Nga Klara Dervishi
A është gjyqi ndaj ish krerëve të UÇK-së një farsë dhe si do të përfundojë ai. A është ai një çmim që Kosova do paguajë për të dalë nga qorsokaku ku e ka futur Serbia përfshirë dhe mungesën e liberalizimit të vizave? Lidershipi Kosovar shpreson se do të marrë gjithë çka “firmosi” në Ohër por gjasat janë që Serbia të mos iu qëndroj anagazhimeve. Megjithatë gjithë sa po ndodh ka një shkaktar dhe ai është Serbia që me ndikimin e saj padyshim edhe nëse vetë do thotë “PO” do jetë Rusia dhe Kina që nuk do e pranojnë Kosovën në OKB. E gjitha duket më e komplikuar se kaq dhe farsa e gjyqit të Hagës duket se do vijojë gjatë. Unë kam biseduar këtë herë me zotin Lulzim Veliu për këtë temë.
1.Pas gati dy vitesh ka nisur këto ditë gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sa I paragjykuar është ai dhe sa shumë përpiqet të zhvlerësojë luftën për liri në Kosovë?
Fillet e gjykatës speciale janë shumë vite më parë dhe pikënisja e saj është nga një deputet rus që kishte pregaditur akuza të mëdha kundër UÇK-ës, Kosovës dhe Shqipërisë deri te akuza për trafikim organesh. Në atë kohë influenca ruse mbi vendet e BE ishte e lartë edhe për shkak të energjisë dhe si rrjedhojë e saj ata u pajtuan për ngritjen e një rezolute e cila u pregadit nga eurodeputeti Zvicërran Dik Marti rezolutë e cila u ngrit kundër UÇK, Kosovës dhe Shqipërisë për trafikim organesh në bazë të cilës rezolutë u kërkua edhe ngritja e gjykatës speciale të Kosovës, dhe për fatin tonë të zi kjo rezolutë u miratua edhe nga ish deputetët Shqiptar në Këshillin e Europës.
Është e vetëkuptueshme se çdo nismë që vjen nga Rusia është për të njollosur luftën e UÇK-së dhe përpjekja e tyre. Ishte për të argumentuar se intervenimi i NATO-s ishte i padrejtë. Rrjedhojë e gjithë kësaj parlamenti i Kosovës me shumicë absolute vendosi për themelimin e gjykatës speciale të Kosovës.
- A është ky gjyq një njollë e zezë për ndërkombëtarët që nga njëra anë ndërhynë me NATO-n për të çliruar Kosovën dhe nga ana tjetër fajësojnë viktimën pra Kosovën?
Unë nuk e shoh si një njollë të zezë të ndërkombëtarve është njollë e zezë e Kosovës. Mendoj se në këtë rast janë dy faktorë që kanë ndikuar te ndërkombëtarët: E para ndërkombëtarët nuk merren me fakte historike e as që duan t‘ja dinë për to, ata shohin se pas intervenimit të NATO- s dhe pavarësisë së Kosovës Serbia ka humbur 15% të territorit të tyre dhe mundohen të barazpeshojnë gjërat me koncesione të ndryshme kundrejt tyre e deri edhe gjykimi i çlirimtarëve me arsyetimin se nuk ishit vetëm ju fajtor ka edhe nga ana tjeter, dhe e dyta është që komuniteti nderkombetar po benë të gjitha përpjekjet për ta ndarë Serbinë nga alati i tyre i vjeter Rusia dhe të orientohet në rrugën e integrimeve europiane.
3.Nga akuza del se të akuzuarit pra shqiptarët kanë kryer krime ndaj shqiptarëve. Nëse provohet kjo a duhet të themi se nëse ka ndodhur të dënohen përgjegjësit?
I gjithë precesi i ngritjes së gjykatës speciale të Kosovës është përqendruar në dy shtylla kryesore në akuzat e Dik Martit për trafikim organësh dhe e dyta në akuzat për vrasjet politike.
