonomisë liberale, ku shteti krijon kushte në të gjitha industritë, e investitori investon kapitalin dhe diturinë e vetë. Pa dyshim, në Vlorë do të ndërtohet aeroporti më modern e më funksional në rajon. Unë gjithmonë kam dashur dhe dëshiroj të realizoj projekte të mëdha ekonomike dhe infrastrukturore në Kosovë apo Shqipëri, por shpesh jam përballur me sfida, qoftë politike, intriga, bllokada procedurale, dhe kompanitë nuk kanë kohë të presin, shiqojnë tregjet dhe mundësitë ku mund të zhvillohen projektet. Vlora është mundësia që kam dashur të realizoj, dhe me këtë dua të dëshmoj dhe tregoj që, kur të krijohen kushtet e duhura, aty do të jem.
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*