Në mbrapa skene ka ndodhur diçka tjetër pasi ajo që ne sot po shohim e gjithë aktakuza e ngritur nga prokuroria ka të bëjë me periudhën e luftës dhe kinse me krime të kryera gjatë asaj periudhe. Pra kjo edhe një herë e dëshmon se aktakuza e ngritur është e bazuar kryesisht në pseudofaktet e dërguara nga prokuroria serbe.
Fatkeqësisht me apo pa vetëdije personalitete politike edhe parti politike qe kanë qenë edhe drejtues të institucioneve shtetërore kanë ndihmuar në ngritjen e kësaj akuze. Ndërsa sa i përket pjesës se a duhet të dënohen ata që paskan vrarë edhe shqiptarë patjeter se po mirëpo ne në Kosovë kemi një sistem të drejtësisë që ka pasur mundesi të merret me këto raste.
- A duket në fakt sikur Perëndimi kërkon të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes këtij gjyqi pra gjyqi duket politik duke parë se deri tani prova nuk ka. Por ndërkohë nëse ka të dënuar pra nëse do ketë të dënuar nga ky gjyq thuhet se Serbia do kërkoj rishikimin e historisë. Duket qesharake por edhe një moment kritik ky.
Vetë krijimi i gjykatës speciale dhe ngritja e aktakuzës për krime lufte si grup i organizuar kriminal është politike kur faktet dëshmojnë të kundërtën. Mirëpo nuk mendoj se është bërë vetëm sa për të arritur normalizimin e marëdhënieve mes dy vendeve pasi të akuzuarit edhe kur ishin pjesë e politikës nuk ishin nga ata që kundërshtuan asnjë marrrëveshje. Unë besoj se i gjithë ky proces do të marrë shumë kohë pra do të kalojnë disa vite dhe në fund do të shpallen të pafajshëm. Serbia nuk do të ketë mundësi të kërkojë rishikim të historisë pasi aty do të kishte pasoja edhe për ndërhyrjen e NATO-s pra diçka e pamundur të realizohet asnjëherë ndërsa çlirimtarët do të dëmtohen duke u mbajtur padrejtësisht dhe pa asnjë kompensim.
5.Presidentja Osmani ka dhënë alarmin këtë javë përsa I përket taktikave që po përdor Serbia ë ajo I ka quajtur të rrezikshme për ballkanin dhe të njëjta me ato të Rusisë me Ukrainën. E shihni si një rrezik të mundshëm këtë?
Po Serbia është ai vend qe gjithmonë ka luajtur politika të rrezikshme për çka ka qënë e shtyrë dhe ndihmuar nga Rusia.
Taktizimet do të jenë gjithmonë të dukshme sidomos tani kur çdo dite e më shumë bëhet presion ndaj Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje dhe unë nuk shoh ndonjë rrezik por e gjitha kjo me tepër bëhet për konsum të brendshëm pra për të dëshmuar se Vuçiqi i bëri të gjitha por nuk mund të përballet me NATO-n ashtu si është duke e thënë kohën e fundit se Serbia nuk mund të filloj luftë me NATO-n.
6.Pra a ka një mundësi që Serbia të rimarë territorin e Kosovës si Rusia në Ukrainë?
Një rimarrje të Kosovës nga Serbia është e pa imagjinueshme. Kosova është projekt Amerikan pra shteti i Kosovës është krijuar nga SHBA dhe si i tillë nuk rrezikohet asnjëherë nga Serbia pastaj duhet të kujtojmë se në Kosovë kemi forcat e KFOR të cilat kanë detyrim ruajtjen e kufijve të Kosovës dhe në rast të një sulmi nga jashtë ata ballafaqohen me forcat e KFOR që në shumicë përbëhen nga vendet anëtare të NATO-s.
7.Një armatosje nga ana e Serbisë për grupet paraushtarake sa e rrrezikon sigurinë në Ballkan?
Ballkani është i njohur për problemet dhe konfliktet ndëretnike dhe tani është hera e parë që kemi kalur një periudhë më shumë se pesëdhjet vjeçare pa një lufte ballkanike përkundër luftrave të fundit që pikënisje kishin Serbinë pra në të gjitha keto luftra ishte Serbia agresore dhe luajti me zjarrin edhe tani provon të gjitha mënyrat për të ushtruar presion mbi të gjitha vendet e rajonit e posaçërisht kundrejt Kosovës edhe pse e dinë mirë që mundësi konflikti me Kosovën nuk ka, sepse sikur mundësia më e vogël të ishte do ta bënte pra mundohet në çdo mënyrë të tregoj fuqinë dhe lidershipin kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor .
8.BE ka dhënë këtë javë ultimatum tjetër duke deklaruar se për të dyja vendet do ketë pasoja nëse nuk e nisin zbatimin e planit të “firmosur” në Ohër. Mendoni se Kosova apo Serbia do të sjellë pengesa në këtë.
Shpresoj që ultimatumet e dhëna nga BE-ja të realizohen dhe të bëhen edhe sanksione pasi kjo situatë statuskoje tash e sa vite ka bllokuar të dy vendet si në aspektin e integrimeve po ashtu edhe në aspektin ekonomik dhe si pasojë e saj Kosova po zbraset nga të rinjtë që nuk shohin prespektivë në vendin e tyre. Si gjithmonë pala e cila sjellë pengesa në realizimin e marrëveshjeve është pala Serbe edhe kësaj radhe nuk do t‘jetë ndryshe, ne që tanitani dëgjojmë deklaratat e Vuçiqit dhe Daçiqit se nuk do të lejojnë që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare përfshire edhe OKB, të cilat janë pjesë e marrëveshjes.
9.Dhe përsa i përket pikës për të mos ndaluar anëtarësimin e Kosovës në OKB, thuhet se do jetë Rusia ajo që do e ndaloj një hap të tillë. Në fakt duket sikur lidershipi serb laun me dy porta në këtë drejtim.
Lidershipi Serb edhe përkundër presionit nderkombëtar gjithmonë ka luajtur me dy porta ashtu si thoni edhe ju, Rusia është vend i përhershëm i Keshillit të Sigurimit dhe si i tille e ka edhe të drejtën e vetos adhtu sikur edhe Kina që janë vende që nuk kanë njohur Kosovën janë vende jo mike të Kosovës dhe kjo gjë e vështirëson shumë anëtaresimin e Kosoves në OKB. Por unë mendoj se vendet e BE dhe SHBA e kanë menduar këtë problem dhe do të ketë një zgjidhje që do ta mundësojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.
10.Në planin Europian nuk u përfshi njohja reciproke. Në fakt nuk pritej ndryshe por ditët e fundit ka shprehur zhgënjim edhe presidentja e Kosovës Vjosa OSmani që kjo nuk ishte në planin Europian
Që nga fillimi i negociatave në mes dy vendeve nga ndërmjetësuesit është potencuar se në fund do të kemi marrëveshje të detyruar me njohje reciproke mirëpo pas invazionit Rus ne Ukrainë komunitetit ndërkombëtar sikur po ju ngutet për arritjen e një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh me qëllim që situata të mos eskaloj drejt konfliktit gjë të cilën e dëshiron Rusia.
Ndërsa znj. Osmani më shumë duhet të shqetësohet për pozicionin e saj që duhet të jetë unifikues e jo përçarës siç është tani të pakten të jetë në funksion të detyrës së saj sa ishte në kohën kur ajo bashkëpunonte me tribunalin e Hagës dhe me gjykatën speciale.
11.Votimi për heqjen e vizave t për Kosovën pritete javën tjetër. Duket si një nga „shpërblimet“ që po I jepet kosovës që firmosi marrëveshjen edhe pse I ka takuar me kohë të ketë një lëvizje të lirë ?
Siç kam thënë edhe më herët është bërë padrejtësi e madhe kundrejt Kosovës me mos liberalizimin e vizave pasi kushtet jane plotësuar qysh ne vitin 2017, pastaj i është kërkuar Kosovës demarkimi i kufirit me Malin e zi ku dihet se me atë marrëveshje Kosova ka humbur 8300 hektar tokë dhe prap nuk kishte liberalizim. Javën tjetër ka ngelur vetëm votimi çka mendoj se do të votohet por ky nuk është shpërblim është arritur pas përmbushjes të të gjitha kushteve me kohë. Mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës deri më tani është turpi i BE-së.
14.04.2023
Düssedorf
L.V
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*